Analiza e “Panorama Sport”/ Kriza e Luftëtarit, ja 10 arsyet pse gjirokastritët po vuajnë në startin e sezonit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 3, 2018 | 18:53

Analiza e “Panorama Sport”/ Kriza e Luftëtarit, ja 10 arsyet pse gjirokastritët po vuajnë në startin e sezonit

Tri humbje radhazi nuk mund të quhen rastësi. Kambanat e alarmit te Luftëtari janë dhënë që tre muaj më parë, kur drejtuesit prishën atë që kishin ndërtuar, duke menduar për një strategji tjetër, që mendohej se do të jepte efekt edhe në ndeshjet e Europës. Fitoret në miqë- soret e verës në fazën përgatitore në Slloveni ishin një gënjeshtër e madhe, duke vënë në gjumë jo vetëm trajnerin e ri, por shfrenuan fantazinë edhe të drejtuesve ose më saktë ata që qëndrojnë pranë presidentit.

Ventspils nuk diskutohej fare, madje kishte edhe nga ata në klubin gjirokastrit që shihnin të kalueshëm edhe Bordonë. Ëndrrat janë falas, por për të kuptuar se pse Luftëtari arriti në këtë situatë kaotike, mjafton të ndjekësh kronologjinë e ngjarjeve, që pas përfundimit të sezonit 2017- 2018 dhe deri më tani. “Panorama Sport” mundohet të sjellë disa nga arsyet e dështimit të Luftëtarit.

luftetarii

1. Shpërfillja e trajnerit Hasan Lika ishte arsyeja e parë që prishi ekuilibrat në ekip. Të heqësh trajnerin pas një rezultati historik, vetëm në Shqipëri mund të ndodhë. Mosmirënjohje deri në “çmenduri” nga klubi. “Senatorët” e ekipit kanë qenë të pafuqishëm për të bindur presidentin Grigor Tavo se me Hasan Likën po gabonte.

2. U firmos kontratë 3- vjeçare me një trajner slloven, duke marrë për bazë faktin se ai ka drejtuar Kombëtaret U-17 dhe U-19 në vendin e tij dhe ka eksperiencë te Zelzejniçar në Bosnjë dhe Cervena Zvezda në Serbi. Me ardhjen e tij u mendua se do të afroheshin të rinj të talentuar, të cilëve do t’u jepej besim që në fillim. Mirëpo, drejtuesit i dhuruan Luftëtarit lojtarë mbi 30 vjeç si Janiçiç apo Milosavljev, duke fyer në këtë mënyre inteligjencën e tifozëve.

3. Pa u arritur ende kualifikimi në Europë gjatë sezonit të kaluar, drejtori teknik, Vangjel Çavo, kishte nisur bisedimet me Millosh Kostiç. Luftëtari doli zbuluar, pasi marrëveshja me sllovenin ishte finalizuar që në maj. Çavo nuk e preferonte Likën dhe bindi presidentin për ndryshimin në stol, ndikuar edhe nga përplasja që ish-trajneri ka pasur me përgatitësin atletik grek, Kostas Kolcidhas. Ky i fundit gëzon një vlerësim të madh për punën që ka bërë deri më tani, gjithnjë sa i përket fushës së tij, por ama është nga ata që janë vënë nën akuzë si personazhi kryesor që nuk donte Likën që të vazhdonte në krye të pankinës. Intriga pa fund, derisa tiranasin e larguan.

4. Klubi nxori jashtë planeve lojtarë me kontribut të rëndësishëm në sezonet e fundit si kapiteni Orjad Beqiri dhe sulmuesi Eri Lamçja. Për këtë të fundit stisi edhe një dëmtim, duke e lënë jashtë fazës përgatitore, derisa gjeti akordin për prishjen e kontratës. E çuditshme ishte edhe lënia e lirë edhe e një prej lojtarëve të talentuar nga akademia si Ardit Ziaji, i cili firmosi për Flamurtarin. Drejtuesit aktualë duket sikur kanë alergji për lojtarët vendës.

