Ahmataj: Duam të tregojmë veten, ndaj Teuta prisni një Skënderbe të bukur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 4, 2020 | 9:44

Ahmataj: Duam të tregojmë veten, ndaj Teuta prisni një Skënderbe të bukur

Pas fitores në Kupë ndaj Tomorit, Skënderbeu do të udhëtojë drejt Durrësit për të luajtur takimin e javës së parë të kampionatit ndaj Teutës. Korçarët do të kërkojnë të mos dalin pa pikë nga kjo transfertë e vështirë, për shkak të kërkesave të larta që ka Teuta këtë sezon. Për trajnerin Julian Ahmataj kjo do të jetë ndeshja që do të tregojë fytyrën e vërtetë të Skënderbeut dhe atë çfarë ky ekip mund të bëjë këtë sezon. Ahmataj është beson te paraqitja e mirë e të tijve në këtë takim dhe kthimin me pikë në Korçë.

Ahmataj

Ahmataj, ndaj Tomorit fituat, por nuk shkëlqyet. Çfarë ndodhi?

Ishte dalja jonë e parë në Korçë dhe normalisht do të kishim disa probleme. Siç e shpjegova edhe pas ndeshjes me Tomorin ekipi ishte ngarkuar me një presion artificial, pasi ktheheshim në Korçë pas një mungese të gjatë, kështu që fitorja dhe paraqitja e parë për ne ishte detyrim për të qenë e mirë. Kjo ndoshta na diktoi disi në atë që ekipi mund të bënte në fushën e lojës. Por, të jeni të bindur se forca e Skënderbeut nuk është e gjitha ajo që patë këtë takim Kupe.

Teuta është një ekip që është forcuar shumë. Si e shikoni si kundërshtar?

Po, është e vërtetë, Teuta ka bërë afrime cilësore dhe ka krijuar një ekip që gëzon respektin e të gjithëve. Është një ekip i fortë dhe mjaft cilësor, të paktën në letër. Nuk është se e njohim shumë, pasi duhet ta shikojmë në fushë se si shprehet ky ekip dhe ku i ka pikat e dobëta dhe ato të forta. Prandaj, do të mundohemi që një përgjigje të tillë ta marrim gjatë rrugës.

Si shkon Skënderbeu në këtë takim?

Morali ynë është i lartë, jemi një ekip i ri dhe duam të tregojmë forcën tonë. Çdo lojtar kërkon të shfaqet mirë dhe të bëjë maksimumin. Kjo është ajo që më bind. Deri diku jemi të plotë, përveç mungesave që tashmë dihen, por kësaj liste i është shtuar edhe Taipi. Gjithsesi, jemi këtu për të treguar se kemi bërë një punë të mirë gjatë kësaj periudhe dhe normalisht që do ta shprehim që në ndeshjen e parë.

Transferta e Durrësit për Skënderbeun ka qenë gjithnjë e fortë. Do të ishit i kënaqur me një pikë?

Nuk është e drejtë që të bëjmë llogari paraprake se sa pikë duam dhe sa pikë kërkojmë të marrim. Kjo do të ishte një minus për ne. Ne do të shkojmë atje për të bërë më të mirën tonë dhe ky është objektivi ynë afatshkurtër. Të japim maksimumin ndeshje pas ndeshjeje dhe të tregojmë vlerat tona. Prandaj, do të hyjmë në fushë me qëllim që të japim më të mirën. Më pas, në varësi të asaj çka do të japim, do të shohim se çfarë kemi arritur të marrim.

Skenderbeu Ahmataj

Në ndeshjen e fundit u duk sikur elementë të caktuar luanin individualisht. Ju shqetëson kjo?

Jo, ne funksionojmë si grup dhe kjo është e dukshme, por edhe nëse ka momente kur individët dalin në pah, nuk është gjë e keqe, përkundrazi. Ne prandaj i kemi zgjedhur këta lojtarë, edhe për shkak të shprehive të tyre individuale.

Çfarë Skënderbeu do të shohim në Durrës?

Do të mundohemi të jemi të përqendruar në maksimum. Do të shikoni një ekip të bukur në lojë, që bën presion lart dhe mundohet t’i imponohet kundërshtarit.

Zgjodhët të qëndronit në Korçë këto ditë. Pse?

Kemi punuar gjatë me bar sintetik dhe donim të ambientoheshim me barin natyral për të mos pasur probleme siç kishim në ndeshjen ndaj Tomorit. Besoj se gjithçka do të shkojë më së miri.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"