Analiza e gazetës/ Skënderbeu, 10 arsye për të besuar te mrekullia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 17, 2017 | 11:54

Analiza e gazetës/ Skënderbeu, 10 arsye për të besuar te mrekullia

Korçarët e dinë se ky i sotmi është një mision i vështirë, por kurrsesi i pamundur. Të pamundurat në futboll nuk ekzistojnë më, ndryshe Leiçesteri nuk do të shpallej kurrë kampion i Anglisë… Për shkak të diferencave, Dinamo është favorite dhe po të shohësh koeficientët e basteve të trembin, por Skënderbeu i ka shanset. Pse e themi këtë? Sepse…

Skenderbeu

1. Skënderbeu nuk ka asgjë për të humbur. Po, nuk është pak t’ia lësh presionin kundërshtarit.

2. Skënderbeu është një skuadër që mbrohet më mirë dhe tani sakrifikojnë shumë edhe sulmuesit kur ekipi është në vështirësi.

3. Ka eksperiencë të madhe në arenën europiane. Nuk është një klub fillestar.

4. Ka vetëbesim. Vendin në “play off” nuk ia dhuroi askush, e ka arritur me forcat e veta.

5. 200 mijë euro premio të lënë pa gjumë. Afërsisht 10 mijë euro për kokë. Shumica e shqiptarëve do rropateshin për t’i fituar kaq para tërë vitin…

6. Ali Soue? E kush e njeh? Dakord, është risku që të dalë huq në debutim, por ama nëse është siç thonë mund t’u hapë punë kroatëve që as e kanë parë ndonjëherë në fushë.

7. Latifi. Ku ka më mirë se të ikte siç ka premtuar: të kualifikojë Skënderbeun! Djaloshin e ndezin sfidat e mëdha.

8. Dëshira për revansh. Dinamo e meritoi të kualifikohej 2 vite më parë, por nëse tani Skënderbeu e eliminon, do të ishte një hakmarrje e ëmbël gjithsesi.

9. Pjacë e lartë për ata që duan të shiten. Nimaga, Lilaj, Gavazaj, Jashanica… ku ka më mirë se të tregojnë veten në një sfidë si kjo për të kapur kontratën e jetës?

10. Shansi i fundit i veteranëve. Shehi dhe Radas me shumë gjasë nuk do të kenë mundësi të luftojnë në nivele të tilla. Ky është pa dyshim shansi i fundit për të ndier emocionet e një suksesi në fushë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"