ANALIZA/ Bastet e fituara dhe gola me “thasë”, ja bilanci i Kombëtares në eliminatore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2019 | 22:00

ANALIZA/ Bastet e fituara dhe gola me “thasë”, ja bilanci i Kombëtares në eliminatore

Eliminatoret përfunduan, tani është koha për të bërë bilancin. Kombëtarja shqiptare mbylli një tjetër fazë kualifikuese: Vendi i katërt (pas Francës, Turqisë dhe Islandës), duke lënë pas vetes vetëm Andorrën dhe Moldavinë.

shqiperia kombetarja

Katër fitore, një barazim dhe pesë humbje, çka përkthehen në 13 pikë. 16 gola të shënuar dhe 14 të pësuar. Këta janë numrat e thjeshtë dhe secili mund t’i interpretojë si të dojë. Nëse kthejmë kokën pas, do të kuptojmë gjërat që kemi bërë mirë dhe ato që kemi bërë keq në këto eliminatore. U nisën me Kristian Panuçin, vazhduan me dyshen Bulku-Mema dhe përfunduan me trajnerin Edi Reja.

POZITIVE

Bastet e fituara- Nuk duhet ta përsërisim 100 herë, por duke qenë se është e vetmja meritë e Panuçit, po e themi sërish: Ardian Ismajli. Vazhdoi procesin e rritjes në këto eliminatore dhe tregoi se është një lojtar i rëndësishëm për Shqipërinë, po ashtu si Dermaku. Nuk po i përmendim ata që dihen tashmë, por vetëm të rinjtë. Reja i dha besim Keidi Bares dhe duket se ai ia shpërbleu. Në mesfushë një vend është i zënë, të paktën për momentin. Surprizë e bukur ishte edhe Klaus Gjasula, mesfushor që mungonte që nga koha e Kukelit në Kombëtare. Vazhdimësia e Manajt është gjithashtu pozitive. Cikalleshi gjithashtu pati një shpërthim në këto eliminatore.

manaj franca

Elementët e rinj- Edi Reja ka menduar edhe për të ardhmen gjatë kësaj kohe. Ka afruar futbollistë shumë të rinj si Kumbulla, Seferi, Selahi, por ka joshur edhe të tjerë si Broja duke e pasur në listën e pritjes. Florian Kamberi është gjithashtu një zbulim i Rejas, por këtë herë nuk pati fatin të luante për shkak të dëmtimit dhe dokumentacionit.

Ka grimca loje- I lënë mënjanë dy ndeshjet e fundit (që u gabuan për 1001 arsye: ekipi i pamotivuar, mungesa të shumta, stadiumi i ri, eksperimente), të tjerat kanë qenë të kënaqshme dhe të mira. Pas Panuçit, Reja e transformoi totalisht këtë skuadër duke i dhënë jetë. Nuk luajti keq në debutim me Islandën, por u ndëshkua nga një gabim. Ekipi erdhi duke u rritur me Moldavinë, pastaj në Francë nuk ka vend për komente. Pastaj dy ndeshje të tjera mjaft pozitive, Islanda në Elbasan dhe Turqia në transfertë. Kjo e fundit u humb për një episod në fund, por kuqezinjtë reaguan mirë me Moldavinë duke fituar 0-4.

bare zhiru shqiperi france

Rekord për gola- Kurrë më parë në një eliminatore nuk ka ndodhur që të shënohen 16 gola nga Shqipëria. Ja diçka për t’u mbajtur mend këtë vit. Më parë ishte ndalur në 12 gola në eliminatoret e vitit 2008. Skuadra e Rejas renditet e treta për sulmin më të mirë pas Francës dhe Turqisë.

NEGATIVE

Mbrojtja fut ujë- Nëse sulmi është pozitiv, mbrojtja është negative. Sepse Shqipëria ka pësuar 14 gola dhe është mbrojtja e tretë më e keqe pas Moldavisë dhe Andorrës. Shumë futbollistë të këtij reparti luajnë në Itali (që është shkolla e mbrojtjes), por sërish në fushë bëjnë gabime fatale dhe amatore. Diçka që duhet ndryshuar patjetër në të ardhmen. Ky është repart i rëndësishëm për arritjen e rezultateve pozitive. Por në Kombëtare mungon edhe një lider. Vite më parë (pa shkuar shumë larg) kishte lojtarë si Cana dhe Mavraj që merrnin përgjegjësi në momente të caktuara dhe mbyllnin çështjet delikate.

shqiperia

Menaxhim i gabuar- Me gjithë respektin për Kristi Qosen, por teksa ai luante në “Air Albania Stadium” nga televizori e shihnin Endri Çekiçi, Taulant Xhaka dhe Ergys Kaçe. Kjo nuk ka për qëllim krahasimin e lojtarëve, por menaxhimin më të mirë të situatave. Trajneri duhet të jetë më i kujdesshëm dhe të mos krijojë përçarje me futbollistët. Deri tani ka llogari të hapura me Grezdën (që është gjithashtu një element me cilësi) dhe Xhakën. Kujtojmë se arma më e fortë e De Biazit ishte grupi. Reja e ka gjithashtu, por sa më e madhe të jetë fryma brenda tij, më mirë do të jetë për ne.

Strategjia e lojës- Kur thamë te pika pozitive që Shqipëria ka grimca loje, duhet të shtojmë që me skuadrat e mëdha (Franca dhe Turqia) mungojnë rezultatet. Këtu lind pyetja: A ka Kombëtarja luksin të luajë ballazi dhe hapur me skuadrat e forta? Mos ndoshta duhet të rikthehet të jetë një “bunker” si me De Biazin për të marrë rezultate dhe ndonjë pikë të vlefshme për llogaritë e kualifikueseve… Vendim që do ta marrë trajneri i ardhshëm.

Dilema me Roshin- Është e pabesueshme. Lojtari i vetëm në Kombëtare që “shpik” diçka, jep asiste dhe furnizon sulmuesit për të shënuar qëndron në stol. Historia me Roshin duhet të zgjidhet përgjithmonë. Ai është një nga lojtarët më të mirë të viteve të fundit dhe në këto eliminatore ka shënuar një gol dhe ka dhënë 4 asiste. Sigurisht që falë rendimentit e meriton të luajë titullar, por me skemën e Edi Rejas e ka të vështirë të përshtatet. Ndoshta në të ardhmen ndryshon skema, por kjo histori duhet të zgjidhet sa më shpejt në të mirën e rezultateve.

GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"