Supermarketi shkodran/ Mala te Teuta, Krymi te Tirana… kuqeblutë po furnizojnë rivalët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 28, 2026 | 15:59

Supermarketi shkodran/ Mala te Teuta, Krymi te Tirana… kuqeblutë po furnizojnë rivalët

Vllaznia jo vetëm po rindërtohet, por njëkohësisht po sheh edhe rivalët të përfitojnë nga largimet e saj. Merkatoja verore ka sjellë ndryshime të shumta në kampin kuqeblu, ndërsa disa prej futbollistëve më të rëndësishëm të sezonit të kaluar kanë zgjedhur të vijojnë karrierën te skuadra të tjera të Superiores. Një situatë që, në letër, dobëson Vllazninë, por njëkohësisht forcon edhe konkurrentët direkt për objektivat e sezonit të ri.

VLLAZNIA1

Dy emrat që bien më shumë në sy janë padyshim Esat Mala dhe Ardit Krymi. Mesfushori ka zgjedhur të transferohet te Teuta, ndërsa kapiteni i viteve të fundit ka nisur një aventurë të re me Tiranën. Bëhet fjalë për futbollistë me eksperiencë, personalitet dhe peshë të madhe në kampionatin shqiptar, ndaj largimi i tyre përbën një humbje të rëndësishme për kuqeblutë, ndërsa rivalët fitojnë elementë që njohin mirë Superioren.

Por lëvizjet nuk pritet të ndalen këtu. Edhe emra s Esin Hakaj dhe Eslit Sala janë mes futbollistëve që pritet të vijojnë karrierën te skuadra të tjera të elitës shqiptare. Interesi për ta nuk mungon dhe gjithçka të lë të kuptosh se shumë shpejt edhe ata do të gjejnë destinacionet e reja, duke shtuar numrin e largimeve të rëndësishme nga “Loro Boriçi”. Për drejtuesit e Vllaznisë sfida tashmë është e dyfishtë.

Nga njëra anë duhet të plotësojnë boshllëqet e lëna nga futbollistët që janë larguar, ndërsa nga ana tjetër duhet të ndërtojnë një skuadër që të mbetet konkurruese, pavarësisht se kundërshtarët po përforcohen pikërisht me lojtarë që deri pak javë më parë mbanin veshur fanellën kuqeblu. Koha do të tregojë nëse kjo strategji do të rezultojë e suksesshme për Vllazninë, por një gjë është e sigurt: merkatoja e kësaj vere ka ndryshuar ndjeshëm hartën e forcave në futbollin shqiptar.

Largimet e emrave me peshë drejt rivalëve nuk janë kurrë të lehta për t’u përtypur nga tifozët shkodranë, të cilët tashmë presin që klubi t’u përgjigjet me afrime cilësore dhe të denja për ambiciet e sezonit të ri.

PANORAMASPORT.AL