Rregulli i ri, Martini gjen titullarin U-18 te Vllaznia
Rregulli i ri i kampionatit, që detyron çdo skuadër ta nisë ndeshjen me një futbollist të lindur pas vitit 2007, pritet të ndikojë jo pak edhe në zgjedhjet e Edi Martinit te Vllaznia. Në kampin kuqeblu, emri që duket se e nis me më shumë avantazh është ai i Sokol Uldedajt, i cili jo vetëm plotëson kriterin e moshës, por deri tani ka qenë edhe një nga të rinjtë më të aktivizuar gjatë fazës përgatitore.

Mesfushori ka marrë besimin e stafit teknik në pjesën më të madhe të ndeshjeve miqësore, duke qenë shpesh pjesë e formacionit të parë. Kjo është një shenjë se Martini e sheh Uldedajn si një alternativë serioze për sezonin e ri, ndërsa rregulli i ri vetëm sa mund t’ia rrisë edhe më shumë shanset për të qenë titullar në javët e para të kampionatit.
Megjithatë, gara për këtë vend nuk pritet të jetë e lehtë. Edhe futbollistë të tjerë të rinj si Simoni, vëllai i Sokolit, apo Kthupi, janë kandidatë për të përfituar nga ky rregull dhe për të gjetur hapësira në formacionin kuqeblu. Të dy kanë lënë përshtypje pozitive në stërvitje dhe miqësore, ndërsa stafi teknik do të vlerësojë nga java në javë se cili prej tyre ofron më shumë garanci. Në të njëjtën kohë, aktivizimi i një lojtari U-18 nuk duhet parë vetëm si një detyrim i rregullores, por edhe si një mundësi për Vllazninë që të investojë te futbollistët e akademisë.
Klubi shkodran ka treguar prej kohësh se beson te të rinjtë dhe këtë sezon duket se do të ketë edhe më shumë arsye për t’u dhënë atyre minuta në elitën e futbollit shqiptar. Nëse e ruan ritmin e deritanishëm dhe vazhdon të fitojë besimin e trajnerit, Sokol Uldedaj duket kandidati kryesor për të përfituar nga rregulli i ri. Megjithatë, sezoni është i gjatë dhe konkurrenca brenda grupit pritet të jetë e fortë, çka do t’i detyrojë të gjithë talentet e rinj të Vllaznisë të luftojnë për çdo minutë në fushën e lojës.
PANORAMASPORT.AL













