Bekim Bala: Ju tregoj sekretin e kryeveprës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2014 | 8:27

Bekim Bala: Ju tregoj sekretin e kryeveprës

Bala shenon golin e fitores se madheËshtë e vështirë të bëhesh hero për 90 minuta, ndërkohë që deri para ndeshjes konsiderohesh si alternativë e katërt. Të paktën kjo ide qarkullonte në opinionin sportiv, por jo në atë të De Biazit. Ky i fundit i befasoi të gjithë kur vendosi shkodranin në majën e sulmit përballë Portugalisë. Balaj nuk kishte luajtur asnjëherë titullar. “M’u krijua bindja se De Biazi e kishte fiksuar në kokë formacionin para se të niste grumbullimi”, thotë Balaj për “Panorama Sport”. Më tej ai flet edhe për duelin me Pepen dhe “kërcënimet” e mbrojtësit të Realit deri para se të shënonte golin.
Bekim, si ndiheni 1 ditë pas atij goli të madh dhe pas asaj fitoreje të madhe?
I lodhur disi prej udhëtimit, por i lumtur. Realisht shumë i lumtur. Nuk ndodh shpesh që të përjetosh momente si këto.
A ishte ky goli më i bukur në karrierë?
Ishte më i rëndësishmi. Po, pa diskutim më i rëndësishmi.
A e kishit menduar se do ta vulosnit ju fitoren në Portugali?
Kisha shpresa që të shënoja, por jo që të vendosja unë fitoren. Tani që shoh reagimin e njerëzve nga Shqipëria e kuptoj se çfarë kam bërë… (qesh).
Si ka mundësi gjithë ky katapultim?
Nuk e kuptova, ku doni të dilni?
Çfarë ndodhi këtë herë që nga një sulmues i katërt arrini të parakaloni disa kolosë të sulmit kuqezi si Salihi dhe Kapllani. Si e bindët De Biazin për vendin e titullarit?
Eh, unë realisht jam në formë shumë të mirë. Kam luajtur rregullisht dhe gjatë gjithë kësaj kohe kam qenë në kontakte me De Biazin, por më së shumti me asistentët e tij. Ata ishin në dijeni gjithnjë të gjendjes sime, të performancës sime në çdo ndeshje.
Vetëm kaq mjaftoi që ta bindnit?
T’ju them të drejtën mua m’u krijua bindja se De Biazi e kishte ndarë formacionin në mendjen e tij që ditën e parë të grumbullimit, ose ndoshta edhe më parë.
Pse mendoni kështu?
Sepse e nisi punën me ide më të qarta se kurrë. Filloi që ditën e parë të skiconte formacionin dhe më pas nuk ndryshoi asgjë. Ishte shumë i vendosur në atë që po bënte.
A pati ndonjë bisedë mes jush para ndeshjes? Le të themi ndonjë bisedë motivimi….?
Jo, nuk pati një të tillë, por e kuptova që ditën e parë se kishte shumë besim tek unë.
Çfarë ndodhi pas golit. U patë që u përqafuat pas disi me Pepen dhe ai qeshte…?
Eh, histori pak e ndërlikuar…
S’ka problem, ju jeni heroi dhe duam të dimë gjithçka…
OK, unë kisha detyrë që, përveçse të shënoja kur të më jepej mundësia, të ushtroja presion te Pepe gjatë gjithë kohës. Pra, të mos e lija atë që të avanconte me topin. Në një moment ai u mërzit edhe më tha “shko bëj presion tek ai mbrojtësi tjetër se do të të nxjerr jashtë sipas mënyrës sime…”. Ishte një presion i hapur apo jo.
Po ju çfarë i thatë?
I thashë se më vinte keq, pasi nuk kisha asgjë me të, por thjesht doja të isha në krah të tij meqë ishte mbrojtës i Realit…
Çfarë ndodhi më pas?
Vazhdonte të më thoshte që të mos i rrija afër.
Po pastaj pse po qeshte pas golit?
Sepse pas golit iu afrova edhe i thashë nëse i kishte pëlqyer goli… Nisi të qeshte dhe më dha dorën. E mora si shenjë vlerësimi, edhe pse nuk foli.
