6 gola në 8 ndeshje, rritet presioni ndaj Juventusit nga Spanja për Moratën: Paguani shpejt!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 20, 2020 | 8:51

6 gola në 8 ndeshje, rritet presioni ndaj Juventusit nga Spanja për Moratën: Paguani shpejt!

Për ta bërë tëndin, duhet të paguash. Dhe sa më shpejt madje, por mbi të gjitha pa bërë kapriço duke kërkuar skonto. Është ky koncepti i Enrike Cerezos, presidentit të Atletikos së Madridit, i cili i kundërpërgjigjet zërave që vijnë nga Italia, se Juventusi është i bindur për ta mbajtur Alvaro Moratën dhe ta bëjë 100 për qind të tijin, por do të kërkojë një ulje nga akordi që kanë (10 milionë euro për huazimin në 2020-2021; 10 milionë të tjera për huazimin në vitin e dytë 2021-2022, plus 35 milionë të tjera për shlyerjen definitive).

Cerezo Morata
“Alvaro meriton gjithçka që po jeton aktualisht sepse mjafton të shikosh mënyrën sesi ai lufton për të shënuar një gol, qoftë edhe ndër më të thjeshtit, për të kuptuar dëshirën që ky djalë ka kur zbret në fushë. Mendoj se te Juventusi ka gjetur rrugën e duhur dhe jam i lumtur për të. Gjithsesi, mos harrojmë se Morata është ende një futbollit i yni, i Atletikos. Në Torino ka shkuar për një huazim 2-vjeçar, me një opsion blerjeje. Prandaj, nëse Juventusi e do, të bëjë mirë që të paguajë, por shifrën e duhur, atë që kemi në akord, asnjë qindarkë më pak”, ishte presioni i Cerezos.

Ndërkohë, “bosi” i Atletikos është i lumtur për Alvaro Moratën, por nuk nguron që të flasë edhe për atmosferën totalisht të kundërt që po provon prej më shumë se një vit tashmë, një prej ish-yjeve të skuadrës së tij, Antuan Grizman te Barcelona.
Grizman
“Kur Antuan u largua i thashë vetëm një fjalë: ‘Shpresoj që të të duan edhe te Barcelona, siç të deshëm ne këtu te Atletiko’, – bën thumbimin e tij Cerezo, që ndërkohë vazhdon. – Por sinqerisht më duket se nuk është kështu. Grizman gjeti një klub në vështirësi, ndonëse Barcelona vazhdon të ketë një skuadër fantastike. Kur gjërat shkojnë keq, e vuajnë të gjithë, por Grizmanit, për lojtarin që është, i uroj që kjo situatë të kalojë shpejt. Për mua mbetet një prej 3 lojtarëve më të fortë në Europë, pasi këtë e konfirmoi me Francën, duke fituar Botërorin”, përfundoi presidenti.

PËRGATITI: JETON STAMOLLA 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"