Vëzhgimi i “Panorama Sport”/ Futbollistët shqiptarë pushtojnë Zvicrën, 34 lojtarë do të luajnë në sezonin e ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 27, 2026 | 18:46

Vëzhgimi i “Panorama Sport”/ Futbollistët shqiptarë pushtojnë Zvicrën, 34 lojtarë do të luajnë në sezonin e ri

Futbolli zviceran vazhdon të ketë një “ngjyrë” të fortë shqiptare. Sezoni 2026/27 i Superligës së Zvicrës sjell edhe një herë një përfaqësim të jashtëzakonshëm të futbollistëve me origjinë shqiptare, të cilët janë bërë pjesë e pandashme e elitës së këtij kampionati. Në total, 34 futbollistë shqiptarë do të jenë pjesë e skuadrave të Superligës, një tregues i qartë i ndikimit që komuniteti shqiptar vazhdon të ketë në futbollin zviceran.

Screenshot 2026-07-27 184615

Klubi me përfaqësimin më të madh është Grashopersi, ku bëjnë pjesë Eron Avdullahu, Ismail Beka, Amir Abrashi, Samuel Krasniqi dhe Leart Kabashi. Me pesë futbollistë shqiptarë renditen edhe Sioni, që ka në organikë Kreshnik Hajrizin, Donat Rrudhanin, Rilind Nivokazin, Benjamin Kolollin dhe Adrien Llukën, si edhe Cyrihu, ku luajnë Lindrit Kamberi, Selmin Hoxha, Bledian Krasniqi, Valon Berisha dhe Melvin Hoxha. Edhe klubet e tjera kanë besuar te futbollistët shqiptarë.

Bazeli do të mbështetet te përvoja e Xherdan Shaqirit dhe Albian Ajetit, ndërsa Lugano do të ketë në dispozicion Ezgjan Alioskin, Gjan Ajdinin dhe Uran Bislimin. Te Lucerni aktivizohen Simon Simoni, Erblin Sadikaj dhe Demir Xhemalija, ndërsa Shën Galleni përfaqësohet nga Behar Neziri, Betim Fazliji dhe Leon Frrokaj.

Në elitën zvicerane nuk mungojnë as emra të tjerë shqiptarë. Vaduzi ka në skuadër Liridon Berishën, Denis Simanin dhe Lutfi Dalipin, Lozana përfaqësohet nga Alban Ajdini, Serveti nga Leo Beson, Jang Bojsi nga Kastriot Imeri, ndërsa Thuni nga Valmir Matoshi dhe Dorian Derbaci. Prania e kaq shumë futbollistëve shqiptarë nuk është rastësi. Prej vitesh, Zvicra është kthyer në një nga vendet ku talentet shqiptare janë rritur, janë zhvilluar dhe kanë ndërtuar karriera të suksesshme.

Emra si Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Valon Behrami, Blerim Xhemaili, Admir Mehmedi e shumë të tjerë kanë hapur rrugën për brezin e ri, i cili sot po vazhdon të shkruajë historinë në futbollin zviceran. Përveç rolit të tyre në klubet ku aktivizohen, shumë prej këtyre futbollistëve janë edhe pjesë e kombëtareve të Shqipërisë, Kosovës, Zvicrës dhe Maqedonisë së Veriut, duke dëshmuar nivelin e lartë që kanë arritur. Kjo e bën diasporën shqiptare një nga komunitetet më të rëndësishme në futbollin evropian.

Sezoni 2026/27 pritet të jetë një tjetër vit ku futbollistët shqiptarë do të jenë protagonistë në garën për trofe, për pjesëmarrjen në kupat evropiane dhe për afirmimin e talenteve të rinj. Me 34 emra të shpërndarë pothuajse në çdo skuadër të Superligës, ndikimi shqiptar në futbollin zviceran vazhdon të mbetet më i fortë se kurrë.

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL