VIDEO/ Vllaznia lëshoi kreun, ultrasit shkodranë nuk e tradhtojnë ekipin. Kore dhe duartrokitje në stërvitjen e kuqebluve
Skuadra e Vllaznisë nuk po kalon një moment të qetë në kampionat, pasi ekipi i drejtuar nga Edi Martini brenda një javë humbi mundësinë për të luajtur në finalen e Kupës së Shqipërisë e më pas edhe u mposht nga Elbasani duke i dorëzuar kreun e renditjes së Superiores.

Por në këtë moment vështirësie, për të treguar mbështetje ndaj ekipit që po përballet me kritika të shumta, kanë menduar ultrasit e kësaj skuadre. “Vllaznit” janë organizuar gjatë ditës së sotme dhe kanë zbarkuar në tribunat e stadiumit “Loro Boriçi” ku Vllaznia po kryente një seancë stërvitore në përgatitje të ndeshjes kundër Bylisit të kësaj fundjave.
Me kore dhe duartrokitje për ekipin gjatë kësaj seance, ata kanë treguar se janë afër skuadrës edhe në këto momente, duke shpresuar që nga fundjava të shihnin kthesën që mund të shtyjë Vllazninë në rrugën drejt titullit kampion që i mungon prej çerek shekulli.
SHIH VIDEO1
SHIH VIDEO2
Edhe lojtarët dhe trajneri Martini i falënderuan duke ndalur për disa momente stërvitjen dhe duke duartrokitur edhe ata mbështetësit e tyre për këtë gjest të veçante.
PANORAMASPORT.AL













