Albumet e Riza Lushtës…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 12, 2020 | 19:47

Albumet e Riza Lushtës…

Nga BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

PJESA II

6. Albumet e Riza Lushtës… Ka qenë tetor i vitit 2004. Çmimi “Anton Mazreku” në Prishtinë dhe nipi i sipërpërmendur i Riza Lushtës, ing.Mehmet Lushta jo vetëm vjen e më takon, por së bashku me shokët e mi, të paharrueshmit Tonin Paloka e Agim Binaku, na shtron një drekë mirënjohjeje për çka kishim bërë përmes shkrimeve për axhën e tij, Riza Lushtën e madh. Më kishte thënë Mehmeti se zotëronte albume të fotove të Lushtës, që ky ia kishte lënë për kënaqësi të të afërmve të tij në ardhjet e tij në Kosovën e Mbasluftës, që nuk kishin qenë të rralla. Ishin dy ose tri albume dhe befasia ime ishte e jashtëzakonshme, e pamenduar madje. Nuk di a ka një futbollist shqiptar, i djeshëm apo i sotëm, albume kësisoj. Riza Lushta, asokohe në mungesë të kameras, pothuajse e kishte fiksuar jetën e tij sportive, dhe jo pak prej episodeve e tij të pafund në Seria A të Italisë përmes këtij koleksioni tejet të pasur fotosh. Një koleksion i mbajtur me ecurinë kronologjike të jetës së tij sportive, madje me shumë kulturë e seriozitet, duke më befasuar dhe duke ma shtuar edhe më tej respektin dhe adhurimin që më kishte blatuar kujtimi i tij. Në atë mesditë të paharrueshme të Prishtinës së shtrenjtë, duke përfituar prej mirësisë së Mehmet Lushtës, unë u zhyta tek albumet me të cilat nuk kisha mbarim. Përzgjodha rreth nja 30 e sa foto të cilat miku im m’i blatoi me kënaqësi duke m’i dërguar pas disa kohëve në një CD. Midis tyre, nuk mund të më shpëtonte doemos njëra nga fotot. E vetmja foto ku Riza Lushta ishte i fiksuar në 11-shin e kombëtares së Italisë. Një foto ku përveç të tjerëve ishte edhe Kampioni i Botës, Silvio Piola, një nga më të mëdhenjtë e historisë së futbollit botëror.

LUSHTA RIZA (1)

Janë pra, nën të njëjtën fanellë, atë të kombëtares së Italisë, e cila 30 muaj më parë kishte fituar titullin e dytë të saj kampion i botës! Nuk vonova të kuptoj se ishte fjala për përfshirjen e Riza Lushtës me kombëtaren e Italisë për ndeshjen e 1 dhjetorit 1940, Italia – Hungaria 1-1 në Firence, çka po e tregoj më poshtë. 7. Riza Lushta i Juventusit te kombëtarja e Italisë Më 17 nëntor 1940, në Javën 7 të Kampionatit, është ndeshja Juventus – Livorno 2-1 me dy gola të Lushtës, për të cilën thuhet se mû kjo e ka bindë përfundimisht trajnerin e Kampiones së Botës në fuqi, Vittorio Pozzo, ta përzgjedhë në kombëtare për duelin Italia – Hungaria 1-1 të 1 dhjetorit 1940. Riza Lushta i vitit 1940 është titullar i padiskutueshëm i Juventusit e cila ishte mëtuese e titullit kampion të Seria A, ndonëse në fund do të renditej e pesta, kur në Kampionatin 1939-‘40 ishte renditur e treta. Në kombëtaren e Italisë në këtë 1940 qenë lojtarët e saj Depetrini, Gabetto, Parola, Foni, Rava – dy të fundit Kampionë të Botës më 1938-ën. E midis tyre edhe Lushta, siç na pëlqen me të drejtë ta pranojmë. Riza Lushta është në një formë të shkëlqyeshme dhe me 4 gola është shënuesi më i mirë i këtij fillim kampionati me Juventusin. Janë radhazi ndeshjet Juventus – Novara 3-0, Ambrosiana Inter – Juventus 2-1 dhe Juventus – Livorno 2-1, e, dy gola të Lushtës:

“Per la Juventus Lushta va in gol al 15’, con un tiro al volo su passaggio di Borel. Il secondo realizzo ancora Lushta che precede l’uscita di Silingardi e infila la rete ospite”, siç ka shkruar si në një melodi të stilit latin, kronikani i kohës.

