Nga dyshimet te besimi, merkatoja e Vllaznisë po fiton pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 28, 2026 | 12:47

Nga dyshimet te besimi, merkatoja e Vllaznisë po fiton pikë

Në futboll, gjykimet e merkatos shpesh bëhen shumë shpejt, por fusha është ajo që jep verdiktin e vërtetë. Pikërisht këtë ndjesi po përcjell Vllaznia në këtë fazë përgatitore, teksa afrimet e verës, të cilat u pritën me skepticizëm nga një pjesë e tifozëve, kanë nisur të japin sinjale mjaft pozitive. Miqësorja ndaj Rudës ishte një tjetër provë se kuqeblutë mund të kenë goditur në zgjedhjet e tyre.

VLLAZNIA

Në qendër të vëmendjes ishte padyshim Herald Marku. Mesfushori realizoi dy gola dhe konfirmoi edhe një herë se fanella kuqeblu duket sikur i nxjerr në pah cilësitë më të mira. Me personalitet, ritëm dhe aftësi për të qenë vendimtar në fazën sulmuese, Marku dha sinjalet se mund të jetë një nga liderët e skuadrës në sezonin e ri.

Po aq premtues ishte edhe debutimi i Rrok Tomës. Sulmuesi nuk humbi kohë për të lënë gjurmë, duke gjetur rrugën e rrjetës që në paraqitjen e tij të parë me Vllazninë. Përtej golit, ai tregoi lëvizje interesante, prezencë në zonë dhe instinkt sulmuesi, elementë që mund t’i japin më shumë alternativa repartit ofensiv të kuqebluve.

Sigurisht, bëhet fjalë vetëm për një ndeshje miqësore dhe është ende herët për përfundime të mëdha. Megjithatë, ajo që pa stafi teknik ishte inkurajuese. Futbollistët e afruar këtë verë po përshtaten shpejt me grupin dhe po tregojnë se mund të jenë elementë të rëndësishëm në projektin e ri të skuadrës. Këto janë sinjale që rrisin optimizmin në kampin shkodran, sidomos në prag të sfidës së rëndësishme të Conference League ndaj Malishevës.

Vllaznia ka ende punë për të bërë, por nëse afrimet e reja vazhdojnë të japin këtë kontribut, atëherë merkatoja e kritikuar deri dje mund të rezultojë shumë më e suksesshme sesa është menduar fillimisht.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL