ANALIZA/ Bajern e Dortmund të frikshëm, Lajpcig vuan presionin e titullit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 28, 2020 | 22:05

ANALIZA/ Bajern e Dortmund të frikshëm, Lajpcig vuan presionin e titullit

Bundesliga ka hyrë në një fazë shumë interesante. Në dy javë të luajtura në fazën e dytë të sezonit ka pasur ndryshime të rëndësishme në pjesën e sipërme të tabelës. 

gJERMANIA

Me Lajpcigun që mbetet pretendent për titull dhe Bajernin që së bashku me Dortmundin kanë shkelur gazin deri në fund për të arritur të parët në finish.

LAJPCIG

Skuadra e Julian Nagelsmanit ka humbur në Frankfurt në një ndeshje ku duhet të tregonte se mund të përballonte trysninë e ndjekësve. Edhe pse luajtën dy orë para bavarezëve, skuadra e “Red Bull”-it nuk arriti dot të vinte nën presion skuadrën e Flikut që priste në shtëpi Shalken. Në fakt, ndodhi e kundërta. Frankfurti gjunjëzoi Lajpcigun me vetëm 3 goditje portë duke i dhënë zemër Bajernit të cilit i duhej 1 fitore për të çuar në -1 diferencën e pikëve.

BAJERNI 

“Humbja e Lajpcigut na motivoi më shumë”, ishin fjalët e trajnerit bavarez, Hansi Flik, pas fitores 5-0 ndaj Shalkes në “Allianz Arena”. Bajerni shënoi i pari me anë të Levandovskit pas vetëm 6 minutave lojë duke dhënë sinjalin e qartë se do të përfitonte maksimalisht nga ndalesa e rivalëve. Në këtë fazë të nxehtë të kampionatit eksperienca luan një rol jetik dhe në Mynih ajo nuk mungon. Ekspert në fitimin e titujve, Bajerni është duke përfituar maksimalisht nga pengesat që po has rivali i tyre i cili pas çdo javë po ndjen akoma dhe më shumë presionin që shtohet, një presion që në krahun tjetër është motivues për skuadrën e Flikut, e cila luan si e tërbuar në fushën e lojës.

DORTMUNDI 

Në fund të fazës së parë, skuadra e Lysien Favresë u konsiderua jashtë luftës për titull. Edhe pse në fillim të kampionatit ata dolën me pllakat në dorë ku vetëshpalleshin kampion të 2019-2020 ende pa nisur mirë kampionat. Por, me kalimin e javëve, gjithçka u komplikua për verdhezinjtë, të cilët linin pikë të sigurta në fushën e tyre. Skuadra nuk funksiononte siç duhet dhe për këtë faji iu faturua trajnerit Favre i cili rrezikoi të shkarkohej. Por Vacke i qëndroi besnik vendimit të tij në sezonin e kaluar, duke i besuar sërish zviceranit.

Në merkaton e dimrit, Borusia bën goditjen më të madhe në Europë, duke sjellë në skuadër sulmuesin e talentuar, Erling Haland. Norvegjezi refuzoi disa klube të mëdha si Juventusi dhe Mançester Junajtid për të nisur eksperiencën në Bundesligë. Pjesën tjetër e kujtojmë të gjithë. 19-ta hyn si zëvendësues në pjesën e dytë të ndeshjes së parë me fanellën verdhezi, duke shënuar një tripletë. Teksa të gjithë ishin ende të dehur nga ndeshja me Augsburgun, Haland shënon dopietë në sfidën e dytë me Borusian që mposhti në fundjavë Këlnin. Tani me vetëm 3 pikë më pak se bavarezët dhe 4 nga Lajpcig, në Dortmund është rikthyer edhe njëherë entuziazmi i fillimsezonit. Edhe pse për të arritur të trofeu duhet më parë të kalojnë mbi Bajernin.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"