Lushta është mëtues i titullit me skuadrën e tij, teksa Juventus kryeson Kampionatin … Ai thirret prej Pozzo-s në kombëtaren e Italisë dhe siç do ta shohim më tej, Myslym Alla, asokohe student në Itali, që nxiton ta ndjekë në Firence. Ndeshja Italia – Hungaria për të cilën është përzgjedhur Riza Lushta është luajtur në Xhenova pikërisht këto ditë të ndeshjeve të shkëlqyeshme të shqiptarit të madh të futbollit, më saktësisht në orën14:00 të 1 dhjetorit 1940 në Stadio Comunale “Luigi Ferraris” të Genovës. Një ndeshje e fortë 1-1 para 30.000 shikuesve dhe Italia e cila ka patur këtë 11-sh: Ferrari P., Foni, Rava, Depetrini, Olmi, Locatelli, Biavati, Bertoni, Piola, Trevisan, Ferraris II. Në 11–sh janë tre lojtarë të Juventusit, Foni, Rava, Depetrini, çka po të ishte Lushta do ta çonte në katër numrin e lojtarëve juventinë. E, mendja të thotë se Lushta duhet të ketë qenë në stolin e rezervave dhe nuk e dimë pra, se çka ka ndodhur që nuk ka hyrë në lojë. Interesante është se skuadra italiane nuk ka bërë asnjë ndërrim për 90 minuta të tana. Nuk ndërroheshin kollaj asokohe lojtarët. Pesëshja e sulmit të të kaltërve ka qenë kjo: Biavati, Bertoni, Piola, Trevisan, Ferraris II. Cilin mund të zevendësonte Lushta? Ndoshta secilin. Përpiqem ta marr me mend Lushtën duke e ndjekur lojën nga stoli me ankthin e shfaqjes në fushë. Jo! Do të ruajë kujtimin e madh të thirrjes së tij dhe këto foto të bujshme të pranisë së tij nën fanellën e 11-shit të Italisë – Kampione e Botës në fuqi. Këto janë dy fotot e famshme, të ribotuara prej nesh. Lushta i ka “këputur” prej një gazete, që teksa ia zbulon një ton paksa të errët në bardh e zi, mendoj se duhet të jenë marrë nga e famshmja “La Gazzetta dello Sport” e Milanos.

ITALIAA (1)

Por ndoshta edhe nga e famshmja tjetër, “Il Calcio Illustrato”. Në njërën prej të dy fotove, është 11-shi i kombëtares së Italisë para një ndeshjeje prove, ndërsa ngjitur me të është një foto që ka fiksuar një çast stërvitjeje ku Lushta shfaqet disi në psikologjinë e vet. Mandej Silvio Piola pak më tej e futbollistë të tjerë të kombëtares së Italisë, në një si relaks stërvitor. Në foton e 11-shit të ekipit, Lushta duket i ulur i pari nga e majta, një portret tipik futbollisti të formuar tashmà, 24 vjeç djalë, elegant, me flokët e shndritshëm, disi të lyer me brilantinë, një stil i kohës ky, në atë që sot e sundon përcaktimi anglosakson, “look”-u i kohës. Poshtë fotove është një titull i dukshëm: “Primo appello azzurro”, që po ta shqipërojmë, pra më tepër se sa ta përkthejmë, do të thotë: “Grumbullimi i parë i të kaltërve”. Më tej, këto fjalë të gazetës apo revistës së sipërpërmendur: “Grumbullimi i parë i të kaltërve është marrë vesht se është bërë të enjten në Firence…. Paraqesim të thirrurit në Firence: Ferrrari, Brunella, Piola, Olmi, Griffanti, Bertoni, Biavati, Locatelli, Ferraris II, Campatelli… dhe natyrisht edhe Lushta”.

