EKSKLUZIVE/ Largohen dy kampionë të tjerë nga Egnatia, rrogozhinasit e mbyllin me lojtarë që dolën jashtë planeve
Egnatia është padyshim një nga skuadrat më aktive në këtë merkato vere dhe me ndryshimin e trajnerit pak javë para fundit të sezonit, drejtuesit kanë nisur studimin e tregut për të afruar lojtarë cilësorë.

Por, para se të afrohen lojtarët e rinj që do të japin kontributin e tyre fillimisht në Champions e më pas në Superiore, drejtuesit kanë menduar që të lirojnë vende duke larguar ato që nuk janë në planet e klubit dhe që nuk kanë bindur në sezonin e fundit. Deri më tani, Kastriot Selmani dhe Abudrrahman Fangaj janë zyrtarizuar si lojtarët që kanë lënë përfundimisht Egnatian, por “Panorama Sport” ka mësuar se ka pasur edhe largime të tjera nga skuadra.
Mbrojtësi Anio Poçi dhe sulmuesi Nikola Buriç, nuk do të jenë pjesë e skuadrës rrogozhinase në vijim dhe të dy lojtarët, do të largohen nga skuadra. Të afruar në merkaton e verës, dy lojtarët dhanë disa herë sinjale se mund të ndihmojnë në skuadër por nuk arritën të kthehen në protagonistë për skuadrën e Dedes.
Egantia ka arritur akord me Bitrin për transferimin e tij në Rrogozhinë dhe largimi i Poçit, i liron vend në këtë mënyrë, teksa Buriç nuk i ka mbushur pritshmëritë, teksa me shumë gjasa do të transferohet Montenegro ditët në vijim. Rrogozhinasit do të zhvillojnë fazën përgatitore pas pak ditësh në Bullgari dhe trajneri Dede kërkon që të ketë grupin e plotë për të përgatitur sfidat e Europës.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL













