VIDEO/ Partizanit iu mohua penallti në Laç, e konfirmon edhe vëzhguesi i FSHF për ndeshjen: Fati i keq që nuk kishte VAR, do ia jepte
Partizani mbetet skuadra e vetme në Superiore në këtë sezon që nuk ka fituar penallti në favor dhe shifra zero ka vazhduar edhe sot në ndeshjen e javës 23 ndaj Laçit, pasi të kuqve u është mohuar një e tillë. Këtë e konfirmon vetë vëzhguesi i FSHF për ndeshjen, Klajdi Kola.

Ish-gjyqtari ishte caktuar të vëzhgonte punën e arbitrave në këtë sfidë, ku gjërat janë komplikuar disi për faktin se nuk kishte sistem VAR deri në minutën e 71-të, për shkak të një defekti. Ai është kthyer vetëm pas asaj minute, por momenti i vërtetë i ndeshjes ku ai duhej të kishte hyrë në punë, kishte kaluar. Kola, duke bërë moviolistin në RTSH, pranoi se po të ishte sistemi VAR, do kishte dhënë këtë penallti të parë të sezonit për Partizanin.
“Momenti më i diskutueshëm i ndeshjes është ky pretendim i skuadrës së Partizanit për 11-metërsh. Është një rast shumë i vështirë, unë që në stadium kam vërejtur sikur futbollisti mbrojtës ka larguar topin, por pas rishikimit të pamjeve duket që ka luajtur futbollisti i Partizanit me topin dhe mbrapa, ose në pjesën e trinës, ka pësuar një goditje.
Ishte në pjesën e parë, ishte minuta e 43-të. Është 11- metërsh se kemi pengim nga mbrapa, nëse mund të quajmë kështu. Megjithatë, është shumë e vështirë për gjyqtarin se nuk e ka pasur pozicionin gabim. Ishte shumë e shpejtë, nëse do ishte sistemi VAR, do ndërhynte për ta dhënë.
Këtu ka qenë fati i keq që nuk ka qenë sistemi VAR. Megjithatë, rasti është shumë i vështirë, të gjithë në stadium e pamë që topin e ka larguar mbrojtësi. Është dashur sistemi VAR apo një pjesë e kamerës për të dalluar që topin e ka… Nuk është nga ato rastet që është bardh e zi. Gjithsesi, duhej të vërshëllente dhe jepte penallti”, tha Kola.
SHIH VIDEON
PANORAMASPORT.AL













