Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi: Stafi gaboi që largoi Imamin, gati 2 goditje “big”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 22, 2023 | 18:35

Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi: Stafi gaboi që largoi Imamin, gati 2 goditje “big”

Sinan Idrizi “zbërthen” merkaton e Flamurtarit. Paralajmëron dy afrime të tjera “big”, ndërsa stopon largimet e radhës. Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, administratori tregon se ishte kundër heqjes së Eni Imamit.

SINAN IDRIZI

Nuk iu dukën të arsyeshme argumentet që i serviri stafi teknik. Edhe pse respekton vendimin e tyre, u ka kujtuar se duhet të mbajnë përgjegjësi. Për lojtarët e tjerë që dolën jashtë planeve, thekson se ishin jashtë pritshmërive. Flet me superlativa për rikthimin e Idriz Bathës, ndërsa përmend kohën kur i qëndroi besnik klubit në ditët më të vështira.

Idrizi ka nisur operacionin “fshesa”, keni një koment?

Të larguarit? I falënderoj që ishin te Flamurtari. Te lista që më sollën, unë shpreha mosaprovimin tim për largimin e Eni Imamit. Stafi teknik kishte ca argumente që për mua nuk ishin të arsyeshme, por kishin zgjedhjet e tyre që unë i respektova.

Por në fund “veton” kush e ka?

Jo, jo, unë nuk vendos. Unë vetëm paguaj. Po të them një gjë të thjeshtë fare, nuk është ‘han me katër porta’ këtu. Unë respektoj vendimmarrjet e stafit teknik. Në syrin tim prej amatori, mendoj se u gabua me Imamin. Nëse ata thoshin jo, atëherë është histori tjetër. Ata në fund mbajnë përgjegjësinë. Të jemi të qartë në një gjë… Nuk është një klub pa kokë. Por ana teknike e këtyre profesionistëve është ajo që duhet të mbizotërojë te ne.

Çfarë justifikimi nxirrte stafi teknik për Imamin?

Janë nga ato që mua nuk më bindin dhe nuk ia vlen që t’i nxjerrësh në gazetë. Ky serbi, Mrdja, ishte realisht civil, i edukuar, por te Flamurtari nuk pati ndonjë histori futbolli që të linte gjurmë. Zogaj pastaj, me zgjedhjet e reja të trajnerit, nuk kishte vend… Kështu më tha Resuli. Në rregull, mirëkuptohemi. Ndërsa Metani nuk është një largim. Ka ndodhur një çoroditje te lista e tyre dhe është diçka e çuditshme. Ne e duam që t’i japim mundësi të luajë duke u huazuar në klubet e tjera dhe jo duke e larguar. Me këtë mbingarkim që ne kemi dhe do të kemi, Metani është një nga djemtë e akademisë sonë dhe duhet që të krijojmë mundësi më shumë për të luajtur. Por të luash tre minuta sot dhe tre minuta nesër e atij nuk i bën mirë. Duam ta huazojmë, jo ta largojmë. Por e përsëris që është stafi teknik. Unë nuk fshihem pas gishtit, pasi në fund vendos unë. Por që në këtë rast…

Berisha, Mateos, Ilievski ishin të parët që u larguan, çfarë ndodhi me ta?

Ata ishin larg pritshmërive. Ishte shumë e lartë ajo që kërkonim ne prej tyre. Nuk morëm atë që ne prisnim. Ishte një ndarje me mirëkuptim dhe që erdhi për arsye fushe.

Do të ketë më spastrime?

Jo, jo çfarë largimesh të vazhdojmë më… Kemi afruar nga akademia tre lojtarë. Sikurse e patë, kemi Lleshin, por edhe Kondin që e tregoi veten që vjet në ndeshjen e tij të parë. Flamurtari ka si obligim tani që patjetër të miksojë akademinë.

Bathën e telefonuat ju personalisht?

Po, Batha është një personazh që hyn te zotërinjtë e futbollit. Jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj. Ka qenë te Flamurtari në kohën më problematike tonën, me konto bankare të bllokuara. Ka qëndruar me dinjitet për respekt të fanellës. Isha unë që e telefonova Bathën për të ardhur në Vlorë.

Do të vazhdojnë goditjet e merkatos?

Ne kemi kohë që e kemi nisur punën. Do të kemi edhe dy lojtarë “big”. Njëri është shumë i njohur dhe nëse e sjellim… Do të plotësohemi edhe me dy futbollistë të tjerë të nivelit të Bathës. Do ta mbyllim sa më shpejt, që në 3 apo 4 janar të jenë nën urdhrat e trajnerit. Nuk presim më që të na vijnë lojtarë të majmur dhe dy muaj sa më çmajmen të luajnë nga marsi e nga prilli, të marrin ca lekë e të ikin. Nuk ka më!

Sa lojtarë do të afroni?

Do të jenë të paktën katër lojtarë. Afrimet e tjera do t’i marrim nga akademia.

 

 

ÇFARË THA IMAMI

“Seriozisht nuk e prisja, më hoqën me një telefonatë”

Eni Imami mbeti i habitur nga largimit. I ka ardhur krejt vendimi i klubit dhe vetëm me një telefonatë. E megjithatë, e ka pranuar “divorcin” pa bërë zë. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, mbrojtësi pak ditë më parë tha: “Seriozisht nuk e prisja fare. Ishte surprizë për mua. E ndieja që në Vlorë më donin nga njerëzit në klub ata që më rrethonin apo te tifozët. Më morën në telefon dhe më thanë do të shkëpusim bashkëpunimin. Nuk i pyeta për arsyet se kur dikush nuk do të vazhdojë më, nuk mund të qëndrosh me zor. U ndamë me mirëkuptim. Më vjen keq se isha mësuar në Vlorë dhe kisha çfarë të jepja. Besoj se kam qenë korrekt në të gjitha aspektet dhe klubit nuk i kam sjellë shqetësime dhe probleme. Edhe presidenti Idrizi më takoi sot (dje) dhe më tha që: ‘Kam respekt dhe je treguar djalë shembullor’”.

 

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"