Shtatë pikë në 3 ndeshjet e fundit, ja si trajneri Nica ndryshoi Kukësin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 6, 2023 | 20:36

Shtatë pikë në 3 ndeshjet e fundit, ja si trajneri Nica ndryshoi Kukësin

Kukësi kërkon ta shfrytëzojë në maksimum momentin e mirë që po kalon në kampionat. Shtatë pikët në tri ndeshjet e fundit tregojnë për një skuadër që nuk i mungon potenciali, ndonëse vijon të “qajë” atë nisje të dobët të katër javëve të para, kur edhe nuk koleksionuan dot asnjë pikë.

kukesi

Të dielën Kukësi do të luajë në transfertë përballë Partizanit, që është një kundërshtar i vështirë, për vetë faktin se bëhet fjalë për skuadrën kampione në fuqi dhe që vjen pas humbjes në Korçë.

DILEMAT E TRAJNERIT Trajneri Stavri Nica ka arritur të krijojë një stabilitet në skuadër, duke gjetur ekuilibrat e duhur. Iu deshën vetëm pak javë në dispozicion për të ngritur ekipin dhe marrë më në fund rezultatin. Mirëpo, ndeshja e fundit, kur fitoi me përmbysje ndaj Erzenit, duket se i ka shtuar shumë dilemat në kokën e tij. Thuhet kështu, pasi pritet ndryshime më fazën ofensive, ku lojtarët që e nisën nga stoli po projektohen të jenë titullarë. Edhe vetë tekniku e ka përmendur shpesh që askush nuk e ka vendin të sigurt dhe kush bind do të luajë në fushë. Dilema më e madhe për momentin e teknikut është aktivizimi nga minuta e parë e sulmuesit që shënoi dy gola ndaj shijakasve, Sebastian la Torre. Peruani ka qenë titullar në dy ndeshjet e para me Rraman Hallaçin në stol, ndërsa me ardhjen e Nicës nuk ka luajtur asnjëherë nga fillimi. Mirëpo, dopieta që i dha tri pikët skuadrës në ndeshjen e fundit, ka rritur shanset e tij që të luajë titullar, duke vënë njëkohësisht në pozitë të “vështirë” trajnerin.

LOJTARËT NË “PROVË” Mund të duket e çuditshme, por me Nicën në pankinë, te Kukësi janë të gjithë lojtarët në provë. Mjafton një ndeshje e dobët dhe mund të përfundosh në stol dhe e kundërta ndodh me ata që luajnë mirë kur përfundojnë si alternativa. Kjo është një mënyrë që tekniku të marrë maksimumin ndaj lojtarëve dhe t’i mbajë njëkohësisht nën tonus gjatë gjithë kohës. Me pak fjalë, ende nuk ka një kristalizim përfundimtar të formacionit, me Kukësin që duket se është ende në kolaudim e sipër. Kujtojmë që në merkaton e verës u afruan plotë 14 lojtarë: Endri Reçi, Vasil Zhongo, Blerim Sahitaj, Mario Beshiraj, Redi Veriu, Karlos Nazario Ribas, Plarent Fejzaj, Mustafa Gbolahan Salami, Sebastian la Torre, Isijaku Najara, Franc Lala, Nikolin Duka, Arbër Mehmetllari dhe Matheus Mota. Shumica e tyre janë përdorur si titullarë deri më tani.

VLADIMIR MEMA -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"