“…Natyrisht edhe Lushta”, pra. Kaq i madh që ka qenë. Mjafton ky përcaktim veçues për të kuptuar se sa i sigurt dhe i pakundërshtueshëm ishte grumbullimi i Lushtës në kombëtaren italiane!… Ndërkaq, si në një digresion, më duhet të kaloj tek episodi tjetër, që ka të bëjë me një foto tjetër që ma ka dhuruar ishfutbollisti i sport-klub Tiranës, Arif Peza, sot i konfirmuar si Kampion i Shqipërisë me sport-klubin tonë më 1942, një prej tre Kampionateve të cilëve tashmà iu kam kushtuar Librin e posaçëm të historisë disavëllimëshe. Eshtë merita e kolegut tim të gazetarisë, fotoreporterit të shquar Adnan Hyka që më çoi tek Arif Peza. Arif Peza – ai ka jetuar në emigracion dhe njihet si një figurë atdhetare e antikomuniste – i rikthyer gati mbas 50 vjetëve në Tiranë – paraqet jo Arifin, i cili në Kampionatin Kombëtar të vitit 1942 është Kampion i Shqipërisë, por paraqet të respektueshmin e të paharrueshmin Myslym Alla së bashku me Riza Lushtën në një foto të kostumit civil, jo atij sportiv. Fotoja daton më 18 nëntor 1940 dhe është marrë në fushën e blertë të Stadio Comunale të Firences, qytetit ku Vittorio Pozzo, trajneri i madh i dy herë Kampiones së Botës, zhvillonte mbledhjet disa ditore me kombëtaren e Italisë në çdo prag ndeshjeje të saj. Siç kam përcaktuar shumë kohë më parë, në këtë foto “Alla dhe Lushta shfaqen në një elegancë rinore prej zotërinjsh të vërtetë të Tiranës, kampionë të shquar të sport-klubit të kampionateve të viteve ’30″. Ajo është foto e bërë 13 ditë para ndeshjes së 1 dhjetorit 1940 të Xhenovas midis Hungarisë dhe Italisë 1-1, çka i paraprin fotove tona të bujshme që po botojmë, në “Panorama Sport”. E, profesori ynë Myslym Alla, e adhuronte Lushtën deri aty sa s’ka ku shkon më. E megjithatë, Lushta nuk ka luajtur me kombëtaren e Italisë në ndeshjen e 1 dhjetorit 1940 me Hungarinë, edhe pse është në foto si lojtar i kombëtares së Italisë. Saktësisht ky 11-dhjetësh i kombëtares së Italisë në këte foto është ky:

LUSHTA JUVE (1)

Lart nga e majta: Pietro FERRARI / Bologna (1 ndeshje me Italinë), Luigi BRUNELLA / Torino (1 ndeshje me kombëtaren B), Silvio PIOLA / Lazio (36 ndeshje me Italinë), Renato OLMI / Inter 6 ndeshje me Italinë), Luigi GRIFANTI / Fiorentina (2 ndeshje me Italinë), Sergio BERTONI / Pisa (6 ndeshje me Italinë), Amedeo BIAVATI / Bologna (18 ndeshje me Italinë). Ulur nga e majta: Riza LUSHTA / Juventus (1 ndeshje themeluese me kombëtaren e Shqipërisë), Alfredo FONI / Juventus (23 ndeshje me Italinë), Ugo LOCATELLI / Inter (22 ndeshje me Italinë), Pietro FERRARIS II / Inter (14 ndeshje me Italinë), Aldo CAMPATELLI / Inter (7 ndeshje me Italinë). Përse Rizaja nuk ka luajtur në ndeshjen e 1 dhjetorit me Hungarinë? Kësaj ende nuk jemi në gjendje t’i përgjigjemi.

