Koha drejt fundit, Dinamo në Europë me mungesa
Dinamo do të mbyllë për pak ditë fazën përgatitore në Ohër, por kur pritej që të jetë gati për ndeshjet e Europës, ndodhet në një situatë të ndërlikuar në prag të sfidës europiane ndaj Astanës, e cila do të luhet më 9 korrik në kuadër të Ligës së Konferencës, teksa skuadra hyn në këtë ndeshje me disa mungesa të rëndësishme dhe një organikë ende jo të plotë.

Situata për blutë është bërë më e ndërlikuar për shkak të largimeve të rëndësishme në sulm gjatë merkatos së fundit, ku skuadra ka humbur thuajse të gjithë lojtarët protagonistë të fazës ofensive të sezonit të kaluar. Kjo ka krijuar një boshllëk të dukshëm në prodhimin e golave dhe në zgjidhjet individuale në fazën e fundit të fushës. Në këtë moment delikat, Dinamo nuk e ka ende grupin të plotë. Dy afrimet e janarit, Malomo dhe Mustafa, ndodhen aktualisht në Nigeri dhe nuk janë bashkuar ende me skuadrën, çka e bën edhe më të vështirë bashkimin e grupit në një kohë shumë të shkurtër përpara ndeshjes europiane.
Nga merkatoja, deri tani janë afruar vetëm Isi Manellari dhe Almir Ajzeraj, ndërsa është rikthyer nga huazimi Hekuran Berisha. Megjithatë, asnjëri prej këtyre futbollistëve nuk konsiderohet gati për të garantuar menjëherë nivelin dhe sigurinë që kërkon një ndeshje e këtij intensiteti, sidomos duke marrë parasysh mungesën e kohës së përshtatjes me grupin.
SULMI- Reparti më problematik mbetet qartësisht sulmi. Pas largimeve të shumta në këtë sektor, Dinamo praktikisht është detyruar të rindërtojë nga e para fazën ofensive, duke mbetur pa alternativa të konsoliduara dhe pa lojtarë që kanë mbajtur peshën e golit në sezonin e kaluar. Kjo e kufizon ndjeshëm skuadrën në aspektin e krijimit të rasteve dhe finalizimit. Situata bëhet edhe më e vështirë duke marrë parasysh kohën e shkurtër në dispozicion.
Skuadra ka zhvilluar fazën përgatitore prej rreth dy javësh në Ohër, por me një organikë të përgjysmuar, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në përgatitjen taktike dhe fizike të ekipit. Edhe në rast se merkatoja sjell përforcime të tjera në ditët e fundit, koha e mbetur deri në sfidën ndaj Astanës është shumë e kufizuar për të krijuar një skuadër të konsoliduar. Në këto kushte, Dinamo pritet të hyjë në këtë përballje me më shumë pyetje sesa zgjidhje, sidomos në repartin ofensiv ku mungojnë alternativat.
PANORAMASPORT.AL