A e bëni gjuajtjen direkte në gjysmëlartësi?
Po, e kam bërë shpesh edhe në stërvitje edhe në ndeshje. Nuk ishte diçka e re.
A ndihet Bekim Bala hero në këtë moment?
Nuk e di nëse ndihem i tillë. Di vetëm që ndihem mirë.
Çfarë ju thanë pas ndeshjes?
Komplimente nga të gjithë. De Biazi më tha se duhet të vazhdoj të shënoj rregullisht, sepse i kam mundësitë.
Jeni më shumë si Salihi apo si Bogdani?
Diçka mes të dyve. Kështu më pëlqen të mendoj.
A ishte ky një gol “alla Ibra”?
Ibra më pëlqen shumë. Çuditërisht një natë para ndeshjes kam folur gjatë me miqtë e mirë për Ibrën dhe për golat e tij…
Cila është muzika juaj e preferuar?
Hi hop. Dëgjoj shpesh para ndeshjeve.
Po skuadra e preferuar?
Interi.
Sa është numri i këmbës?
44.5… (qesh).
Cila është prapësia më e madhe që keni bërë ndonjëherë?
Kur isha nxënës shkolle. Babai im ka qenë 40 vjet mësues edhe më kritikonte shpesh për veprimet që bëja.
A besoni në Zot?
Po, shumë.
Çfarë makine keni?
Golf 6.
Cili është mbrojtësi më i vështirë që keni hasur?
Pepe. E munda, por gjithsesi ai ishte më i vështiri dhe më i forti.
Cili është trajneri që keni më shumë për zemër?
(mendohet gjatë…) Selami Dani. E kam pasur trajner kur isha i vogël dhe më ka ndihmuar pa masë.
Cili është ushqimi i preferuar?
Sushi.
Sa shanse ka Shqipëria të kualifikohet?
Kemi shanse të mira. Kemi tri pikë dhe e kemi detyruar Portugalinë të luajë egërsisht me skuadrat e tjera. Nuk jemi favoritë, por kemi shanse. Ndoshta është edicioni i duhur për ndonjë arritje të madhe.
Me kë ndiheni më mirë në sulm?
Luaj përgjithësisht vetëm. Ndihem më mirë vetëm…
Nëse do të merrnit leksione nga ndonjë shok, prej kujt do të preferonit?
Nga Vioresin Sinani. Ka qenë idhulli im. Kalonim muret dhe hekurat e stadiumit kur ishim fëmijë vetëm për ta parë atë. Jam i nderuar që kam luajtur për disa kohë përkrah tij. Është ndër sulmuesit më të mirë me të cilët kam luajtur.
JETMIR HALILAJ

Portugali-Shqiperi 0-1, Agolli ne dyluftimAgolli: Nani më ofendoi gjithë ndeshjen
Tifozëve shqiptarë, që kanë ndjekur me vëmendje nga televizori ndeshjen kundër Portugalisë, zor se u ka shpëtuar dueli i Ansi Agollit me kapitenin e luzitanëve, Luis Nani. Përveç fitores historike që arritën kuqezinjtë, dje në rrjetet sociale nuk ka mbetur pa i komentuar as konflikti që patën në fushë Agolli dhe Nani. Mbrojtësi i Kombëtares, në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport”, tregon për gjithçka ndodhi. “Nani ma bëri borxh, prandaj reagova në atë mënyrë. Më ka ofenduar thuajse gjatë gjithë ndeshjes”, – thotë ndër të tjera 31-vjeçari tiranas.
Dyluftimi me Nanin gjatë ndeshjes pati një impakt të madh te tifozët, veçanërisht në momentin kur kamera u fokusoi dhe ju shfrynit në gjuhën shqipe kundër portugezit…
(qesh). Impaktin e madh që ka pasur ai duel personalisht e kam konfirmuar vetëm një orë pas ndeshjes. Sapo u futa në “Facebook”, me qindra mesazhe kishin ardhur në adresën time, ku, veç urimeve, më së shumti tifozët dhe miqtë e mi, ishin të kënaqur për përgjigjen që i kisha dhënë kapitenit portugez në atë moment.
