15 vjet nga “Topi i Artë”, Sheva: Milani si film pa fund

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 15, 2019 | 14:28

15 vjet nga “Topi i Artë”, Sheva: Milani si film pa fund

Te Milani erdhi në moshën 22-vjeçare dhe ishte viti i 100-vjetorit të klubit. “Kartëvizita” ishin golat e shumtë me Dinamon e Kievit, me fanellën e së cilës u kishte shënuar më të mëdhave të Europës. Në Itali asokohe s’e njihte askush, por publikut iu desh pak kohë për të kuptuar se ai djalosh me flokë të verdha ishte i veçantë. 15 vjet e dy ditë më parë, Andrij Shevçenko fitonte “Topin e Artë”. Për të rikujtuar atë vlerësim, ukrainasi ka dhënë një intervistë për “Gazzetta dello sport”, ku ka folur gjatë për të kaluarën dhe idhujt kuqezinj.aff7fa47ef27e195bc4552561f019e54

Andrij, çfarë dinit për Milanin kur zbarkuat në Itali?

Njihja historinë e Sakit dhe Kapelos, por kisha informacion edhe për Milanin e Nereo Rokos. Ishte skuadra e preferuar pas Dinamos së Kievit. Kisha parë edhe finalet e Champions-it kundër Barcelonës dhe Steauas. I adhuroja kuqezinjtë, ndaj edhe i zgjodha.

A ishte Van Basteni idhulli juaj?

Ekipi i Sakit kishte shumë kampionë: Gulit, Van Basten, Barezi, Donadoni, Maldini. Skuadër e jashtëzakonshme, ku vështirë të veçosh vetëm dikë.

Ançelotin e keni njohur, por a do t’ju pëlqente të punonit me Rokon apo Sakin?

Me Sakin do të kishte qenë interesante, sepse si mentalitet ngjason me Lobanovskin, mentori im që më rriti në radhët e Dinamos së Kievit. Mund, intensitet, punë dhe mendim kolektiv ishin vetëm disa nga konceptet e mendësisë së tij. Saki ishte revolucionar në Europë, siç ishte Lobanovski në ish-Bashkimin Sovjetik.

Mendojmë për 1999-ën. Cila është gjëja e parë që ju vjen ndërmend?

Pritja që më bënë djemtë. Kostakurta, Ambrozini, Albertini dhe Maldini ishin disa nga senatorët që më ndihmuan të ndihesha komod. Bobani dhe Leonardo më flisnin shumë gjithashtu dhe të ndierit në shtëpi më ndihmoi të ambientohesha me lehtësi.shevcenko

Me shumë lehtësi do të thosha, nëse shohim numrin e golave. Cili është më i veçanti?

Ai në Mançester kundër Juventusit. Të fitosh Ligën e Kampioneve është një ndjesi fantastike. Aty nisi një cikël dhe periudha ime magjike, praktikisht rrugëtimi im drejt “Topit të Artë”.

E të mendosh që sezoni 2002-‘03 nisi me një dëmtim në gju dhe me një kualifikim të mundimshëm ndaj Slovan Liberec…

Të qëndrosh jashtë për arsye dëmtimi është e mundimshme, aq më tepër në një sfidë aq të rëndësishme. Për fat, gjithçka shkoi mirë dhe emocioni i goditjes së një 11-metërshi aq të rëndësishëm është ende i freskët në mendimet e mia.

Me Berluskonin kishit një marrëdhënie shumë të ngrohtë…

Normale, fundja çdo gjë që ka lidhje me karrierën time në Milano, është e lidhur edhe me presidentin.

maldini shevcenko anceloti

Milani mbush 120 vjeç: zgjidhni një futbollist simbol!

Them Paolo Maldini, sepse përfaqëson Milanin tim, por edhe shumë skuadra kuqezi ndër vite. Klubi ka pasur shumë kampionë, si Rivera, Berezi, por Paolo është simboli i kohës sime dhe njëkohësisht një futbollist i veçantë. Djalë i një kapiteni të Milanit që më pas u bë vetë kapiten e fitoi gjithçka. Sot është drejtues dhe djali i tij luan për Milanin. Po flasim për një histori që përshkon shumë breza dhe përbën rast të rrallë në botën e futbollit.

Në futboll disa gjëra harrohen shpejt dhe Milani ka humbur disi joshjen…

Historia nuk mund të harrohet dhe tifozët e vërtetojnë. Mendoni pak sa tifozë ka pasur ekipi edhe në momentet e vështira. Çfarë urimi do t’i bënit Milanit për 120-vjetorin? Uroj këdo që ka kontribuar për krijimin e këtij emocioni të gjatë. Është një festë për çdo milanist dhe jo vetëm për ata që kanë pasur fatin të luajnë me fanellën kuqezi. Milani është unik, si një film i gjatë që nuk ka fund. Kush e do futbollin, e di mirë këtë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"