Vora me aromë braziliane ndaj Tiranës, Luis Felipe: Dua të shënoj golin e parë historik

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 28, 2025 | 18:19

Vora me aromë braziliane ndaj Tiranës, Luis Felipe: Dua të shënoj golin e parë historik

Pas debutimit historik në elitën e futbollit shqiptar, Vora ka lënë pas humbjen e parë me Partizanin dhe tashmë është e përqendruar tek ndeshja e radhës kundër Tiranës. Skuadra e Arian Bellait, e cila këtë sezon po jeton ëndrrën e Kategorisë Superiore, kërkon pikët e para në kampionat, në një përballje që do të luhet në Laç. Debutuesit në elitë nuk e fshehin ambicien. Nuk mjafton vetëm barazimi apo rezistenca, por kërkohet edhe goli i parë historik për këtë klub.

Screenshot 2025-08-28 181856

Për ta realizuar këtë, vështrimet janë të gjitha te një brazilian, Luis Felipe Da Silva Rodriguez. I lindur më 21 nëntor 2000 në Rio de Zhaneiro, ai është produkt i akademisë së Boavistas, duke kaluar më pas në disa klube të ligave të ulëta braziliane si Paraná, Caldense, Bangu RJ, Ipatinga, Volta Redonda dhe Itabirito. Për të, Vora është hapi i parë në një ligë elitare, një mundësi për të lënë gjurmë.

TRESHJA “SAMBA” E VORËS Me transferimin e tij më 1 korrik 2025, bashkë me bashkëkombasit Ëallace Madeira Almeida dhe Vinicius Cesar de Oliveira Martins, Vora ka krijuar një treshe braziliane që pritet të sjellë fantazi e agresivitet në sulm. Luis Felipe mban numrin 9 dhe tashmë shihet si zëvendësuesi i natyrshëm i sulmuesit Manfredas Ruzgis, i cili u dëmtua rëndë gjatë fazës përgatitore. Në Brazil, Felipe kishte luajtur vetëm 8 ndeshje në kampionatin Mineiro, duke shënuar një gol në 849 minuta, por në Vora pritet të ketë më shumë hapësira dhe përgjegjësi.

DEKLARATA – Sulmuesi 24- vjeçar u shpreh për “Panorama Sport”: “Është hera e parë që vij në Shqipëri dhe po më pëlqen shumë. Jam i lumtur që këtu kam edhe dy brazilianë moshatarë. Shoh seriozitet dhe një projekt të bukur tek ky klub, ku kemi lojtarë cilësorë. Ndeshja me Partizanin ishte debutimi im dhe mendoj se luajtëm mirë, edhe pse nuk arritëm të shënonim. Tani ndaj Tiranës do të kërkojmë më shumë dhe unë dëshiroj të shënoj golin tim të parë, që të na sjellë edhe pikët e para. Do të ishte një gëzim i madh për mua dhe për Vorën. Kam vetëm dy muaj këtu, por ndihem si në shtëpinë time të dytë, njerëzit na kanë pritur ngrohtë dhe nuk ndihemi aspak si të huaj.”

ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL