Abrashi rinovon me Fraiburgun, kontratë afatgjatë për mesfushorin

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Dhjetor 19, 2016 | 17:28

Abrashi rinovon me Fraiburgun, kontratë afatgjatë për mesfushorin

Amir Abrashi ka rinovuar kontratën e tij me klubin e Fraiburgut në Bundesligë, duke planifikuar që të qëndrojë për shumë vite në radhët e klubit gjerman.

Abrashi feston Fraiburg

Lajmin e ka bërë publik vetë klubi i Bundesligës, nëpërmjet një njoftimi që ka zyrtarizuar firmën e re të mesfushorit 26 vjeçar, i cili ka luajtur 46 ndeshje me Fraiburgun që nga vera e vitit 2015 duke shënuar 4 gola.

“Amiri është zhvilluar shumë mirë me ne dhe i shton komponentë të vlefshëm lojës tonë me forcën dhe sjelljen e tij. Ai është një pjesë e rëndësishme e skuadrës tonë dhe presim me padurim që të vazhdojë bashkëpunimin”, u shpreh drejtori sportiv i klubit, Johen Saier.

Edhe vetë Abrashi dukej i lumtur me këtë zgjedhje që kishte bërë. “Deri tani në Fraiburg kam plotësuar të gjithë pritshmërinë dhe e shoh të ardhmen time sportive si pjesë e Fraiburgut. Unë e ndjej veten mjaft rehat këtu dhe e di që kam shumë për të bërë me këtë skuadër”, janë fjalët e futbollistit shqiptar.

abrashi

Edhe pse Fraiburgu në njoftimin e tij për shtyp shprehej se ishte rënë dakord që të mos publikohej asnjë e dhënë rreth kontratës së re, është mësuar se Abrashi ka firmosur deri në vitin 2020 me këtë klub. Kontrata e mesfushorit shqiptar përfundonte në verën e vitit 2018, por falë këtij rinovimi të ri të marrëveshjes, ai jo vetëm ka garantuar të ardhmen e tij, por edhe ndryshimin e parametrave financiarë të kontratës, të cilët kanë pësuar një përmirësim të ndjeshëm.

Futbollisti i përfaqësueses shqiptare përfaqësohej në këto negociata nga vëllai i shokut të tij të ngushtë, Xherdan Shaqirit, Erdini, i cili ka në kompaninë e tij të menaxhimit disa lojtarë shqiptarë.






www.minuta90.com