“Afrimet e kanë forcuar ekipin, konkurrencën gjithnjë me veten”, Ramadani: Flamurtari më kërkues me Memushin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 16, 2024 | 10:40

“Afrimet e kanë forcuar ekipin, konkurrencën gjithnjë me veten”, Ramadani: Flamurtari më kërkues me Memushin

Behar Ramadani është gati për Korabin. Shkodrani i konvertuar tashmë në “vlonjat”, pasi që prej shtatorit të vitit 2021 mban veshur ngjyrat kuqezi, i njeh mirë pritshmëritë. Në  intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, mesfushori thotë se garën e ka me veten ndërsa mendon se konkurrenca i bën mirë skuadrës.

ramadani

Për traditën dhe historinë e Flamurtarit, 33-vjeçari thotë se i ka folur edhe lojtarëve të huaj, që vijnë në këtë klub. Trajnerin Memushi e cilëson shumë kërkues, ndërsa frymën aktuale në skuadër e vlerëson për t’u pasur zili.

Ramadani si ndiheni personalisht përpara ndeshjes me Korabin dhe a e keni kaluar dëmtimin?

E rëndësishme është që të gjithë jemi një grup. Futbolli ka edhe dëmtime, këto janë pjesë e sportit. Ndihem mirë javë pas jave dhe po stërvitem rregullisht me grupin. E rëndësishme është të jem gati dhe në çdo moment kur do të më kërkohet të jem në fushë, do të jem aty që të japë maksimumin.

Në skuadër tashmë ka konkurrencë, ju tremb kjo gjë?

Jo vetëm këtu, por gjithë karrierën time garën e kam pasur me veten. Unë kërkoj shumë nga vetja. Nuk ka rëndësi se në cilën moshë jam, gjithmonë bëj autokritikë në radhë të parë. Zgjidhjen kërkoj që ta gjej te vetja.

Si i vlerësoni afrimet e reja te Flamurtari?

Afrimet e merkatos e kanë forcuar ekipin më tepër dhe tani kemi kualitete në përbërje. E rëndësishme është që të gjithë të vihen në funksion të ekipit. Nëse do të arrihet kjo, do të thjeshtohet puna së tepërmi.

Cila është atmosfera në skuadër?

Klima është shumë e mirë. Është një harmoni për t’u pasur zili në këto momente. Janë djem të mirë dhe që punojnë. Më e rëndësishme është që të gjithë në kokën tonë e dimë se ku jemi dhe se çfarë duhet të bëjmë për këtë ekip.

Flamurtari ka ndryshuar tre trajnerë këtë sezon. Sa ka ndikuar ardhja e Memushit në ekip?

Koha që ka pasur në dispozicion profesor Memushi nuk është në anën e tij, por gjithmonë ndryshimet janë për mirë. Edhe në rastin e profesorit, duket që ekipi ka reaguar që te ndeshja me Elbasanin dhe me Burrelin. Memushi është kërkues dhe do që të fusë idetë e veta. Normal, do kohën e vet që edhe ekipi të përshtatet dhe t’i përgjigjet kërkesave të trajnerit. Por them se jemi në rrugën e duhur. Për këtë flasin edhe rezultatet. Shpresojmë që të vazhdojmë kështu dhe të shikojmë deri në fund.

Keni një kohë të gjatë në Vlorë, çfarë ndjesie të jep Flamurtari?

Ne shqiptarët në fakt i njohim ekipet, se kemi një jetë që luajmë futboll. I njohim ekipet dhe qytetet me tradita dhe që e duan futbollin dhe sportin në përgjithësi. Ndoshta lojtarët e huaj nuk e njohin mirë historinë, por jemi munduar që t’ua shpjegojmë edhe këtë pjesë. Nuk është thjeshtë një ekip i Kategorisë së Parë, por një emër i madh i futbollit shqiptar.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"