Burreli hedh sytë nga Kosova, trajneri Nikaj konfirmon për të ardhmen
Më në fund, edhe te Burreli po afrohet momenti i nisjes së punës për sezonin e ri. Pushimet janë drejt fundit dhe skuadra matjane pritet të rikthehet në fushë për të nisur përgatitjet për edicionin 2026- 2027.

Ashtu si sezonin e kaluar, edhe në kampionatin e ri Burreli do të drejtohet nga trajneri Samuel Nikaj, i cili, së bashku me drejtuesit e klubit, ka nisur prej ditësh punën për ndërtimin e skuadrës dhe përforcimin e saj me elementët e duhur.
Matjanët pritet të ndërhyjnë në merkato dhe, për momentin, vëmendja është përqendruar te tregu kosovar. Trajneri Samuel Nikaj konfirmon se klubi është në negociata me disa futbollistë nga Kosova, por pa zbuluar identitetin e tyre.
“Prej ditësh jemi në bisedime me dy ose tre futbollistë nga Kosova, të cilët shpresojmë të japin kontribut për Burrelin në sezonin e ri. Për momentin nuk mund të bëjmë publikë emrat e tyre, pasi bisedimet ende nuk kanë përfunduar”, u shpreh Nikaj për “Panorama Sport”.
Ndërkohë, ende nuk është caktuar data zyrtare e fillimit të përgatitjeve, por grumbullimi i ekipit pritet të zhvillohet jo më vonë se mesi i muajit korrik. Deri atëherë, drejtuesit synojnë të kompletojnë sa më shumë organikën, në mënyrë që skuadra ta nisë fazën me grupin e plotë.
NDERIM GOCI-PANORAMASPORT.AL













