Dinamo e kthen në cikël, “nëndetësja” nuk mban dot më të mirët
Dinamo po kalon një moment të vështirë para ndeshjes me Astanën, duke qenë se situata në kampin blu, nuk është më e mira. Kur dukej se drejtuesit kishin bindur disa nga titullarët kryesorë për të rinovuar, erdhi një goditje duke qenë se Dejvi Bregu refuzoi kontratën e re dhe vendosi të largohej.

Sakaq, Dinamo ka kaluar dy periudha radhazi merkatoje ku është detyruar të përballet me largimin e disa prej lojtarëve më vendimtarë në fazën ofensive, duke humbur gradualisht peshën kryesore të repartit të sulmit.
MERKATOJA E SHKUAR- Fillimisht, në sezonin e kaluar, skuadra u përball me largimin e dy prej golashënuesve më produktivë të saj, Peter Itodo Mandela dhe Baton Zabërgja. Të dy lojtarët kishin qenë ndër elementët më të rëndësishëm të skuadrës në aspektin ofensiv, duke mbajtur një pjesë të madhe të përgjegjësisë për realizimin e golave dhe ndikimin në rezultatet e ekipit. Largimi i tyre krijoi menjëherë një boshllëk të dukshëm në sulm, duke detyruar klubin të riformulonte pjesërisht strukturën e repartit ofensiv.
Në atë sezon, Mandela kishte arritur kuotën e 13 golave në kampionat, ndërsa Baton Zabërgja ishte shumë pranë tij me 12 gola, duke formuar së bashku një dyshe shumë produktive për skuadrën. Ky kontribut i rëndësishëm e bënte largimin e tyre edhe më të ndjeshëm për vazhdimësinë sportive të Dinamos.
BREGU- Në sezonin aktual, një tjetër goditje për klubin vjen me largimin e Baton Bregut, i cili gjithashtu ka qenë pjesë e rëndësishme e fazës sulmuese të ekipit. Bregu largohet me parametra zero pasi i përfundon kontrata më 30 qershor, duke mos sjellë asnjë përfitim ekonomik për klubin dhe duke shtuar edhe më shumë ndjesinë e humbjes së vazhdueshme të elementëve kyç. Në aspektin sportiv, situata krijon një problem të përsëritur për Dinamon, humbja graduale e lojtarëve që kanë qenë vendimtarë në fazën e golit, pa një zëvendësim të menjëhershëm me të njëjtin nivel ndikimi.
Kjo e detyron klubin të rikthehet çdo sezon në merkato për të rindërtuar repartin ofensiv, në vend që të ndërtojë një bërthamë të qëndrueshme afatgjatë. Nga këndvështrimi i projektit sportiv, ky model ngre pikëpyetje mbi aftësinë për të ruajtur vazhdimësinë e skuadrës. Edhe pse investimet dhe ambiciet e klubit kanë qenë të pranishme, ndryshimet e shpeshta në repartin ofensiv e bëjnë të vështirë krijimin e një identiteti të qëndrueshëm dhe të një grupi të konsoliduar lojtarësh.
Për tifozët, këto zhvillime sjellin një ndjesi të përsëritur, ku skuadra prodhon dhe afron lojtarë me ndikim, por nuk arrin t’i mbajë për një periudhë të gjatë kohore. Kjo situatë e vendos Dinamon përballë një sfide të vazhdueshme në merkato, ku rindërtimi i skuadrës bëhet pothuajse një proces i përvitshëm. Në këtë kontekst, Dinamo mbetet një klub me potencial të lartë dhe me kapacitet për të konkurruar në nivelet e larta të futbollit shqiptar, por që ende kërkon stabilitet në menaxhimin e lojtarëve kryesorë dhe në ndërtimin e një projekti afatgjatë të qëndrueshëm.
Për më tepër, në këtë merkato vere Dinamo ka humbur shumë duke qenë se të gjithë lojtarët e larguar, janë një kosto e lartë monetare pasi mund të kishte pretenduar edhe shitjen e disa prej tyre, siç mund të jetë rasti i Bregut, apo edhe Nani që është ende nën kontratë me skuadrën e Dinamos por refuzon që të rikthehet në skuadër.
Sezonin e shkuar, Dinamo arriti të arkëtonte fitime të shumta nga dy shitjet e lojtarëve dhe veç lojtarëve që u shitën, skuadra arriti deri në “play off” të Ligës së Konferencës, duke bërë që të ketë fitime të shumta edhe nga Europa. Këtë sezon, situata nuk duket optimiste duke qenë se veç lojtarëve që kanë ikur me parametra zero, edhe shanset për të kaluar ture në Europë duken të pakta pasi përballë është një kundërshtar shumë i fortë dhe skuadra e Dinamos nuk është në momentin më të mirë.
ERJON ALLARAJ – PANORAMASPORT.AL













