5 motive pse Roma beson te përmbysja ndaj Liverpulit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 2, 2018 | 18:30

5 motive pse Roma beson te përmbysja ndaj Liverpulit

Fjala e vetme që mbizotëron në ambientin verdhekuq sot është: besimi! Pas Barcelonës, skuadra e Di Françeskos beson te një tjetër mrekulli. Dhe italianët kanë 5 motive të forta për të besuar te përmbysja.

Roma

1. Nervi i Xhekos

Ashtu si ndaj Barcelonës, boshnjaku shënoi një gol të çmuar në fund të ndeshjes në Liverpul, duke konfirmuar nervin e tij në Europë. Shtatë janë golat e sulmuesit në këtë turne, përveç 3 asisteve. Katër gola në 4 ndeshjet e fundit: i ka shënuar Shahtjorit, Barcelonës dhe Liverpulit.

2. Faktori “Olimpico”

Në shtëpi, De Rosi me shokë nuk janë mundur kurrë (4 fitore dhe 1 barazim në debutimin me Atletikon) dhe ajo që është më e rëndësishmja, nuk kanë pësuar ende gol këtë sezon.

3. Tifozët

Dy golat e shënuar në “Anfield” japin shpresë dhe “Olimpico” do të jetë plot sot. Mbështetja e tyre ndaj Barcelonës i drodhi njëherë gjunjët e Mesit? A do dridhen edhe ato të Salahut?

4. Mbrojtja e Liverpulit

Dhjetë minutat e fundit në “Anfield” nxorën zbuluar defektet e mbrojtjes së makinerisë së golave të Klopit. Nëse sulmi është perfekt, prapavija është e cenueshme, atje ku vetëm Van Dajk ofron siguri. Karius tregoi edhe njëherë se nuk është i besueshëm në portë. Lovreni nuk është imun ndaj amnezive të herëpashershme, ndërsa dyshja e krahëve, Aleksander-Arnold dhe Robertson janë më të zotë të sulmojnë sesa të mbrojnë.

5. Përmbysën Barçën

Roma di të bëjë mrekulli dhe më të fundit e ka të freskët, vetëm 3 javë më parë. Për informacion pyesni Barcelonën se si humbi një ndeshje 3-0, pasi kishte fituar 4-1 në “Camp Nou”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"