Gjermania e frikshme, Myler leksion për CR7

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 17, 2014 | 10:10

Gjermania e frikshme, Myler leksion për CR7

Myler dhe PepeNëse do të mjafton te popullariteti i një lojtari që skuadra e tij të fitonte, Portugalia nuk do të kishte rivalë. Që prej ngritjes në nxehmje, Kristiano Ronaldo është më i duartrokituri. Çdo frymëmarrje e “Topit të Artë” shoqërohet nga ovacione. Por pastaj bën me të vërtetë pak në fushë, për të mos thënë asgjë, edhe pse entuziazmi përfundon shpejt: Gjermania nuk lë shumë vend për ekzaltimin e të tjerëve. Që në pjesën e parë është 3-0 dhe ka një njeri më shumë në fushë, sepse Pepe la skuadrën e tij me 10 vetë në minutën e 37-të, me të fundit nga të shumtat idiotësi që ka bërë në karrierën e tij. Një debutim katastrofë. Rezultati pastaj fiksohet përfundimisht në 4-0, me një tripletë të një legjende të re të Botërorit për “pancerat”, njeriut të ndeshjes dhe kryeshënuesit të këtij edicioni të Kupës së Botës. Është Tomas Myler ylli i ndeshjes, me meritë të plotë, ndërsa Ronaldo del me kokën ulur, por falënderon brazilianët. Nuk mund të bëjë asgjë, ndërsa shenjat e dëmtimit të tij shihen në fushë, tërësisht jashtë forme. Debutimi i gjermanëve respekton traditën: kanë humbur vetëm një herë në 17 ndeshjet e tyre të para (fitorja e shtatë radhazi).

StadiumiArena Fonte Nova”, Salvador
GJERMANI – PORTUGALI   4:0
Golat: T.Myler 11′ (pen), 45+1′, 78′, Humels 32′
GJERMANIA: M.Neuer, P.Lahm, P.Mertesacker, J.Boateng, B.Höwedes, M.Hummels (Sh.Mustafi 73′), M.Özil (A.Schürrle 63′), S.Khedira, T.Kroos, M.Götze, T.Müller (Podolski 82′). Trajner: J.Löw
PORTUGALIA: R.Patrício, Pepe, B.Alves, F.Coentrão (A.Almeida 65′), J.Pereira, R.Meireles, Nani, M.Veloso (R.Costa 46′), J.Moutinho, C.Ronaldo, H.Almeida (Eder 28′). Trajner: Paulo Bento
Gjyqtarë: M.Mažić, M.Ristić, D.Djurdjević  (Serbi)
Kartone te verdhe: J.Pereira 10′
Karton i kuq: Pepe 37′

GjermaniaGjermani jubilare – Ndeshja e 100-të në Botëror, askush si ata në këtë turne. Ishte parashikuar një finale e vështirë e këtij edicioni, por në fund rezultoi një shëtitje: Myler vendos emrin e tij në listën e golashënuesve pas vetëm 12 minutash lojë (faull i Pereiras ndaj Gëces në zonë), Humelsi dyfishon me një goditje të fuqishme me kokë pas gjysmë ore pas një goditjeje këndi të Krosit, ndërsa autori i golit të parë shënon sërish në shtesë, duke detyruar të gabojë Bruno Alveshin. Luzitanët duken të zhdukur prej inferioritetit numerik, që i shtohet edhe i nxehti dhe forca e papërballueshme e gjermanëve. Për më tepër, edhe përpjekja për të vendosur një tank si Hugo Almeida përballë mbrojtjes gjermane sfumohet shpejt, sepse qendërsulmuesi dëmtohet dhe në vend të tij hyn Eder pa u luajtur ende gjysmë ore lojë. 4-3-3 i Bentos me Ronaldon në të majtë, shndërrohet në një 4-3-2 dhe futja e një mbrojtësi (Rikardo Kosta për Velozon), veç tre golave shpjegon dhe gjendjen e mjerë të iberikëve. Një tjetër lajm i keq për trajnerin e Portugalisë është edhe dëmtimi i Koentraos.
Sa shumë raste – Gjermania konfirmon skemën e saj “alla Guardiola” me shumë cilësi teknike në mesfushë dhe në sulm. Ashtu si “Bild” e kishte parashikuar, Lëv la në stol zv/ kapitenin Bastian Shvajnshtaiger, për të rreshtuar një mesfushë me Lahmin në qendër, i mbështetur nga krahët prej Kros dhe Khedira. Përpara nuk është një pykë e mirëfilltë, por Myleri, i cili spostohet herë pas here, ndonëse pjesën më të madhe të ndeshjes e luan si qendërsulmues, përpara këmbëve inteligjente të Ozilit dhe Gëces. Kjo është treshja që zbërthen portugezët. Duhet theksuar se “Die Mannschaft” dominoi edhe përpara se portugezët të mbeteshin me 10 vetë në fushë. E qetë në manovrën e saj dhe pa e vënë kurrë në diskutimin zotërimin e topit moduli i Lëvit nuk i jep pika referimi kundërshtarit. Në 90 minutat e para, Lëvin e trembi vetëm dëmtimi i Humelsit, ndërsa Ronaldo çmendet në pjesën e dytë, kur kryesori Maziç nuk vërshëllen një penallti për Eder pas kontaktit me Hëvedezin në zonë. Për të ardhur keq që në një goleadë, nuk ka vend për Klosen në fushë (14 gola), i cili kërkon të thyejë rekordin e Ronaldos me 15 gola në një Botëror. Por Lëv i ka bërë planet për të shkuar shumë larg këtë Kupë Bote. Kur këtë fat pëson rivalja kryesore e Gjermanisë në grup, 36-vjeçari ka shans ta provojë shënjestrën e tij me Ganën dhe SHBA-në.

