245 milionë euro në 10 vitet e fundit, akademia e Realit një minierë ari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 4, 2019 | 13:32

245 milionë euro në 10 vitet e fundit, akademia e Realit një minierë ari

Akademia e Realit të Madridit apo e njohur ndryshe si “La Fábrica”, është një minierë ari. Në skuadrën e parë të Zidanit ka shumë talente (Karvahal, Naço, Lukas Vazkez, Mariano…), të cilët i kanë bërë hapat e parë në shkollën e klubit dhe ata që nuk po gjejnë hapësirë në formacion, mund të rezultojnë një burim shumë i çmuar të ardhurash. Nga shitja e 28 lojtarëve të akademisë gjatë dekadës së fundit, “Los Blancos” kanë përfituar plot 245 milionë euro.

1501675526_420351_1501729082_noticia_normal

Një shumë goxha e madhe, aq sa çmimi i një “galaktiku” në tregun aktual të merkatos. Kjo shifër lë pas 155 milionë eurot e talentit të fabrikuar në “La Masia” të Barcelonës, e njohur për një prej markave që prodhon futbollistë klasi. Dy gjigantët spanjollë mposhten në këtë garë vetëm nga Atletikoja e Madridit, që ka fituar 305 milionë euro në total nga talenti që ka prodhuar në strukturën e saj të moshave.

Reali i Madridit shiti së fundmi Markos Jorenten, duke ia bashkuar 40 milionë eurot kësaj fature, që i bashkëngjiten edhe ato të Raul De Tomasit, i cili shkoi te Benfika dhe së shpejti pritet të shitet edhe Majoral. Florentino Perez është në pritje të largimeve të tjera dhe duhet parë se çfarë do të ndodhë gjithashtu me Naçon dhe Lukas Vazkezin, për të cilët ka oferta në tavolinë.

“LA FÁBRICA” – Akademia e Realit të Madridit është aq fitimprurëse sa vetëmenaxhohet. Sipas bilanceve të klubit për sezonin 2017- 2018, rrogat e futbollistëve dhe të trajnerëve i kushtuan klubit vetëm 17.8 milionë euro. Vetëm me shitjen e Marko Jorentes, klubi mund të mbulojë kostot e gati tri viteve. Por Reali nuk mbështetet vetëm te shitja e lojtarëve që lënë “Bernabeun”. Ata gjenerojnë të ardhura shumë të mëdha nga klauzola e riblerjes së futbollistëve. Për shembull, Maskarel, të cilin Reali i Madridit e ribleu për 4 milionë euro, e shiti më pas menjëherë te Shalke për 10 milionë euro.

1500942659_485277_1500942790_noticia_normal (1)

Një situatë identike ishte edhe blerja e Lukas Torros për 1.75 milionë euro, përpara se ta shisnin te Aintrahti i Frankfurtit në Bundesligë për gati dyfishin e kësaj shume. Huazimet, gjithashtu, janë një burim të ardhurash. Oskar Rodrigez, i cili iku te Leganesi sezonin e shkuar për të fituar eksperiencë, u solli 600 mijë euro fitime. Talenti i radhës që pritet të sjellë të ardhura është Serxho Reguilon, i cili u huazua te Sevija.

Rast i veçantë ai i Moratës. Ai u largua te Juventusi për 22 milionë euro në 2014 dhe Reali e ribleu për 30 mln euro një vit më vonë, për ta shitur te Çelsi për 80 mln euro, një rekord për një lojtar të akademisë, duke i sjellë klubit një fitim prej 72 milionë eurosh.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"