E, këtu i kthehem prap kujtimeve të Shkodrës e të Tiranës. Të vjetrit thoshin se Lushta ka luajtur me kombëtaren e Italisë. Disa prej tyre thoshin se është grumbulluar me kombëtaren Italiane, madje ka dalë në fushën e lojës disa minuta para se ajo ndeshje të zhvillohej, por gjoja publiku italian në stadium paska thirrur që të mos luajë shqiptari. Hamendje “e bukur” për t’u besuar. Dikush tjetër, ka thënë se vetëm trauma e ka penguar Riza Lushtën të hynte në fushën e lojës në 11-shin e Kampiones së Botës kundër Hungarisë. Sidoqoftë, me vite askush nuk ishte në gjendje të provonte Lushtën në kombëtaren e Italisë. Derisa do të mbërrinim te albumet e nipit të tij, i përkujtueshmi fisnik Mehmet Lushta, për fat i ndarë papritmas nga jeta.

Variantet e mësipërme bëhen vërtet “dëfryese”, e mbase nuk mund të hidhen lehtë poshtë. Dhe sot, ndërsa kemi zbuluar dhe botuar historinë e tre Kampionateve kombëtare të Luftës (1939, 1940,1942) provohet qartë se mbas diskutimeve disi të forta, Italia ka hequr dorë përfundimisht nga përfshirja e sport-klub Tiranës, Vllaznisë së Shkodrës, Teutës së Durrësit apo Skënderbeut të Korçës në kampionatin e Serie B të Italisë siç qe propozuar e diskutuar fort. Dhe befasisht ka organizuar këto tre kampionate tona kombëtare, për të devijuar paksa nga politika pushtuese, duke ruajtur të paktën nga jashtë “pavarësinë” etnike, kulturore, historike të Shqipërisë, qoftë edhe përmes këtij shembulli të organizimit të Kampionatit Kombëtar Shqiptar. Duke u nisur nga diçitura e fotove tona që përmend ditën e enjte, kur kujton se ndeshja është zhvilluar më 1 dhjetor 1940, që ka qenë një ditë e diel, në foto duhet të jemi në të enjten e 21 nëntorit 1940 dhe jo në të enjten e 28 nëntorit 1940, për sa kohë shtypi thotë “Primo apello azzurro” dhe përmend ditën e enjte.

Kjo ta do mendja të jetë e enjtja e stërvitjes së parë, asaj të 21 nëntorit. Për Lushtën gjithçka, pra mosluajtja, është përcaktuar gjatë këtyre 9 ditëve larg ndeshjes me Hungarinë. Nuk përjashtohet edhe një variant i tretë i mosluajtjes: ndërrimi i mendimit të trajnerit Pozzo, gjithmonë enigmatik deri ditën e ndeshjes. Ai e ka thirrur Riza Lushtën në “Primo apello azzurro”, e ka përzgjedhur, e ka grumbulluar. Dhe e ka përfshirë në 11-shin e parë të Firences 9 ditë para ndeshjes me Hungarinë, një ndeshje përgatitore ku së bashku me Riza Lushtën janë dhe Silvio Piola e Kampionë të tjerë të Botës. Them se është shumë e rëndësishme për të kuptuar sot, mbas 80 vjetëve, madhështinë, talentin dhe arritjen e pabesueshme të këtij djaloshi shqiptar të Mitrovicës së Kosovës i formuar si futbollist nga sportklub Tirana e Shqipërisë, për të cilin sot e kësaj dite ShqipëriaNanë nuk ka ende të paktën një stadium me emrin e tij! Madje as edhe një turne me emrin e tij! Por edhe të Naim Kryeziut. “Do ta trajtoj këtë dukuri” – e po të duash quaje ‘çështje’ – në pjesën vijuese të këtyre ‘tregimeve’ – çka ky 80 vjetor i rrallë më nxit fort”. 8. Viti 2020: Lushta, gjithnjë midis 30 shënuesve më të mirë të Juventusit Sot, në këtë vit 2020 të shekullit XXI, ende Riza Lushta është midis 30 shënuesve më të mirë të të huajve të të gjitha kohërave të Juventusit në kampionatet italiane. Kur mendon se janë gati 1500 futbollistë të huaj të cilët kanë luajtur në Itali, dhe që shumica e tyre janë sulmues, përfshirja e Lushtës në kryeshënuesit e Juventusit, na bën të kuptojmë edhe më mirë se çka ka qenë ky fenomen i futbollit shqiptaro-italian, pionier në ndërkombëtarizimin e sportit shqiptar në Europë. Por le t’ia lëmë fjalën asaj që quhet histori statistikore, botuar në këtë vit 2020 nga UEFA mbas sezonit 2019-2020. Është një lloj “libri i artë” i golashënuesve më të mirë të Juventusit në të gjitha vitet, në këtë rast madje, ata italianë dhe ata të huaj së bashku. Kryeson Alessandro Del Piero me 289 gola. Tek është:

