EKSKLUZIVE/ “Që në mars pa u paguar”, ish-drejtori Firat: E ndihmova Vllazninë prej Licit, ekipi sulmohet shumë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2019 | 21:57

EKSKLUZIVE/ “Që në mars pa u paguar”, ish-drejtori Firat: E ndihmova Vllazninë prej Licit, ekipi sulmohet shumë…

Engin Firat nuk është më pjesë e Vllaznisë. Lajmin e konfirmon ekskluzivisht për “Panorama Sport” vetë 49-vjeçari turk, i cili në sezonin 2018-2019, kur shkodranët ishin pjesë e Kategorisë së Parë, ka bërë detyrën e drejtorit sportiv.

firat

Mirëpo, ai ka pasur një rol të rëndësishëm në ndërtimin e skuadrës gjatë merkatos së verës dhe në Shkodër askush nga ana e klubit nuk ka konfirmuar zyrtarisht që Firat është larguar. Por, tashmë është gjithçka e qartë, pasi kontrata e tij me klubin shkodran ka skaduar dhe nuk është rinovuar.

“Marrëveshja që kisha me Vllazninë ka mbaruar që kur u mbyll sezoni 2018- 2019. Asgjë nuk ndryshon tani. Thjesht në këtë periudhë unë kam ndihmuar administratorin Suad Lici me këshilla, por zyrtarisht nuk jam nën kontratë me Vllazninë. Pra, nuk kam rinovuar ndonjë marrëveshje me klubin për të vazhduar si drejtor sportiv. Nuk kam marrë asnjë lekë që nga muaji marsi dhe deri më tani, por kam ardhur edhe në verë në Shkodër për të mbështetur Licin”, thotë fillimisht turku Firat.

engin firat

Ai vazhdon të jetë koherent për ngjarjet në Shkodër, ndërsa ka diçka që i bën shumë përshtypje. “E kam ndjekur ekipin, por akoma shoh që opinioni merret me thashetheme rreth skuadrës. Askush nuk e mbështet Vllazninë në këtë moment, përveç tifozëve të vërtetë të saj. Megjithatë, thashethemet e këqija nuk mbarojnë kurrë në Shkodër”, deklaron Firat, ndërsa lë të hapur mundësinë e bashkëpunimit me klubin. “Është shumë e rëndësishme ajo që Suad Lici po bën. Do të shikojmë se çfarë do të tregojë koha dhe nëse është e nevojshme, unë mund të kthehem. Ndoshta i mungoj shumë, por do ta mendoj rikthimin nëse i Licit i mungoj”, bëri të ditur ish-drejtori sportiv.

“Ekip pa dëshirë ndaj Luftëtarit”

Ish-drejtori sportiv i Vllaznisë i bën një analizë startit të sezonit, në një kohë që skuadra ka grumbulluar 6 pikë me vetëm një gol të shënuar.

“Kampionati shqiptar nuk është një ligë me cilësi. Po ju marr një shembull në dy ndeshjet e fundit të Vllaznisë. Luajti me Teutën dhe kishte një situatë gjatë ndeshjes që mund të shënonte dhe loja do të përfundonte 1-0. Më pas u përball me Luftëtarin në Shkodër, një ekip i cili nuk bëri asgjë në fazën sulmuese. Por, nuk mund të them që Vllaznia luajti mirë. Gjithsesi, nëse Vllaznia do të shënonte rastet e humbura në këto dy ndeshje, duke u mjaftuar me fitore 1-0, tani do të ishte në krye.

engin firat voltana ademi

Nuk e kuptoj pse njerëzit e sulmojnë kaq shumë skuadrën. Natyrisht, është e drejta e tyre, por duhet të dinë që Vllaznia ka ndryshuar totalisht ekip nga sezoni i kaluar. Kanë ardhur 13 lojtarë të cilët nuk kanë luajtur kurrë bashkë. Dikush që e njeh sadopak futbollin, duhet ta kuptojë që këto ndryshime kërkojnë kohë. Pastaj, ana fizike nuk është akoma në lartësinë e duhur. Skuadra ka qenë edhe e pafat prej disa dëmtimeve. Edhe arbitrat e kanë ndëshkuar Vllazninë, ndërsa FSHF i ka mbyllur stadiumin.

Të gjithë janë të hapur të kritikojnë, por jo të bëjnë thashetheme. Gjithsesi, unë mendoj se në ndeshjen e fundit ndaj Luftëtarit, Vllaznia nuk kishte të njëjtin entuziazëm si ndaj Laçit, ku edhe pse nuk ishin mirë fizikisht, luajtën më të motivuar dhe fituan. Unë besoj se situata në ekip do të ndryshojë për mirë në vazhdimësi”, përfundoi turku Firat.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"