Nga anonimë në yje të Instagramit, fenomeni viral po ndryshon garën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 28, 2026 | 22:22

Nga anonimë në yje të Instagramit, fenomeni viral po ndryshon garën

Harrojini emrat e mëdhenj si Mbape apo Haland. Botërori 2026 nuk po luhet vetëm në fushë, por edhe në Instagram. Një fenomen i pazakontë po pushton rrjetet sociale, duke i kthyer futbollistët pak të njohur në yje globale me miliona ndjekës brenda pak orësh.

VOZINJA

Ky Botëror pritej të ishte turneu më digjital në histori, i mbushur me video virale, meme dhe reagime të menjëhershme. Por askush nuk e kishte imagjinuar se protagonistët e rrjeteve sociale do të bëheshin lojtarë pothuajse anonimë, të cilët falë algoritmeve dhe fuqisë së komuniteteve online po fitojnë famë të jashtëzakonshme.

Tim Payne, njeriu që nisi gjithçka

Fenomeni nisi me mbrojtësin e Zelandës së Re, Tim Payne. Futbollisti 31-vjeçar, që luante te Uellington Feniks dhe ishte pothuajse i panjohur jashtë vendit të tij, u përmend nga YouTuberi argjentinas Valen Skarsini (“Elscarso”) si lojtari më pak i njohur i Botërorit. Ai u bëri thirrje ndjekësve të tij ta ndiqnin masivisht në Instagram dhe efekti ishte i menjëhershëm.

Payne kaloi nga rreth 4 mijë ndjekës në mbi 1.5 milionë brenda 48 orëve, ndërsa tani është pranë shifrës së 6 milionë. Fama e papritur i ndryshoi jetën edhe në aspektin sportiv. Tifozët argjentinas krijuan një këngë për të, ndërsa lojtari konfirmoi transferimin nga Uellington Feniks te Olimpia Asunsion në Paraguai.

Vozinja, heroi i Kepit të Gjelbër

Nëse Payne hapi rrugën, Vozinja e çoi fenomenin në një tjetër nivel. Portieri 40- vjeçar i Kepit të Gjelbër zhvilloi një ndeshje të jashtëzakonshme ndaj Spanjës, duke bërë tetë pritje vendimtare dhe duke fituar çmimin “Lojtari i Ndeshjes”. Pak orë më vonë, profili i tij në Instagram shpërtheu. Nga vetëm 50 mijë ndjekës, ai arriti fillimisht në 3 milionë dhe më pas kaloi shifrën e jashtëzakonshme prej 15 milionë ndjekësish. Edhe Eloj Rum bëhet fenomen I fundit që u përfshi nga kjo valë është portieri i Kuraçaos, Eloj Rum. Futbollisti i “Miami FC” kishte rreth 96 mijë ndjekës para sfidës ndaj Ekuadorit, por pas ndeshjes profili i tij kaloi shpejt mbi një milion ndjekës.

Madje, llogaria personale e Rum tashmë ka pothuajse trefishin e ndjekësve krahasuar me profilin zyrtar të kombëtares së Kuraçaos. Tre histori të ndryshme, por me të njëjtin përfundim. Botërori 2026 po dëshmon se futbolli modern nuk fitohet vetëm në fushë. Në epokën e rrjeteve sociale, një ndeshje e madhe, një video virale ose një komunitet i organizuar mjaftojnë për ta kthyer një futbollist të panjohur në një ikonë globale brenda pak orësh.

PANORAMASPORT.AL