  1. Alessandro Del Piero (ITA): 289
  2. Giampiero Boniperti (ITA): 179
  3. Roberto Bettega (ITA): 178
  4. David Trezeguet (FRA): 171
  5. Omar Sivori (ARG): 167
  6. Felice Borel (ITA): 158
  7. Pietro Anastasi (ITA): 130
  8. John Hansen (DEN): 124
  9. Roberto Baggio (ITA): 115
  10. Federico Munerati (ITA): 113
  11. John Charles (WAL): 105
  12. Michel Platini (FRA): 104
  13. Guglielmo Gabetto (ITA): 102
  14. Paulo Dybala (ARG): 93
  15. Filippo Inzaghi (ITA): 89
  16. Raimundo Orsi (ARG): 88
  17. Giovanni Ferrari (ITA): 79
  18. Franco Causio (ITA): 72
  19. Ermes Muccinelli (ITA): 69
  20. Vittorio Sentimenti (ITA): 69
  21. Fabrizio Ravanelli (ITA): 68
  22. Pavel Nedvìd (CZE): 65
  23. Gonzalo Higuaín (ARG): 64
  24. Bruno Nicolè (ITA): 63
  25. Gino Stacchini (ITA): 60
  26. Giampaolo Menichelli (ITA): 59
  27. Riza Lushta (ALB): 56
  28. Cristiano Ronaldo (POR): 55
  29. Renato Cesarini (ITA): 53
  30. Pietro Pastore (ITA): 53
  31. Gianluca Vialli (ITA): 53

RIZA LUSHTA (1)

Siç shihet, Lushta, deri në sezonin e fundit, këtë 2019-2020 është i 27-ti me 56 gola.

Ritmika e tij me tri vitet e para me Juventusin, është galopante:

1940-‘41: 9 golashënuesi i dytë për Juventusin!

1941-‘42: 16 golashënuesi i parë për Juventusin!

1942-‘43: 17 golashënuesi i dytë për Juventusin!

Dhe në dy rastet e fundit Riza Lushta është shënuesi i tretë i Kampionatit Italian për të gjithë skuadrat dhe për të gjithë lojtarët. Po të llogarisim mandej mesataren e golave për ndeshje, Lushta është në panteon: është midis 5 juventinëve më të mirë në këtë tregues për të gjitha kohërat! Shkojmë tash te renditja për lojtarët e huaj juventinë. Do të shohim se Lushta ngrihet edhe më lart. Ai është në 10 shënuesit më të mirë të huaj, ku i 11-ti është Cristiano Ronaldo – më i miri i botës 2020. Tek janë pra, këta 11 shënues më të mirë të lojtarëve të huaj të Juventusit deri më 2019-‘20:

