Vora pa katër titullarë, Ruçi: Kundër kampionëve synojmë një rezultat pozitiv

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 8, 2025 | 12:14

Vora pa katër titullarë, Ruçi: Kundër kampionëve synojmë një rezultat pozitiv

Vora me seancën e djeshme i ka dhënë fund përgatitjeve për takimin e radhës që do të zhvillojë sot në Rrogozhinë, në ora 16;00 në “Arena Egnatia” kundër ekipit vendas, kampionëve në fuqi, Egnatias.

vora

Trajneri Bellaj do ta ketë mjaft të vështirë ndërtimin e një formacioni titullar për ta nisur takimin ndaj kampionëve, pasi skuadra e tij do të vuajë 4 mungesa titullarësh, ku emra si Shehi, Repaj, Bardhi apo Luis Felipe, janë seriozisht mungesa të mirëfillta për një ekip debutues si Vora e kur përballë ka kampionët e Shqipërisë.

MUNGESAT – Vora në këtë takim do të jetë mjaft e cunguar, pasi tre nga titullarët e saj e pikërisht, dy qendërmbrojtësit e saj, Dajan Shehi dhe Serjan Repaj, po kështu dhe sulmuesi brazilian Luis Felipe da Silva Rodrigues, për shkak të plotësimit të numrit 4 të kartonëve të verdhë. Por në limitin e numrit të kartonëve të verdhë me nga 3 secili, janë dhe 3 futbollistë të tjerë si Patrik Bardhi, Irgi Kasalla dhe Enis Fazllagiç, që u kërkohet të bëjnë një kujdes shumë të madh, pasi me një të verdhë tjetër, ata do të penalizoheshin për ndeshjen e radhës kundër Elbasanit.

Gjithashtu një mungesë tjetër akoma edhe më e rëndësishme për Vorën, do të jetë edhe mungesa e sulmuesit nga më të mirët e këtij sezoni të superiores, Patrik Bardhi, që u dëmtua në ndeshjen kundër Vllaznisë, duke lënë fushën në minutën e 72-të. Ende nga stafi mjekësor vorak nuk është dhënë “Ok” për të luajtur. Këto mungesa të rëndësishme të Vorës janë të kapacitetit të lartë të lojës edhe pse dublantët e roleve të tyre, kanë cilësi të mjaftueshme, kjo nuk e ngroh trajnerin Bellaj i cili nuk mundet t’i bëjë ballë me kaq shumë mungesa njëherësh. Lidhur me takimin kundër Egnatias, portieri Shkëlzen Ruçi është më i tremburi, pasi nuk do të ketë dy qendërmbrojtësit Shehi dhe Repaj e do t’i duhet më shumë kujdes.

Megjithatë ai përsëri është optimist por gjithmonë ai në deklaratën e tij tregon se Vora duhet të qëndrojë me “këmbë në tokë”, pavarësisht këtij fakti, nuk mund të ketë justifikime për të shkuar e për të pretenduar për një rezultat pozitiv. “Këtë herë do të jemi shumë në vështirësi për të marrë një rezultat pozitiv, pasi duke ditur kualitetet e kundërshtarit dhe mungesat e shumta të ekipit tonë, mendoj se duhet të jemi me këmbë në tokë. Ne do të shkojmë për fitore pasi ky është motivi jonë në çdo ndeshje. Por do të ishte fantastike, sikur të dilnim edhe me një barazim. E rëndësishme për ne është vetëm të mos humbasim”, është shprehur portieri Shkëlzen Ruçi.20ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL