“Ai është kandidati kryesor”, Horner: Janë 16 vetë gati që duan t’i zënë vendin pilotit tonë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 18, 2024 | 14:43

“Ai është kandidati kryesor”, Horner: Janë 16 vetë gati që duan t’i zënë vendin pilotit tonë

Skuderia e Red Bull po prodhon lajme si në pistë, ashtu edhe jashtë garave të Formula 1. Situata nuk është aq e qetë sa duket pavarësisht paraqitjeve të mira në pistë këtë sezon (dy fitore). Çështja “Horner” ka krijuar mjaft paqartësi në lidhje me të ardhmen si të vetë drejtuesit ashtu dhe të pilotëve të makinës kampione sezonet e fundit.

horner

Maks Vershtapen ka një kontratë deri në vitin 2028 me Red Bull, ndërsa ajo e Serxhio Perez skadon në fund të këtij viti. Teorikisht, makina austriake kërkon vetëm një pilot për vitin tjetër edhe pse mund të konfirmohet meksikani, që në dy garat e para është renditur i dyti, duke përmbushur më së miri misionin e tij.

Gjithsesi, asgjë nuk është e pamundur të ndodhë, duke parë lëvizjen e Ljuis Hemilton nga Mercedes te Ferrari vitin 2025. Kjo mund të thotë se edhe Vershtapen mund të lërë Red Bull pas polemikave brenda skuadrës, për të shkuar te Mercedes apo Aston Martin.

Megjithatë, Horner nuk duket i shqetësuar për pilotët që do të ketë Red Bull sezonin e ardhshëm. Për këtë çështje, ai thotë: “Ne kemi një makinë fenomenale dhe kemi një vend të lirë për vitin e ardhshëm. Kandidatë për vendin e Perez janë ndoshta 16 pilotë. Të gjithë dëshirojnë të jenë në atë makinë për vitin e ardhshëm. Për mua, Perez është në ‘pole position’ për të qenë sërish këtu me ne edhe vitin tjetër. Ai është kandidati kryesor, por fillimisht ai duhet të konfirmojë vendin e tij këtu.”

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"