  1. David Trezeguet (FRA): 171 gol
  2. Omar Sivori (ARG): 167 gol
  3. John Hansen (DEN): 124 gol
  4. John Charles (WAL): 105 gol
  5. Michel Platini (FRA): 104 gol
  6. Paulo Dybala (ARG): 93 gol
  7. Raimundo Orsi (ARG): 88 gol
  8. Pavel Nedvìd (CZE): 65 gol
  9. Gonzalo Higuaín (ARG): 64 gol
  10. Riza Lushta (ALB): 56 gol
  11. Cristiano Ronaldo (POR): 55 gol

Të mendosh ndërkaq, se bën pjesë në një dhjetëshe të tillë shekullore për 80 vjet pa ndërprerje, është vërtet fantastike. Duke shtuar se nuk është fjala për një futbollist me origjinë shqiptare dhe i lindur, rritur e formuar në Itali. Por është fjala për një futbollist “puro sangue” të Mitrovicës shqiptare, i rritur e formuar si i tillë prej një skuadre shqiptare. Madje, plot 4 herë Kampion i Shqipërisë me të. Që dihet se është sport-klub Tirana jonë po e famshme. Për historinë tonë ka mjaftuar edhe ky zbulim i fotove të marra nga albumi personal, i kompozuar me aq kulturë e shije prej vetë Riza Lushtës, ky Kampion i famshëm i sport-klub Tiranës, më parë nxënës i Teknikës së Tiranës, 4 herë kampion i Shqipërisë me sport-klub Tiranën, e mandej fitues i Kupës së Italisë me Juventusin, për t’u bindur se çka qe “fenomeni Riza Lushta” për historinë tonë, të futbollit tonë modest. Por i aftë të lindë e të formojë kolosë të tillë të cilët mëtonin deri fanellën e kombëtares së Italisë – Kampione e Botës në fuqi. Mbetet i paarritshëm për ne edhe sot e kësaj dite, mbas bukur 80 vjetëve. 9. Riza Lushta “fiton” Kupën e Italisë 1942 Dhe po shkruaj se “e fiton” ai sepse janë 3 golat e tij historikë ndaj Milanit që e bënë të mundur një gjë të tillë. Ngjarjet e bujshme për sot e kësaj dite, për dy shqiptarët e mëdhenj të Seria A të Italisë, për Lushtën e Kryeziun, kanë ndodhur brenda të njëjtit vit (1942) dhe brenda të njëjtit muaj (qershor) të këtij viti. Më 14 qershor 1942, Naim Kryeziu shpallej Kampion i Italisë me Romën dhe 14 ditë më vonë mbas triumfit të Kryeziut, më 28 qershor 1942, data është po kaq historike: Riza Lushta i jep Kupën e Italisë Juventusit me tre golat e tij të rrufeshëm në finalen kundër Milanit. Kishte qenë ndër më të mirët e Serie A edhe në kampionatin e sapopërfunduar, i fituar nga Roma e shokut të tij Naim Kryeziu dhe me 16 gola të shënuar ishte midis kryeshënuesve të Kampionatit. Kupa e Italisë 1941-42 ka filluar më 5 tetor 1941 me dy ndeshje paraeliminatore. Juventus del në fushën e lojës më 12 tetor 1941 në ndeshjen e parë për të 1/16 në Torino kundër Pro Patria-s. Është një 5-0 i papërmbajtshëm, ku shpërthimi i Lushtës shfaqet nën tonet e shënimit të tre golave të tij brenda 11 minutave (75- 86). Në 1/8 finale, Juventus fiton ndaj Genoa-s 2-1, e të dy golat janë të Lushtës në minutat 12 dhe 81. Mandej, më 21 qershor 1942 është ndeshja e parë finale Milano (kështu shkruhej asokohe) – Juventus. Është 1-1. Mbas shtatë ditëve në Torino vjen kthimi dramatik.