Boateng: Ia si e ndalëm Ronaldon
Së bashku me Mesut Ozilin dhe Sami Khedirën ishte lojtari i tretë i kombëtares gjermane, i cili nuk këndoi himnin në ndeshjen me Portugalinë, por me paraqitjen e tij në fushë, Zherom Boateng i shpëton kryqëzimit të mediave gjermane. Moskëndimi i himnit nga Boa u justifikua me përqendrimin e lartë të lojtarit përpara ndeshjes. Ashtu si në EURO 2012, mbrojtësi i Bajernit arriti ta ndalte me sukses yllin e portugezëve, duke u spostuar nga Joakim Lëv në krah të djathtë të mbrojtjes së “pancerave”. “E gjithë skuadra funksionoi shumë mirë. Ushtruam presing dhe u lamë shumë pak hapësira portugezëve. Edhe Ronaldo e pati shumë të vështirë. Nuk i lejuam asnjë shans, sepse punuam si duhej në mbrojtje dhe dubloheshim sa herë që ai ishte në zotërim të topit. Ishte një paraqitje shumë e mirë e skuadrës në tërësinë e saj”, – tha 25-vjeçari në përfundim të ndeshjes.

Pepe e meritonte të kuqen, gjyqtari serb gaboi një herë
Për të marrë Milorad Maziç, FIFA la arbitra si Skomina dhe Kasai në shtëpi. Dhe në debutimin e tij në Botëror, paraqitja e gjyqtarit serb analizohet nga tri episode. Penalltia e Gëces – Momenti i parë ka për protagonist Zhoao Pereiran, i cili pengon Gëcen në depërtimin e tij në zonë. Mbrojtësi portugez bën një faull naiv, sepse fantazisti gjerman e driblon dhe ai përpiqet ta mbajë prej krahut të majtë, duke i humbur ekuilibrin dhe rrëzuar në tokë. Gëce nuk bën asgjë për të qëndruar në këmbë, por Maziç vepron drejt duke vërshëllyer 11-metërsh. Kontakti i lehtë i Pereiras i kushton maksimumi kartonin e verdhë, sepse nuk i heq lojtarit mundësinë e shënimit të një goli të sigurt.
Kartoni i kuq – Kartonin e dytë të kuq të këtij Botërori pas atij të Pereiras në ndeshjen Uruguai-Kosta Rika, e merr Pepe. Mbrojtësi i Portugalisë ndalon Mylerin me një dorë të ngritur në fytyrë: Maziç e vlerëson si faull. Mbrojtësi i Realit nuk ndalet me kaq dhe shkon dhe ndesh kokën e sulmuesit gjerman ende në tokë. Gjest i dhunshëm dhe arbitri është i detyruar të nxjerrë direkt kartonin e kuq. Me rregullore mjafton tentativa për të goditur me bërryl apo pështyrë për të dalë nga fusha. Pepe shkoi me të drejtë në dhomat e zhveshjes në minutën e 32-të.
Penalltia e Eder – Gabimi i vetëm i Maziçit ndodh në pjesën e dytë, kur rezultati ishte 3-0 dhe Ederi pengohet në zonë nga Hëvedez. Mbrojtësi i Shalkes është në kohëvonesë dhe ka kontakt me sulmuesin në zonë. Penalltia është e pastër dhe duhej shoqëruar edhe me kartonin e kuq të gjermanit, sepse i hiqte mundësinë e pastër Portugalisë të shënimit të një goli. Por Maziç nuk reagoi.

Humels pëson tërheqje: Pas 2-3 ditësh jam OK
Starti fantastik i Gjermanisë u zbeh disi nga dëmtimi i Mats Humelsit, i cili në një dyluftim me Eder pas minutës së 70-të mbajti gjurin e djathtë me dorë. Afrohet doktori Volfart dhe kërkon menjëherë zëvendësimin e 25-vjeçarit. Por mbrojtësi i Dortmundit kishte pësuar vetëm një tërheqje muskulore, duke qetësuar skuadrën dhe tifozët gjermanë. “Humels pësoi një tërheqje në kofshë dhe ne shpresojmë që të mos jetë asgjë dramatike”, – tha trajneri Lëv. Ndërkohë që vetë ylli i Dortmundit shtoi: “Ndjeva një tërheqje në kofshën e djathtë. Shpresoj të mos jetë asgjë e rëndë. Pas dy ose tre ditësh do të jem sërish i gatshëm”.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"