ZYRTARE/ Lamtumira të paralajmëruara, Egnatia ndan rrugët me dy lojtarët për të plotësuar dëshirat e Nevil Dedes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 11, 2026 | 12:58

ZYRTARE/ Lamtumira të paralajmëruara, Egnatia ndan rrugët me dy lojtarët për të plotësuar dëshirat e Nevil Dedes

Klubi i Egnatias ka nisur t’u japë lamtumirën futbollistëve të cilët janë jashtë planeve të trajnerit Nevil Dede për sezonin e ardhshëm. Ashtu siç kishte paralajmëruar “Panorama Sport”, nga rrogozhinasit janë larguar Nikola Buriç dhe Anio Poçi.

egnatia

Të dy futbollistët mendohej se do të ktheheshin në titullarë të paprekshëm në radhët e ekipit të Egnatias, por ishin larg pritshmërisë që kishte për ta, ndaj palët kanë vendosur të ndajnë rrugët. Kjo vjen edhe për shkak të kërkesave të trajnerit Dede i cili ka kërkuar përforcime në ekip për edicionin e ri dhe rrogozhinasit kësisoj kanë hapur vend në ekip për afrimet që kanë planifikuar.

“Faleminderit, Anio Poçi! Përkushtimi, pasioni dhe kontributi yt do të mbeten gjithmonë pjesë e historisë së Egnatias. Faleminderit për çdo ndeshje, çdo sakrificë dhe çdo moment të ndarë me fanellën bardhejeshile. Të urojmë suksese në çdo hap të rrugëtimit tënd të ardhshëm!”, shkroi fillimisht klubi rrogozhinas në rrjetet sociale.

“Faleminderit, Nikola Buriç! Nikola Buriç nuk do të jetë më pjesë e Egnatias, duke lënë pas golat , përkushtimin dhe momentet e tij me fanellën bardhejeshile.

Klubi e falënderon për gjithçka që ka dhënë në shërbim të ekipit dhe i uron suksese në çdo hap të rrugëtimit të tij të ardhshëm”, shkruhej më pas në njoftimin për sulmuesin.

PANORAMASPORT.AL