Blloku i ulët, vertikalizimi dhe ndërtimi me 3 lojtarë/ Botërori nën lupën taktike, ja ku janë risitë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 28, 2026 | 16:52

Blloku i ulët, vertikalizimi dhe ndërtimi me 3 lojtarë/ Botërori nën lupën taktike, ja ku janë risitë

Botërori dikur ishte pasqyra më e mirë për të kuptuar zhvillimin taktik të futbollit ndërkombëtar. Sot këtë rol e kanë kampionatet elitare dhe turne si Liga e Kampionëve. Futbolli global nuk kufizohet më te një ngjarje që ndiqet nga e gjithë bota, por ofron çdo ditë mundësinë për të analizuar edhe skuadra nga kampionate më pak të njohura.

TAKTIKAAA

Zgjerimi i Kupës së Botës në 48 ekipe ka ulur ndjeshëm rivalitetin në një pjesë të ndeshjeve, por njëkohësisht ka sjellë në qendër të vëmendjes kombëtare që kanë bërë hapa të mëdhenj në aspektin taktik. Përtej stileve të ndryshme të lojës, dallohen disa prirje të përbashkëta.

Blloku i ulët mbrojtës

Së pari duhet sqaruar se blloku i ulët nuk është një qasje negative, por shpesh është zgjidhja më logjike për kombëtaret me nivel më të ulët teknik, të cilat synojnë të shmangin humbje të thella. Një nga shembujt më interesantë ishte Kepi i Gjelbër, që arriti të ndalonte Spanjën dhe Uruguain. Trajneri Bubista përdori një skemë 4- 5-1 shumë të organizuar, duke mbyllur zonën qendrore dhe duke detyruar kundërshtarët të sulmonin nga krahët. Megjithatë, lëvizjet e shpejta të skuadrës neutralizuan edhe kombinimet në zona anësore.

Ndaj Spanjës ekipi u mbrojt pothuajse gjatë gjithë kohës, ndërsa kundër Uruguait të Bielsës provoi të kundërsulmonte me shpejtësi në krahë, një nga karakteristikat më të zakonshme të këtij Botërori. Edhe Gana ofroi një zgjidhje interesante.

Përballë Anglisë, Karlos Keiroz zgjodhi skemën 4-1-4-1, ku Thomas Partej kishte detyrën të ndiqte Herri Kejn sa herë që ky tërhiqej në mesfushë për të organizuar lojën. Rezultate pozitive dhanë edhe blloqet mbrojtëse në mesfushë të Republikës Demokratike të Kongos dhe Irakut, të cilat përdorën respektivisht skemat 5-3-2 dhe 4-3-3.

Vertikalizimi, sidomos nga krahët

Kërkimi i menjëhershëm i thellësisë mbetet një nga tiparet kryesore të këtij Botërori, veçanërisht nëpërmjet sulmeve nga krahët. Shtetet e Bashkuara, nën drejtimin e Mauricio Poçetinos, tërheqin kundërshtarin pranë zonës së tyre për të krijuar hapësira dhe më pas godasin me pasime vertikale ose topa të gjatë drejt lojtarëve që sulmojnë hapësirat, si Ueston MeKeni. Edhe Japonia spikat për mënyrën sesi shfrytëzon presionin e kundërshtarit. Skuadra lëviz në mënyrë të sinkronizuar për të krijuar hapësira dhe për t’i sulmuar ato menjëherë.

Maroku është një tjetër shembull i rëndësishëm. Përveç aftësisë për të tërhequr kundërshtarin dhe për ta goditur me futjet nga prapa të mbrojtësve të krahut, ku Ashraf Hakimi është mjeshtër, skuadra di të menaxhojë ritmin e ndeshjes dhe të kontrollojë momentet kyçe falë cilësisë teknike të lojtarëve. Përshtypje të mira lanë edhe Australia, sidomos ndaj Turqisë, Zelanda e Re, që përdor topat e gjatë të portierit drejt Kris Ud, i cili i kontrollon dhe kombinon me tre mesfushorët ofensivë pranë tij.

