Vora “ndez motorët” pas pushimit katërditor, bomberi i sulmit gati për Bellajn
Fitorja ndaj Tiranës me rezultatin 2-0 ka rikthyer Vorën në një formë shpërthyese, duke grumbulluar 4 pikët e para në fazën e dytë të kampionatit. Blutë vorakë kanë dominuar plotësisht ndaj bardhebluve, të cilët i kanë mundur dy herë këtë sezon me një golaverazh mbresëlënës 5-1.

Ky sukses ka shërbyer si shpërblim për futbollistët e skuadrës së trajnerit Bellai, të cilët po përfitojnë nga ndërprerja e kampionatit për t’u rikuperuar fizikisht dhe psikologjikisht. Skuadra është lejuar në një pushim 4-ditor, i cili erdhi në një moment të përshtatshëm, pasi Vora po luante e lodhur dhe me dëmtime të shpeshta. Nga dita e sotme, ekipi rikthehet në stërvitje për të përgatitur takimin e radhës në kampionat, që do të zhvillohet më 21 nëntor ndaj Teutës, ndërkohë që vendi dhe ora e ndeshjes pritet të përcaktohen së shpejti.
Përpara kësaj sfide, më 19 nëntor në orën 13:00, Vora do të luajë në fushën sportive të Ahmetaqit turin e dytë të Kupës së Shqipërisë, ndaj Sopotit të Librazhdit, që militon në Kategorinë e Dytë dhe kërkon surprizën. Ndërkohë, stafi teknik do të shfrytëzojë këtë periudhë për rikuperimin e disa lojtarëve të dëmtuar, që kanë munguar prej fillimit të sezonit. Lojtarët Manfredas Ruzgis dhe Françesko Hasa janë nën kujdes të veçantë të stafit mjekësor.
Ruzgis është shumë pranë rikthimit të plotë, ndërsa për Hasën do të nevojitet edhe pak kohë, ndoshta deri në pushimin e janarit, pasi ka kaluar një operacion të vështirë në gju pas dëmtimit në ndeshjen e parë të kampionatit kundër Partizanit. Gjithashtu, disa lojtarë të tjerë si Xhuljo Tabaku, Luis Felipe, Mario Barjamaj dhe Fatmir Prenga po stërviten me program të diferencuar, për shkak të problemeve fizike. Të gjithë këta konsiderohen ndër më të rëndësishmit në formacionin e Bellait.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













