Premio marramendëse dhe limuzinë me antiplumb, zbulohen detajet e kontratës që Ançeloti firmosi para Botërorit
Nëse do të pyesësh tifozët brazilianë cila është arma më e fortë e ekipit të tyre në Botërorin 2026, thuajse të gjithë do të të përgjigjen Karlo Ançeloti. Trajneri italian nënshkroi një vit më parë dhe duket se pak nga pak po krijon një ekip i cili është në gjendje që të luftojë përsëri për trofeun më të rëndësishëm, Kupën e Botës.

Këtë e kuptoi shumë mirë edhe Federata Braziliane, e cila në maj, i vendosi para trajnerit një kontratë të re, duke lidhur një marrëveshje me të deri për Botërorin e vitit 2030. Gazeta gjermane “Bild” ka zbuluar sekretet e marrëveshjes së re, që e bën italianin unik në llojin e tij.
Ançeloti ishte trajneri më i paguar i përfaqësuesve në botë që me kontratën e parë, me rrogë 10 milionë euro bruto në vit. Me kontratën e re, përfitimi i tij është rritur në 10 milionë euro neto, që do të thotë përfitimi real pas taksave.
Për më tepër, i është vënë një bonus i jashtëzakonshëm nëse drejton Brazilin drejt fitores së Kupës së Botës, me një shifër që arrin deri në 7 milionë euro. Por jo vetëm kaq!
Federata i ka vënë në dispozicion një limuzinë me antiplumb për periudhën e qëndrimit në Brazil, udhëtime falas në çdo kohë drejt Europës apo çdo vendi tjetër, si dhe paguan apartamentin luksoz me pamje nga Oqeani Atlantik në Barra da Tijuca. Kjo është lagja në Rio De Zhaneiro ku është vendosur edhe selia e Federatës, pasi vlerësohet se është më pak kaotike se Kopakabana apo Ipanema.
Në këtë mënyrë, Ançeloti mund të përgatitë i qetë aty punën me ekipin, duke bërë edhe ecje në plazh në orët e para të mëngjesit. Gjithashtu, në këtë periudhë Ançeloti ka përmirësuar edhe gjuhën portugeze, me kurs intensiv dymujor me 4 seanca në javë, për të qenë gati për fillimin e Botërorit ku kërkon që çdo udhëzim të mos humbasë rrugës në përkthim. Një mesazh i qartë se dëshiron pa aq shumë sa edhe vetë brazilianët, që të mbyllë Botërorin 2026 me trofeun në duar.
PANORAMASPORT.AL













