Abazaj: Luaj ku të ketë nevojë trajneri, Islanda është më e mirë se ne

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 4, 2017 | 22:12

Abazaj: Luaj ku të ketë nevojë trajneri, Islanda është më e mirë se ne

Kristal Abazaj është një nga lojtarët me në formë të klubit të Luftëtarit dhe të Kombëtares Shpresa. Golat deçiziv të shënuara e kanë shndërruar atë në një garanci për repartin e avancuar.

Abazaj

Në konferencën për shtyp në prag të takimit kundër Islandës, Abazaj ka treguar për rëndësinë që ka kjo përballje si dhe ka ftuar tifozët të jenë të pranishëm në shkallët e stadiumit për t’i mbështetur. Në fund 21-vjeçari ka folur edhe për të ardhmen.

Forma e shkëlqyer që po kalon

“Siç e dini, kam shënuar 2 gola në kampionat dhe 2 në ndeshje me Kombëtaren Shpresa, ndihem në formë shumë të mirë. Për sa i përket Dyrmishaj, mungesa e tij është humbje e madhe, por kemi shumë lojtarë të aftë që mund të zëvendësojnë.

Nuk ka rëndësi se ku do të luaj. E rëndësishme është të jem në fushë dhe të japë më të mirën. Krahu ku unë luaj është i djathtë, por edhe në qendër nuk e kam problem. Jam i bindur që do të bëjmë një lojë shumë të mirë.”

Kundërshtari

“Islanda është ekip i fortë, pavarësisht se ne arritëm të fitonim atje. Mund të them se ishte një ekip edhe më i mirë se ne.  Në ndeshja e kthimin na duhet shumë mbështetja e tifozëve sepse është thelbësore për ne. Besoj se do të marrim një rezultat  të mirë.”

Dëshira për të qënë pjesë e Kombëtares A

“Kombëtaren A do ta arrij me punë dhe sakrificë. Është një ëndërr për mua. Për tifozët i them që të vinë të na mbështesin është shumë e rëndësishme për ne. Me ta ne jemi akoma edhe më të fortë dhe do të arrijmë të marrim 3 pikët.”

E ardhmja

“Kam pasur oferta të ndryshme, por që nga ana financiare nuk kanë qënë të kënaqshme. Në janar do të ulem dhe do të bisedoj sërish. Do të bëjmë çfarë të jetë më e mira për mua.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"