ANALIZA E GOLAVE/ Fillimi i pjesëve të dyta, “makth” për Kukësin e trajnerit Nica

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 19, 2023 | 18:48

ANALIZA E GOLAVE/ Fillimi i pjesëve të dyta, “makth” për Kukësin e trajnerit Nica

 

Pas tetë javëve kampionat, Kukësi vijon të jetë i fundit në klasifikim, ku për asnjë moment gjatë këtij sezoni nuk i është larguar këtij pozicioni.

kukesi stavri nica

Mirëpo, në ndeshjen me Laçin këtë të diel, blutë shpresojnë te një fitore, e cila të përkthehet edhe me lënien e këtij pozicioni, pikërisht në ndeshjen e fundit të fazës së parë. Tetë javë ndoshta nuk janë shumë, por edhe pak nuk mund të konsiderohen për të bërë disa bilance. Dhe, “Panorama Sport” i ka bërë një vëzhgim situatës së golave të Kukësit, kur i pëson dhe shënon.

GOLAT E PËSUAR – Blutë janë skuadra me mbrojtjen më të dobët të kampionatit, sepse deri më tani kanë pësuar plot 16 gola, e përkthyer ndryshe mesatarisht dy rrjeta për ndeshje. Jo më kot, Nica e sheh këtë repart si më problematikun, të cilit ende nuk ia ka gjetur çelësin e suksesit. Nga “skaneri” i golave të pësuar deri më tani që ka bërë gazeta, rezulton se starti i pjesës së dytë është vërtet problematik për skuadrën.

Thuhet kështu, pasi gjashtë gola deri më tani i kanë pësuar në harkun e minutazhit 46′-60′. Problematike janë edhe minutat 16′-30′, sepse aty verilindorët kanë nxjerrë 5 herë topin nga rrjeta. Dy gola Kukësi i pëson edhe në fundin e takimit, ndërsa momenti më i mirë i skuadrës është gjatë mesit të pjesës së dytë, ku deri më tani ka ditur të mbajë të paprekur portën. Sa u përket pjesëve, skuadra pëson njëlloj si në të parën, ashtu edhe në të dytën, nga 8 gola.

GOLAT E SHËNUAR – Kukësi vërtet pëson më shumë nga të gjithë, por të paktën nuk shënon më pak nga pjesa tjetër e skuadrave të Superiores. Deri më tani ekipi ka gjetur 9 herë rrugën e rrjetës, pak më shumë se një gol për ndeshje. Dhe, sipas vëzhgimit të bërë, del se momenti më efikas për skuadrën që të shkojë te goli, janë pikërisht meset e dy pjesëve, minutazhi 16′-30′ dhe 61′-75′, ku ekipi shënon respektivisht nga tre gola.

Sa i përket fillimit dhe fundit të pjesës së parë, skuadra nuk shkon asnjëherë te goli, duke u konsideruar si jo pak problematike. Në lidhje me pjesët efikase, e dyta është shumë më e mirë, sepse skuadra shënon gjashtë herë, përkundrejt tri në të parën.

1

VLADIMIR MEMA -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"