5. Pas humbjes katastrofike 5-0 në debutimin në Europë ndaj Ventspils dhe pas atij barazimi të turpshëm 3-3 në kthim, Luftëtari si klub prishi totalisht imazhin e mirë në opinionin sportiv shqiptar pas dy sezoneve mbresëlënëse që kishte zhvilluar. Një klub që ka probleme me futbollin e vërtetë dhe rrezikon të jetë në shënjestrën e UEFA-s si i dyshuar për trukime, ta harrojë se mund të ketë më mbështetjen e tifozëve. Në dy ndeshjet e deritanishme në shtëpi, sportdashësit gjirokastritë kanë bojkotuar ekipin në shenjë revolte për turpin në Europë. As 500 veta në stadium kanë pasur ndikimin e vet në skuadër.

6. Trajneri aktual, Kostiç, ka një konflikt të hapur me mbrojtësin e majtë brazilian, Xhekson Ferreira. Edhe pse gjërat duket sikur janë sheshuar, përplasja ka ndikuar në performancën e brazilianit, i cili ishte një prej shkaktarëve të humbjes me përmbysje në Laç. Kostiç është sjellë në mënyrë arrogante fillimisht me Dejvi Bregun, e më pas të njëjtën gjë ka bërë në stërvitje me mbrojtësin Oltion Rrapa. Ky i fundit është ngarkuar shumë psikologjikisht dhe këtë e ka reflektuar në fushë, duke gabuar ndaj Kastriotit dhe Flamurtarit.

7. Në grupin e lojtarëve ka përçarje për shkak të rrogave. Lojtarët e huaj të ardhur në verë kanë paga shumë më të larta se ata që prej tre sezonesh kanë mbajtur peshën kryesore te Luftëtari. Duke parë edhe faktin se asnjë prej afrimeve në merkato nuk po bën diferencën, zgjedhjet e klubit po konfirmohen se kanë qenë totalisht të gabuara.

8. Klubi i Luftëtarit ka mohuar vazhdimisht të ketë pasur probleme financiare. Lojtarët nuk janë ankuar asnjëherë publikisht për pagat, edhe pse nën zë pohojnë se nuk kanë marrë ende dy rroga bonus për kualifikimin në Europë. Krisja më e madhe ka të bëjë me faktin se në grupin e futbollistëve ka dyshime se klubi paguan rregullisht një pjesë të titullarëve dhe vepron me dy standarde me të tjerët. Në ekip janë krijuar klane, me shqiptarët të veçuar dhe serbët në anën tjetër.

9. Në këtë krizë rezultatesh ka ndikuar pa dyshim largimi i dy yjeve të sezonit të kaluar, Abazaj dhe Bregu, ndërsa nuk janë të gatshëm ende lojtarë të rëndësishëm në skuadër si Eduard Rroca dhe Ivan Jakovljeviç, që një Zot e di se kur do të rikthehen në fushë. Grupi aktual i futbollistëve ka treguar se nuk di të mbajë presionin. Fakt është ndeshja në Laç, por gjithashtu ajo e fundit ndaj Flamurtarit. Klubi ka afruar një sulmues që beson se bën diferencën si keniani Ismael Dunga, por ky i fundit ende nuk ka mbërritur në Gjirokastër.

10. Ky sezon është një nga më të investuarit te Luftëtari që prej rikthimit të ekipit në Superiore. Klubi jep afro 60 milionë lekë të vjetër në muaj vetëm për rroga lojtarësh, ndërsa ka fituar nga shitjet e Abazaj dhe Bregut, e gjithashtu nga pjesëmarrja në Europë, rreth 700 mijë euro, pa përfshirë këtu të ardhurat nga e drejta televizive apo benefite të tjera. Mirëpo, menaxhimi që i është bërë buxhetit nga drejtuesit është tragjik, me një merkato totalisht të dështuar, që nuk vendos në përgjegjësi vetëm trajnerin Kostiç, por mbi të gjitha drejtorin Vangjel Çavo. Bregu dhe Abazaj janë zëvendësuar me lojtarë në perëndim të karrierës, ku njëri prej tyre vjen nga ligat e ulëta greke (Milosavljev), ndërsa tjetri pas 6 muajsh pa luajtur (Radoviç).

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"