Më shumë personalitet, “Demat” bëhen gati për trajnerin Bratu
Kur një klub vendos të ndryshojë trajnerin, objektivi nuk është thjesht të gjejë një emër të ri për stolin. Qëllimi është të nisë një proces të ri. Pikërisht këtë synon edhe Partizani, që është shumë pranë zyrtarizimit të rumunit Florin Bratu.

Misioni i tij nuk do të kufizohet vetëm te rezultatet, por mbi të gjitha te krijimi i një skuadre që të ketë identitet të qartë në fushë. Në futbollin modern, identiteti është një nga elementët që ndan skuadrat pretendente nga ato që thjesht luftojnë për të fituar ndeshje të veçanta. Një ekip me identitet nuk ndryshon mënyrën e lojës sipas kundërshtarit, por detyron kundërshtarin të përshtatet me të. Ky ishte ndoshta elementi që i mungoi më shumë Partizanit gjatë sezonit të kaluar. Të kuqtë zhvilluan ndeshje shumë të mira, por edhe të tjera ku skuadra dukej pa ide, pa ritëm dhe pa vazhdimësi. Pikërisht kjo luhatje bëri që ekipi të mbetej jashtë “Final Four” dhe të humbiste edhe mundësinë për të qenë pjesë e kupave të Europës.
EKIPI- Bratu pritet të marrë në dorëzim një skuadër që nuk ka nevojë të rindërtohet nga e para. Organika ka cilësi, ka futbollistë me eksperiencë dhe ka lojtarë që e njohin mirë peshën e fanellës së Partizanit. Sfida e trajnerit rumun është t’i bashkojë këto individualitete në një skuadër që funksionon si një mekanizëm i vetëm. Në sezonet kur Partizani ka fituar trofe, nuk ka qenë domosdoshmërisht skuadra me më shumë yje, por ajo që ka pasur organizimin më të mirë. Kampionati i fituar në sezonin 2022-2023 është shembulli më i qartë. Ekipi kishte disiplinë taktike, role të përcaktuara dhe një mënyrë loje që nuk ndryshonte nga java në javë.
Kjo është ajo që duhet të rikthejë Bratu. Identiteti fillon në stërvitje, vazhdon në ndeshjet miqësore dhe forcohet gjatë javëve të para të kampionatit. Një tjetër aspekt ku pritet të ndërhyjë trajneri i ri është intensiteti i lojës. Partizani historikisht është identifikuar si një skuadër që ushtron presion, fiton duelet dhe nuk i lë hapësira kundërshtarit. Sezonin e kaluar, këto elemente u panë në disa ndeshje, por munguan në momentet vendimtare. Nëse Bratu arrin ta rikthejë këtë agresivitet sportiv, skuadra do të fitojë menjëherë një dimension tjetër. Jo vetëm në aspektin mbrojtës, por edhe në mënyrën se si ndërton aksionet sulmuese. Edhe zgjedhja e futbollistëve do të lidhet ngushtë me këtë filozofi. Trajneri rumun pritet të ketë fjalën e fundit për afrimet, duke kërkuar lojtarë që përshtaten me mënyrën e tij të lojës dhe jo thjesht emra me CV të pasur.
“AVANTAZHI”- Bratu do të ketë edhe një avantazh që shumë trajnerë nuk e kanë pasur vitet e fundit. Mungesa në kupat e Europës i jep kohën e nevojshme për të punuar pa presionin e ndeshjeve zyrtare që në korrik. Kjo periudhë mund të jetë vendimtare për të vendosur bazat e ekipit. Edhe faza përgatitore në Ohër merr një rëndësi të veçantë. Aty nuk do të punohet vetëm në aspektin fizik. Do të ndërtohen automatizmat, do të provohen skema dhe do të kuptohet se cilët futbollistë përshtaten më mirë me kërkesat e trajnerit. Po aq e rëndësishme është edhe ana psikologjike.
Partizani vjen pas një sezoni zhgënjyes dhe ka nevojë të rifitojë besimin. Një trajner i ri shpesh sjell energji të re, por kjo energji duhet të shoqërohet me rezultate dhe mbi të gjitha me një lojë që bind. Një skuadër me identitet nuk fitohet vetëm nga tifozët, por edhe nga kundërshtarët. Kur ekipet e tjera e dinë se përballë kanë një skuadër me karakter, disiplinë dhe organizim, atëherë ndeshjet fitohen edhe në aspektin psikologjik. Më shumë rëndësi do të ketë nëse Partizani do të shfaqë një fytyrë të re në fushë, me ide të qarta dhe me personalitet. Identiteti është elementi që garanton vazhdimësi.
Nëse rumuni arrin ta ndërtojë këtë kulturë te Partizani, atëherë klubi do të ketë hedhur themelet jo vetëm për një sezon të mirë, por për një projekt që mund të zgjasë në kohë. Në fund, sfida më e madhe e Florin Bratut nuk është të fitojë ndeshjen e parë apo derbin e parë. Sfida e tij është të bëjë që, pas disa muajsh, kushdo që sheh Partizanin në fushë të kuptojë menjëherë se përballë ka një skuadër me identitet, me ide dhe me një mënyrë loje që e përfaqëson. Vetëm atëherë mund të thuhet se projekti i ri ka nisur mbi baza të forta.
PANORAMASPORT.AL