Këtu është kulmi i Riza Lushtës. E hap ai serinë e golave në të 29’, e çon në dy Sentimenti III me 11-metërsh, shkurton Boffi për Milanin në të 56’ dhe për 13 minuta rezultati mbetet disi pezull, duke dyshuar në përsëritjen e rezultatit të Milanos. Por Lushta është i papërmbajtshëm dhe brenda tri minutave (69’, 71’) ai shpërthen në dy golat e tjerë të tij që hyjnë në histori: 4-1! Juventusi fiton një nga kupat më të bukura në historinë e tij, falë lojës së mrekullueshme të shqiptarit. “La Gazzetta dello Sport” e Milanos, në nji titullim “mrekullitë e Lushtës”, gjithnjë përkthyer prej Anton Mazrrekut, shkruan: “Enthuzjazmin dhe duartrokitjet i shkaktoi gadi gjithmonë Lushta me mrekullitë e veta në seri, me fintet, me dredhimet, me gjuejtjet, dhe me golat e vet. Nuk e teprojmë aspak po të thomi se qendërsulmuesi bardhezi e ka decidue ndeshjen. Shënoi tre gola – e çfarë golash! – dhe goli tjetër (ai i shkelmit të rreptësis-nënkupto 11-m) asht krijue prej nji veprimi krejtësisht të tij”. Mandej, kur e merr pendën trajneri legjendar i kombëtares së Italisë, Vittorio Pozzo, ai ka për të shkruar këto radhë të pashlyeshme në “La Stampa”: “Në ma të parën rradhë ndër auktorët e këtyne mrekullive individuale, Lushta. Fitimi i Juventus-it në lojën e djeshme, e ka emnin Lushta. Ndeshja Juventus – Milano ka qenë ndera e nderi i qendërsulmuesit bardhezi. Temperatura e nxehtë dhe gjendja shumë e mirë e fushës e transportuen aty për aty lojtarin shqiptar n’ambjentin ma të përshtatun të punës dhe të frytit të tij. Shkathtësija, zotnimi i topit, aftësija dhe sigurimi i gjuajtjeve, besimi në vetvete ju kthyen si me magji repertorit tekniko – moral të këtij athleti. Lushta shënoi tre ndër katër golat e skuadrës së tij, shkaktoi të katërtin, ate të shkelmit të rreptësisë (11-m), rrahi shtyllën kur qe i mujtun portjeri, u dha jetë të gjitha veprimeve sulmuese ma të randësishme të vijës së parë bardhezi.” “… Qendërsulmuesi juventin, – vazhdon Vittorio Pozzo në “Il Calcio Illustrato”, – ka qenë njeriu i ditës. E ka ba çdo gja ai vetë. Vetë ai ka vendosë fatin e përfundimit të ndeshjes. Ka shënue tri gola, ka ba që të shënohet i katërti, do të kishte mujtë me korrë edhe një gol të pestë. Aq sa na bahet me mendue se çdo të kishte ngja, sikur mos t’ishte ndodhë në nji gjendje kaq të ndritëshme”. Lexojini me vëmendje këto radhë të përkthyera prej Mazrrekut. E përsëris botimin e tyre edhe këtu, jo vetëm për hir të një stili mahnitës gazetarie, por sepse nuk duhet të harrohen kurrë. Aq më tepër që autori i këtyre përcaktimeve për Lushtën, është Vittorio Pozzo – legjenda e trajnerëve i cili i dha Italisë dy tituj të Kampiones së Botës. Njeriu i cili kishte guxuar të përzgjidhte dhe ta thërriste në Kombëtarten e Italisë, Riza Lushtën ose Riza Pashën, siç e kishte mbiemëruar “Guerin Sportivo” e kohës. Skeda e ndeshjes finale të Kupës së Italisë 1942 është kjo:

 

JUVENTUS – MILANO 4-1

28.06.1942. Torino. St. “Mussolini”.

GOLAT: Lushta 29’, Sentimenti III 34’ (11-m), Boffi 56’, Lushta 69’, Lushta 71’

JUVENTUS: Peruchetti – Foni, Rava – Depetrini, Parola,

Locatelli – Colaneri, Varglien II, Lushta, Sentimenti III, Bellini.

