Ahmetaj: Të gjithë sforcohen ndaj nesh, Egnatia nuk e lëshon kreun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 14, 2024 | 9:50

Ahmetaj: Të gjithë sforcohen ndaj nesh, Egnatia nuk e lëshon kreun

Egnatia po zhvillon një sezon pozitiv pasi përtej faktit që ka dominuar kampionatin, është në garë edhe për trofeun e Kupës së Shqipërisë. Në gjysmëfinale të këtij kompeticioni do të luajë me Vllazninë, ekipin më në formë në muajt e fundit.

ahmetaj2

Në një intervistë për “Panorama Sport”, lojtari i rrogozhinasve, Alesandro Ahmetaj, shprehet se pavarësisht një momenti “jo” në kampionat, ekipi rrogozhinas nuk ndjen aspak presion. Mesfushori me tipare sulmuese shtoi se Egnatia do të arrijë që në fund të sezonit të marrë atë që synon.

Si është atmosfera tek Egnatia, pasi nuk fitoni prej 6 sfidash?

Situata psikologjike është ajo e fillimit të sezonit. Ekipi, pavarësisht se nuk ka arritur të marrë pikët që i takojnë, është munduar të shprehet mjaft mirë në fushën e lojës. Është fakt që kemi dominuar çdo kundërshtar, duke qenë superior, por në këtë periudhe nuk kemi pasur fatin me vete. Me Tiranën u ndëshkuam nga një episod tejet i dyshimtë ndonëse e kishim ndeshjen në kontroll në çdo moment. Futbolli i ka periudhat “jo” dhe ne po mundohemi çdo ditë që ta kapërcejmë këtë moment për ta parë me qetësi fundin e këtij sezoni. Skuadra po stërvitet mirë dhe besoj se jemi në rrugën e duhur për të mbërritur aty ku dëshirojmë.

Në Kupë do të përballeni me Vllazninë, jeni i kënaqur me shortin?

Për ne nuk ka asnjë problem se kush është ekipi që do të kemi përballë. Të gjitha ekipet që kanë mbërritur deri në gjysmëfinale kanë padiskutim meritën e tyre. Këtu diferencat thuajse nuk ekzistojnë, pasi çdo sfidë ka vështirësitë e veta. Vllaznia është duke bërë mirë por ne kemi treguar se mund të mposhtim këdo. Me shkodranët kemi një bilanc pozitiv, edhe pse pak ditë më parë u mposhtëm në transfertë. Nuk merituam kurrsesi të humbisnim, por futbolli ky është, jo gjithmonë fiton ekipi më i mirë. Tani llogaritë do të jetë krejtësisht tjera, edhe pse luhet me ndeshje vajtje-ardhje. Mendoj që tani fokusi është kampionati, na duhet t’i analizojmë ndeshjet një e nga një.

Këtë javë luani me Skënderbeun në Korçë, çfarë synoni nga ky duel?

Është një nga nëntë finalet që kemi në kampionat dhe jemi munduar që gjatë këtyre ditëve të punojmë intensivisht në çdo seancë. Jemi koshientë që na pret një përballje e vështirë, por ne do të futemi në fushë vetëm për tri pikët. Ka ardhur momenti që të kthehemi te fitorja dhe këtë do ta kërkojmë deri në fund me Skënderbeun. Ekipi gëzon një formë të mirë sportive dhe ky është një motiv i rëndësishëm që t’i marrim vetes maksimumin në çdo takim të mundshëm.

A do ta ruajë Egnatia vendin e parë në klasifikim?

Ne jemi në krye të klasifikimit prej shumë javësh duke dominuar me lojë dhe rezultate pozitive. Fakti që kemi kryesuar me meritë dëshirojmë që këtë rrugëtim të nisur ta mbyllim duke udhëhequr. Kundër nesh të gjithë motivohen të japin maksimumin, por kjo nuk na demotivon, përkundrazi është një shtysë. Skuadra i ka të gjitha mundësitë për të vijuar kryesimin, siç ka bërë deri tani.

Cilin shikoni rivalin kryesor për titullin, Partizanin apo Vllazninë?

Janë dy ekipe, që kanë cilësi dhe objektiva këtë sezon. Ne kemi vlerësim për ecurinë e tyre, por aspak frikë për asnjë rival. Kemi treguar se nëse arrijmë të bëjmë lojën tonë, nuk na ndal askush. Fati i rivalitetit do të përcaktohet në takimet teke. Aty mendoj se me shumë gjasa do të jetë Partizani dhe Vllaznia. Ne jemi të përqendruar te rrugëtimi ynë.

ISA HALILI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"