EKSKLUZIVE/ Elbasani dëshiron të rrëmbejë sulmuesin e Dinamos, i dërgon futbollistit ofertën konkrete (E PLOTË)
Elbasani nuk e ka mbyllur ende merkaton e verës. Edhe pse deri më tani ka zyrtarizuar disa afrime të rëndësishme, drejtuesit verdheblu vijojnë punën për të kompletuar organikën e trajnerit Ivan Gvozdenoviç përpara sfidave në Ligës së Konferencës dhe nisjes së kampionatit të ri.

Pas përforcimeve në sulm, mbrojtje dhe me kërkimet që vazhdojnë për një mesfushor qendre e një portier, në radarët e klubit ka përfunduar edhe një tjetër emër i njohur i Superiores.
Burime ekskluzive të “Panorama Sport” bëjnë me dije se Elbasani synon të afrojë në skuadër Tiago Nani. Sulmuesi i krahut i Dinamos po monitorohet prej disa ditësh nga drejtuesit verdheblu, të cilët kanë bërë edhe lëvizjen e parë konkrete. Sipas të njëjtave burime, klubi i ka dërguar futbollistit një ofertë dhe tashmë mbetet për t’u parë nëse palët do të arrijnë një marrëveshje përfundimtare.
SULMI – Verdheblutë po vazhdojnë të investojnë në repartin ofensiv, edhe pse gjatë kësaj merkatoje kanë afruar emra si Rubin Hebaj, Ardit Nikaj dhe Ledio Tresa. Ideja e stafit teknik është që skuadra të ketë sa më shumë alternativa në repartin e avancuar, duke qenë se sezoni i ri do të jetë më i ngarkuar, me angazhime si në kampionat ashtu edhe në arenën europiane. Në këtë kuadër, profili i Tiago Nanit vlerësohet si një futbollist që njeh shumë mirë Superioren dhe nuk do të kishte nevojë për kohë përshtatjeje. Përvoja e fituar gjatë dy sezoneve të fundit me Dinamon e bën një alternativë interesante për repartin ofensiv të verdhebluve.
PROFILI – Portugezi 28- vjeçar ka qenë një nga lojtarët më të aktivizuar të Dinamos në dy sezonet e fundit. Në edicionin e sapopërfunduar ai zhvilloi 32 ndeshje në kampionat, duke realizuar një gol, ndërsa një sezon më parë ishte edhe më produktiv, teksa luajti 27 takime dhe shënoi pesë gola. Edhe pse nuk është një sulmues me shumë gola, Nani vlerësohet për punën që bën në krahët e sulmit, shpejtësinë, eksperiencën dhe aftësinë për të krijuar hapësira për shokët e skuadrës. Pikërisht këto karakteristika kanë bërë që ai të futet në listën e objektivave të Elbasanit.
MERKATO – Ndërkohë, puna e drejtuesve nuk ndalet vetëm te krahu i sulmit. Paralelisht, Elbasani vijon të kërkojë edhe një mesfushor qendre, i cili do të zëvendësojë Isi Manellarin, ndërsa mbetet ende e hapur edhe çështja e portierit pas largimit të Martin Janaçek. Verdheblutë po analizojnë disa alternativa nga tregu i huaj, me synimin për ta kompletuar skuadrën përpara sfidës së parë europiane ndaj BATE Borisov. Objektivi është që Gvozdenoviç të ketë në dispozicion një grup sa më të plotë dhe konkurrues, ndërsa merkatoja pritet të mbetet aktive edhe në ditët në vijim.
Deri në këto momente, Elbasani ka zyrtarizuar pesë afrime në merkaton e verës. Verdheblutë kanë përforcuar skuadrën me Rubin Hebajn, Ardit Nikajn, Ledio Tresën, Edoli Lukokin dhe së fundmi mbrojtësin Joan Epitaux.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