TRAJNER: Monti.

MILANO: Rosetti – Boniforti II, Guagnetti – Antonini I, Remondini I, Toppan – Trapanelli, Todeschini, Boffi, Capello IV, Rosellini.

TRAJNER: Magnozzi II

Në këtë Juventus, datuar 28 qershor 1940, janë tre kampionët e mëdhenj të botës 1938, Foni, Rava, Locatelli. Por dhe Peruchetti, Depetrini, Parola, Varglien që e çojnë në 7 numrin e lojtarëve të kombëtares së Italisë. Me ta edhe Riza Lushta – golashënuesi më i mirë i Kupës së Italisë 1941- ‘42 me 8 gola. Në tanësi Lushta në Kupën e Italisë, ka bilancin10 ndeshje dhe 9 gola duke mbetur një nga 20 shënuesit më të mirë juventin në gjithë historinë e Kupës. Dhe nëse do të bënim renditjen e mesatares së golave për ndeshje: 10 ndeshje, 9 gola, ajo del 0.90 gola për ndeshje, mesatare që e vë Riza Lushtën si shënuesin me kuotën më të lartë midis gjithë të mëdhenjve të Kupës së Italisë për sot e kësaj dite. Për fatin e rrallë, madhështinë e futbollit të Lushtës, madje edhe të Kryeziut, një mbrëmje marsi 1984 ma ka pohuar në Hotel “Dajti” të Tiranës edhe një bashkëlojtar i tij me skuadrën e Forli-t, më pas një gazetar i madh: Sandro Ciotti. Kishte ardhur së bashku me nja 30 gazetarë italianë për ndeshjen e një të katërtave të finales Shqipëri – Itali të 21-vjeçarëve. Ngjarja kjo e jashtëzakonshme e skuadrës sonë e trajnerit Ramazan Rragami – midis 8 më të mirave të Europës – rekord për sot e kësaj dite. Pyeta Ciotti-n: – Zotni Ciotti. Ne në Shqipëri, nga më të vjetrit kemi mësuar se Lushta dhe Kryeziu kanë qenë thuajse të barabartë me lojtarët më të mirë të Italisë së asokohe, që ishte shteti kampion i botës. A mund të qëndrojë ky gjykim? Ciotti vuri buzën në gaz dhe tha: – Pa asnjë dyshim të tillë kanë qenë. Unë kam pas fatin të luaj me Lushtën së bashku me klubin Forli. Ndërsa Kryeziun si kampion i vitit 1942, e intervistova për “RAI”-n tash së fundi (1983) kur Roma fitoi titullin e Kampionit të Italisë mbas 41 vjetëve. Ndoshta e keni dëgjuar?…? Dhe po e mbyll këtë “tregim nr. 9”, si një epilog paraprak, me skeda e pjesëmarrjeve në kampionate të Riza Lushtës, e plotësuar edhe më tej në këtë botim të sotëm:

4

Siç shihet, historia tanësore skeduese e Riza Lushtës, me ndonjë mungesë ende për t’u zbuluar, është impresionuese, teksa ndalesh mbi të. Kjo është historia statistikore e plotë e Riza Lushtës në kampionatet kombëtare të tri shteteve: Shqipëri, Itali, Francë. Do të takohemi me risi të tjera në pjesën III, të fundit të këtij studimi.

Për vazhdimësi shih pjesën e parë në “Panorama Sport”, 9 dhjetor 2020 * Botimi është ekskluzivitet i “Panorama Sport”. Asgjë nga ky botim studimor nuk mund të ribotohet prej dikujt pa lejen e redaksisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"