Tirana vendos objektiv titullin kampion, zbulohet kërkesa e trajnerit kroat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 28, 2026 | 14:04

Tirana vendos objektiv titullin kampion, zbulohet kërkesa e trajnerit kroat

Tirana ka nisur të rindërtojë skuadrën për sezonin e ri me qëllimin për trofe. Drejtuesit kanë vendosur që si gjithmonë të investojnë si në trajner cilësor dhe lojtarë. Shenjat e para janë shumë “forta”.

tirana

Bardheblutë po afrojnë njerëz që në gjak kanë titullin kampion. Jo më kot kanë marrë një teknik që ka fituar titullin në Poloni. Strateg dhe nga ata që ndërtojnë skuadra të mëdha. Edhe lojtarët që kanë mbyllur marrëveshjen janë të një niveli tjetër. Në ditët në vazhdim do të ketë afrime të tjera për ekipin, që si qëllim kryesor këtë sezon do të ketë titullin kampion. Titull, që mungon nga sezoni 2021-2022.

FAZA – Tirana do të nisë zyrtarisht fazën përgatitore për sezonin e ri në datat 5–6 korrik, duke hyrë në një periudhë intensive pune që do të përcaktojë formën dhe objektivat e skuadrës për edicionin e ardhshëm.

Bardheblutë pritet të grumbullohen fillimisht në kryeqytet, ku do të zhvillohen testet mjekësore, matjet fizike dhe seancat e para stërvitore me ngarkesë të lehtë, për të rikthyer gradualisht lojtarët në ritmin e punës. Pas disa ditësh përgatitjesh në Tiranë, ekipi do të spostohet drejt Ohrit, ku do të zhvillohet faza kryesore e përgatitjeve verore. Stafi teknik ka planifikuar një program më të ngjeshur, me dy seanca stërvitore në ditë dhe disa miqësore.

KUSHTI – Trajneri i ri i Tiranës, Dean Klafuriç ka kërkuar me ngulm që grupi të jetë sa më i plotë që në ditët e para të grumbullimit. Sipas tij, është thelbësore që të mos ketë mungesa të rëndësishme, në mënyrë që të krijohet sa më shpejt harmonizimi mes lojtarëve të vjetër dhe afrimeve. Në Ohër, përveç punës fizike dhe taktike, pritet të zhvillohen edhe disa ndeshje miqësore, të cilat do t’i shërbejnë stafit teknik për të testuar formacionin, skemat dhe gjendjen e futbollistëve në kushte loje.

Këto testime do të jenë vendimtare për të kuptuar se cilët lojtarë përshtaten më mirë me idetë e trajnerit dhe për të finalizuar grupin përpara nisjes së kampionatit. Klubi synon që kjo fazë përgatitore të vendosë bazat e një sezoni më konkurrues, ku objektivat mbeten të larta si në kampionat, ashtu edhe në Kupën e Shqipërisë.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL