Agolli: Për Tiranën do jepja kontribut edhe në të Parën! Xhaka? Detyrime vetëm ndaj flamurit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 4, 2017 | 16:37

Agolli: Për Tiranën do jepja kontribut edhe në të Parën! Xhaka? Detyrime vetëm ndaj flamurit

Kupat dhe kampi onatet sezonale në Azerbajxhan janë bërë tashmë të zakonshme për karrierën e Ansi Agollit. Sezonin e shkuar, pas pjesëmarrjes në fazën e grupeve të Europa Ligës, mori pjesë edhe në “Euro 2016”. Gjithsesi, kapiteni i Kombëtares është ende i uritur për suksese dhe ka objektiva të qarta në mendje për të realizuar.

Agolli konference

Sezoni ka nisur mbarë, pasi Karabaku i tij u kualifikua në fazën “Play Off” në Champions dhe është vetëm dy ndeshje larg grupeve. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mbrojtësi dhe kapiteni kuqezi rrëfen sekretin e suksesit me skuadrën, formën e tij megjithëse në moshën 34-vjeçare dhe dëshirën për të luajtur në nivelin më të lartë të kompeticioneve europiane për klube.

Agolli dhe Nagatomo

Kapiteni kuqezi komenton shkurtimisht edhe çështjen e ditëve të fundit mes Xhakës dhe trajnerit të ri të Kombëtares duke treguar edhe detyrimet që ka gjithsecili që është në ekipin përfaqësues.

agolli

Ish-mbrojtësi i skuadrës më të titulluar në vend, flet edhe për atë që u ndodhi 24 herë kampionëve të vendit, Tiranës. “Nëse nuk do isha në rrethana që jam sot, pra duke luajtur jashtë Shqipërisë për një objektiv madhor siç është Championsi, pa diskutim që do jepja kontributin tim qoftë edhe në Kategorinë e Parë”, tregon ndër të tjera Agolli.

U kualifikuat në fazën “Play Off” në Ligën e Kampionëve…

Çdo gjë ka ardhur në mënyrë graduale. Nga viti në vit, skuadra ka bërë progres duke marrë rezultate të mira në grupet e Europa Ligës. Tashmë kemi hedhur një hap tjetër të rëndësishëm duke arritur fazën e “Play Off”-it në Champions. Nuk dua që të nxitohem në deklarata pasi dihet që në këtë fazë, ka skuadra mjaft të forta. Le të shohim fillimisht shortin dhe rivalin që do të kemi, e më pas t’i marrim gjërat hap pas hapi.

Ansi agolli

A është gati Karabak për të arritur grupet e Championsit?

Çdokush mendon se është gati, edhe atëherë kur nuk është. Megjithatë, është mirë që këtë gjë ta tregojmë në fushën e lojës.

Vitet ju shtohen, por Agolli është ende protagonist si në ndeshjen e fundit me atë asist te goli i dytë. Cili është sekreti i formës suaj?

Nuk ka ndonjë sekret specifik, thjesht stërvitem mirë. Mundohem që të mbaj një regjim po ashtu të mirë dhe jap maksimumin fillimisht në stërvitje dhe pastaj edhe në ndeshje. Serioziteti në stërvitje është kryesor dhe për më tepër, objektivi që ka skuadra më jep shtysë që të jem gjithmonë në kërkim të formës time më të mirë.

Agolli

A keni preferencë personale për fazën “Play off”, ndonjë emër të madh?

Secila skuadër në këtë fazë është e fortë. Normalisht që çdo ekip shpreson të ndeshet me kundërshtarin më të dobët, por në këtë fazë nuk ka një të tillë. Tashmë, çdo rival i mundshëm është i mirëorganizuar, me buxhet disa herë më të madh sesa i skuadrës sonë dhe gjithashtu edhe me më shumë eksperiencë në Europë.

Është përzgjedhur Panuçi si trajneri i ri i Kombëtares, i cili është shfaqur optimist. Mendoni se uria e tij për sukses do të ndihmojë përfaqësuesen të arrijë maksimumin e saj?

Besoj që po. Trajneri i ri në një skuadër sjell një shkëndijë të re në grupin e lojtarëve. Lojtarët motivohen më shumë për të dhënë maksimumin e për t’i treguar trajnerit që e meritojnë të jenë aty. Dëshira dhe uria e Panuçit përputhet edhe me grupin e lojtarëve, të cilët kanë akoma uri për të bërë përpara. Pse jo, edhe për të synuar kualifikimin në “Euro 2020”.

Panuci dhe Bulku

Së fundmi, ka ndodhur një episod mes Panuçit dhe Taulant Xhakës. Lojtari ka refuzuar ta takojë, edhe pse tekniku ka udhëtuar drejt Zvicrës. Komenti juaj si lojtar me përvojë dhe si kapiten?

Rreth kësaj çështjeje nuk jam i sigurt sepse çdo informacion e kam marrë nga mediat dhe prandaj nuk mund të prononcohem.

De Biazi e ka deklaruar gjithmonë se Xhaka e ka problemin me shokët e skuadrës dhe jo me atë personalisht. Për grupin e lojtarëve, a ka Xhaka ndonjë detyrim, qoftë edhe moral?

Asnjëri në skuadër nuk ka detyrime morale kundrejt asnjërit. Detyrimi që ne kemi është kundrejt fanellës dhe flamurit që kemi të stampuar në fanellë afër zemrës, aty ku e ka vendin.

xhaka

Keni shumë përvojë në Kombëtare dhe keni parë trajnerë që dorëhiqen pas rezultateve të dobëta, apo që shkarkohen për këtë arsye. Çfarë përshtypjesh ju la largimi i De Biazit pas fitores në Izrael?

De Biazi e pati deklaruar edhe më parë që ky do të ishte edicioni i fundit. Pavarë- sisht se ndodhi 4 ndeshje para se të mbyllej edicioni, misteri iku si fitues. Jo vetëm se fitoi ndeshjen me Izraelin, por për çdo gjë që ai bëri në Kombëtaren tonë. Besoj që emri i tij do të mbahet mend gjatë në kujtesën e shqiptarëve e për këtë meriton vetëm respekt.

Për herë të parë në histori, Tirana do të luajë në Kategorinë e Parë. Çfarë ndjesie ju vjen kur e dëgjoni këtë gjë?

Trishtim! Nuk kam se çfarë të them më shumë sesa kaq.

Nëse rikthehemi pas në sezonin që u mbyll, kush janë disa nga shkaqet që e çuan deri në atë pikë?

Sezoni që lamë pas, ishte vetëm maja e ajsbergut. Pa bërë shumë teori, mendoj se duhet të reflektohet. Shumë madje! Tirana është klubi më i titulluar në Shqipëri dhe nuk meriton të jetë aty. Të paktën për respekt të kupave dhe shumë e shumë figurave që kanë kontribuar për atë klub. Uroj me zemër që çdo gjë do të rregullohet dhe Tiranën ta shohim aty ku i takon.

agolli

A do të ishit i gatshëm që të luanit në Kategorinë e Parë me të?

Nëse nuk do isha në rrethana që jam sot, pra duke luajtur jashtë Shqipërisë për një objektiv madhor siç është Championsi, pa diskutim që do jepja kontributin tim qoftë edhe në Kategorinë e Parë.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"