Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 12, 2012 | 2:00

Mirel Çota është zyrtarisht lojtar i Tiranës. Sulmuesi ka firmosur mesditën e djeshme një kontratë dyvjeçare me klubin bardheblu, e cila do ta mbajë të lidhur deri në vitin 2014. Mësohet se futbollisti nga kontrata e nënshkruar do të përfitojë përafërsisht 70 milionë lekë të vjetër, pra rreth 35 milionë për sezon. Çota është kështu blerja e dytë e kryeqytetasve pas Pashajit, i cili u afrua vetëm pak ditë më parë. Vetë sulmuesi librazhdas është më shumë se i lumtur për këtë akord të arritur dhe shprehet se kjo është një ëndërr e vjetër që po i realizohet. I kontaktuar nga gazeta, ai nuk ka nguruar që të japë intervistën e parë si bardheblu, duke e cilësuar këtë transferim si më të rëndësishmin në karrierën e tij. Kjo është dëshira e dytë që i plotësohet trajnerit Hulian Rubio pasi, siç edhe dihet, ky sulmues ishte në listën e preferencave të tij. Është pikërisht ky fakt që e gëzon Çotën, sepse të përzgjidhesh nga trajner profesionist spanjoll nuk është pak.
Pas shumë tratativave Mirel, jeni zyrtarisht futbollist i Tiranës…
Po, dhe për këtë jam tej mase i lumtur. Pas interesit që pati klubi dhe bisedave që zhvillova me drejtuesit, në fund gjetëm gjuhën e përbashkët dhe kjo dëshmohet nga firma që hodha mbi kontratë.
Çfarë kontrate keni nënshkruar?
Për dy sezone radhazi. Që do të thotë se deri në 2014- ën do të vishem bardheblu dhe do të luaj për këtë fanellë.
Kur do t’i bashkoheni zyrtarisht skuadrës?
Brenda javës besoj, pra kur të nis zyrtarisht puna dhe besoj se të enjten do të ndodhë një gjë e tillë. Tani (dje) jam duke udhëtuar për në vendlindje, pra në Librazhd. Do pushoj pak ditë dhe do të rikthehem sërish në Tiranë.
Çfarë pret Çota nga ky edicion i ri, gjatë të cilit do të mbash veshur fanellën e ekipit më të titulluar në vend?
Pres shumë, por në fakt kam për detyrë që të jap më shumë se çfarë do të marrë. Të luash me Tiranën është përgjegjësi e madhe, ndaj premtoj se do të jap maksimumin. Unë jam sulmues dhe kësisoj do mundohem të shënoj sa më shumë, pasi roli ynë me gola matet.
Me Teutën ishit shumë pranë titullit kampion, mendoni se mund t’ia dilni këtë vit me Tiranën?
Do të doja shumë, pasi ky është pishmani im i vetëm nga Durrësi. Ishim aq pranë, por fatkeqësisht nuk ia dolëm dot. Shpresoj që t’ia dal me bardheblutë. E dëshiroj një titull dhe po ta marr si bardheblu do të ishte një ëndërr. Nuk mund ta mohoj se Tiranën e lakmoja, si çdo futbollist shqiptar dhe këtë vit kam luksin dhe më jepet rasti që të realizoj një dëshirë të vjetër.
U përzgjodhët nga vetë trajneri Rubio, çfarë mund të thoni për këtë?
Është privilegj që të zgjidhesh nga një trajner profesionist spanjoll siç është Hulian Rubio. Do të bëj të pamundurën që të mos e zhgënjej. Këtë e konsideroj si një sfidë personale.

“Falënderoj Hasanbelliun, i jam borxhli”
Mirel Çota nuk nguroi që në deklaratën e dhënë të mos fliste për Teutën dhe, në mënyrë të veçantë, për presidentin e këtij klubi, Edmond Hasanbelliu. Ai falënderon një Durrës të tërë dhe në mënyrë të veçantë kreun e klubit për përkrahjen e dhënë në tri vite radhazi, nga 2009 e deri më tani. “Në Durrës kam kaluar mrekullisht mirë. Kanë qenë tri vite të paharrueshme. Nuk mund të mos falënderoj tifozët e atij qyteti aq futbolldashës dhe në veçanti presidentin Hasanbelliu. Ai më ka dhënë shumë, më ka përkrahur dhe unë ndihem borxhli veçanërisht ndaj tij”, – tha Çota, duke shprehur konsideratën e tij për presidentin durrsak.

Pritet Sefa e Muçollari
Pashaj dhe Çota janë të parët lojtarë që kanë firmosur dhe janë zyrtarisht bardheblu. Mirëpo, klubi po vijon tratativat me të tjerë futbollistë që mund t’i bashkohet grupit për edicionin e ri. Sefa dhe Muçollari janë në “play list” për të veshur fanellën e ekipit më të titulluar në vendin tonë. Me të parin është lënë që të ulen në tavolinë, por vetëm pasi ai të kthehet nga Rumania, atje ku do të provohet për Otelul Galantin. Nëse nuk do arrijë ndonjë akord me rumunët, opsioni i parë mbetet Tirana. Sakaq, për Muçollarin bisedimet nisin sot, duke qenë se vetëm dje është kthyer nga Turqia, ku ishte me pushime.

Kontrata me Spitalin Amerikan, ja detajet
Ashtu siç edhe është publikuar nga gazeta, klubi i Tiranës pak ditë më parë ka nënshkruar një kontratë me Spitalin Amerikan. Kësisoj, bardheblutë do të funksionojnë ashtu si klubet moderne në mbarë botën, ku çdo futbollisti do t’i bëhen kontrolle mjekësore të detajuara. E gjitha kjo është kërkuar nga stafi teknik, me në krye Rubion, i cili para se të ikte në Spanjë kishte kërkuar që ekipi të bënte kontrolle periodike, që do të thotë jo vetëm në fillim të sezonit, por edhe në vijueshmëri. Ai dëshiron të dijë gjendjen e çdo lojtari, nëse do kenë apo jo probleme fizike. Vetëm duke pasur kartelën e çdokujt, ai mund t’i udhëzojë edhe për programin stërvitor që do të zhvillojë secili prej tyre.

U-17 e Tiranës, e katërta në turneun ndërkombëtar
Turneu ndërkombëtar për 17-vjeçarët, i zhvilluar në Shkup të Maqedonisë (7-10 qershor), ka pasur pjesëmarrëse skuadra si: Tirana (Shqipëri), Teuta (Shqipëri), Ternovci (Prishtinë, Kosovë), Albarsa (Shkup, Maqedoni), Rabotnicki (Shkup, Maqedoni), U-17 Kosovë (Kosovë). Ekipi i Tiranës ka marrë pjesë për herë të parë në këtë turne, në të cilin u përfaqësua denjësisht. Ndonëse me mungesa në formacion, ajo kaloi në gjysmëfinale, duke u renditur e katërta. Në ndeshjet e organizuara, Tirana arriti të fitonte me Ternovcin (2-1), por u mposht nga U-17 e Kosovës (3-0) dhe Rabotnicki (4-1). Pavarësisht këtyre rezultateve, pjesëmarrja e bardhebluve të vegjël ishte një përvojë e vyer për akademinë, ku dalluan lojtarë si Jonuzi, Rada, Kodra, Mahmuta e Lleshi. Turneu u fitua nga Albarsa, në vendin e dytë u rendit U-17 Kosova, në të tretin Rabotnicki, në të katërtin Tirana, në të pestin Ternovci dhe në të gjashtin Teuta.
ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"