Edhe pse me të njëjtën skemë 3-4-3, Panamaja dhe Jordania interpretojnë lojën ndryshe. Panamaja ndërton sulmet me kombinime të organizuara dhe përdor shpesh “lojtarin e tretë”, një parim që përdor edhe Algjeria në 4-3-3.

Jordania, përkundrazi, mbështetet shumë te kundërsulmi menjëherë pas rikuperimit të topit. Pozitivisht surprizoi edhe Kuraçao, pavarësisht shtatë golave të pësuar ndaj Gjermanisë. Trajneri Dik Advokat përdori të vetmen skemë 4-3-1-2 të këtij Botërori, me Çong si organizator klasik pas sulmuesve. Edhe Haiti tregoi organizim të mirë ofensiv në ndeshjen kundër Marokut me skemën 4-4-2, por mbrojtja e dobët ia prishi gjithçka. I njëjti problem u vu re edhe te Koreja e Jugut, e cila nuk arriti të ruante kompaktësinë mes reparteve, pavarësisht cilësisë së futbollistëve dhe aftësisë për të ndryshuar shpejt krahun e lojës. Edhe Kanadaja vuajti nga dobësitë në mbrojtje.

Në skemën 4-4-2 të Xhesi Marsh, Xhonatan Dejvid lëviz lirshëm rreth Sajl Larin, ndërsa skuadra mbush vazhdimisht zonën kundërshtare me kombinime të shpejta dhe mbështetjen e mbrojtësve të krahut. Senegali përdor shpesh kombinimet pranë zonës kundërshtare për të shfrytëzuar cilësitë teknike të lojtarëve, ndërsa Bregu i Fildishtë ndërton sulmet kryesisht nga krahët.

Shumë interesante paraqitet edhe Norvegjia, ku Aleksandër Sorloth alternon rolin e sulmuesit të djathtë dhe mbështetjen për Erling Haland, në një sistem 4-3-3 të përshtatur sipas karakteristikave të tij. Më pak bindëse se zakonisht ishin Zvicra dhe Austria. Austriakët ruajtën filozofinë “Red Bull” me skemën 4-2-2-2 dhe lojën vertikale, por nuk arritën të shfaqnin një nga elementët kryesorë të stilit të tyre: lëvizjet diagonale në sulm.

Ndërtimi i lojës dhe modeli i ri pozicional

Pothuajse të gjitha skuadrat, edhe ato që mbrohen me katër lojtarë, ndërtojnë aksionet me tre futbollistë në vijën e parë (3+2 ose 3+1). Objektivi është gjithmonë i njëjtë. Të krijohet epërsi numerike ndaj presionit të kundërshtarit. Ky model pozicional është shumë më fleksibël se ai klasik. Skuadrat përpiqen të mbulojnë pesë korridoret vertikale të fushës, dy krahët, qendrën dhe dy gjysmëhapësirat. Kur nuk arrijnë të çajnë mbrojtjen me kombinime të shkurtra, izolime të anësorëve ose goditje nga distanca, aktivizojnë mbrojtësit e krahut në hapësirat e krijuara nga lëvizjet e shokëve.

Parimet kryesore mbeten anësori ofensiv futet në gjysmëhapësirë; mbrojtësi i krahut mbivendoset, njëri nga dy mesfushorët qendrorë ngjitet për të krijuar epërsi numerike, sulmuesi qendror tërhiqet për të hapur hapësira. Mes ekipeve të mëdha dallojnë tre përjashtime.

Franca ndërton gjithçka për të shfrytëzuar shpejtësinë e sulmuesit të saj dhe cilësinë e lojtarëve pas tij. Brazili luan me një “9 fals” dhe u jep liri të plotë sulmuesve të krahut për të interpretuar hapësirat. Ndërsa Argjentina vazhdon të ketë një model unik: një lojë plotësisht relacionale, ku lëvizjet e gjithë skuadrës përshtaten sipas pozicionimit të Lionel Mesit dhe inteligjencës taktike të mesfushorëve të tij.

PANORAMASPORT.AL