Pse çfarë ju thoshin tifozët?
Më thoshin që mirë ja ke bërë Nanit, e meritonte (qesh).
U duk qartë që ju e ofenduat, pse reaguat në atë mënyrë?
Kur je në fushë dhe për më tepër në një ndeshje të zjarrtë si ajo ndaj Portugalisë, më besoni që çfarë nuk të nxjerrë shpirti. Gjithsesi, sinqerisht po ju tregoj se nuk kam pasur asnjë faj. Nani ma ka bërë borxh gjatë gjithë lojës, prandaj edhe unë reagova në atë mënyrë, që të gjithë e ndoqën në televizor.
Për çfarë jua bëri borxh Nani që ju irritoi aq shumë?
Sa herë patëm kontakt, vetëm më ofendonte në gjuhën angleze.
Si e shpjegoni?
Kjo erdhi si pasojë e nervozizmit të tij, sepse nuk po i ecte loja kundër nesh. Gjatë pjesës së parë, teksa topi po dilte në fundore, patëm një duel fizik dhe unë aty i fola i pari.
Çfarë i thatë?
I kërkova falje për ndërhyrjen, ndërsa ai ma ktheu në këtë mënyrë: “ta rregulloj unë ty!”. Ky ishte edhe momenti që unë nuk e durova. Edhe pse i kërkova ndjesë, ai m’u përgjigj me arrogancë, madje me tone kërcënuese. Në fakt, gjatë fillimit të lojës, dyluftimet me të kanë qenë normale, por pas minutës së 30-të, si duket Nani filloi të ndiente presionin. Rezultati nuk ishte në favor të Portugalisë dhe ai, si kapiten që ishte, e ndiente më shumë se të tjerët presionin e fitores me çdo kusht. Gjithsesi, përtej asaj që ndodhi në fushë, mendoj se dueli me të ishte shumë emocionues. Në fund i fituari dola unë dhe sigurisht Shqipëria.
Pas ndeshjes a i kërkuat ta ndërronit fanellën?
Jo, unë nuk e bëra, por di të them se asnjë nga lojtarët e Portugalisë nuk pranoi t’i ndërronte fanellat pas ndeshjes.
Përse?
Thjesht nuk donin, u kishte ikur truri prej rezultatit.
Çfarë menduat në minutat e fundit, kur gjyqtari nuk po e mbyllte ndeshjen?
Natyrisht që kishim ankth të gjithë. Unë për vete shikoja orën elektronike të stadiumit në çdo rast që topi ishte larg zonës.
E kishit menduar ndonjëherë se mund të fitonit ndaj një ekipi si Portugalia në transfertë…
T’ju them të drejtën, ne do të ishim të kënaqur edhe me një barazim. Megjithatë, kjo ishte një fitore historike, sepse nuk kishte ndodhur kurrë më parë që Kombëtarja të merrte tri pikë në transfertë ndaj një skuadre “big”. Gjithsesi, tani duhet të jemi me këmbë në tokë, nuk duhet të fluturojmë. Kemi fituar më shumë pjekuri dhe duhet t’i bëjmë hyzmetin ndeshjes me Danimarkën. Pra, të guxojmë sërish për fitore.
Ju keni qenë në fushë për 90 minuta edhe në barazimin 0-0 me Portugalinë në vitin 2008. Kush ka qenë më emocionuese, ajo ndeshje apo kjo e së dielës, ku dhe fituam?
Të dyja kanë qenë shumë emocionuese, por kjo ishte fitore dhe të shijon më shumë. Ishte ndeshja e parë e edicionit dhe e nisëm me tri pikë të arta.
Prej 8 vitesh jeni pjesë e Kombëtares dhe titullar konstant i saj. Është ky kulmi i karrierës për ju?
Në Kombëtare nuk duhet ta humbasësh kurrë shansin. Ndoshta kjo ka bërë që unë të jem stabël. Ndeshjet me fanellën kuqezi i luaj të gjitha si finale, sepse Kombëtarja nuk është si klubet.
JORGIS MEMO

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"