Goditje e bujshme e Teutës, pranë firmës me futbollistin që ishte kandidat për Kombëtaren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 28, 2026 | 20:22

Goditje e bujshme e Teutës, pranë firmës me futbollistin që ishte kandidat për Kombëtaren

Teuta vazhdon të përforcohet me elementë të rëndësishëm për sezonin e ri, ku pritet që ekipi nën drejtimin e Edlir Tetovës të kthehet përsëri në kandidat për pozitat më të larta në klasifikim.

geraldo bajrami

 

Durrsakët kanë bërë disa lëvizje në merkato, duke afruar e larguar futbollistë, por ndërkohë po planifikojnë një afrim të bujshëm për të ardhmen. Sipas “Superliga Shqiptare Fan Club”, drejtuesit kanë gjetur gjuhën e përbashkët me Geraldo Bajramin, qendërmbrojtësin 26-vjeçar, i cili ka kaluar gjithë karrierën e tij në Angli.

Ish-futbollisti i Shpresave kuqezi, në sezonin e fundit ka luajtur te Krouli në kategorinë e katërt angleze, duke shfaqur një formë të mirë, teksa duhet theksuar se vinte pas një dëmtimi të gjatë që e la për një vit jashtë fushave të lojës.

Lojtari i cili ishte disa herë në listë pritje të Kombëtares A në vitet kur drejtohej nga Edi Reja, do të transferohet si futbollist me parametër zero, pasi ka mbyllur kontratën me Bërton që zotëronte kartonin e tij.

PANORAMASPORT.AL