Mesi magjepsi me tregolëshin, Ronaldo pa “dhëmbë” në debutim/ Çfarë mësuam nga raundi i parë i dueleve të Botërorit
Të gjithë sytë ishin drejtuar nga Lionel Mesi në ndeshjen hapëse të Argjentinës në Botëror, dhe ai nuk zhgënjeu. Nga rikthimi spektakolar i Mesit, te stadiumet e mbushura dhe surpriza e madhe e Kepit të Gjelbër ndaj Spanjës, ja çfarë mësuam pas raundit të parë.

Mesi ende është magjik
Udhëtimi i Lionel Mesit në Botëror dukej se kishte marrë fundin perfekt katër vite më parë në Katar, kur ngriti trofeun më të rëndësishëm të futbollit. Ose të paktën kështu mendonim. Ndërsa afrohet ditëlindja e tij e 39-të, kapiteni i Argjentinës nuk i rezistoi tundimit për një tjetër përpjekje drejt trofeut më të madh në futboll dhe dhuroi një paraqitje të paharrueshme. Mesi realizoi një tregolësh kundër Algjerisë, me dy goditje të fuqishme dhe një gol tipik sulmuesi, duke barazuar rekordin historik prej 16 golash në Botëror të Miroslav Klose. Kilian Mbape, ndodhet vetëm dy gola pas tij.
“Në fund të fundit, është thjesht një statistikë dhe asgjë më shumë”, tha Mesi pas ndeshjes. Asnjë shifër s’mund ta përmbledhë plotësisht gjenialitetin e tij, por ato tregojnë historinë e një futbollisti që vazhdon të mahnisë botën. Në sfi dën ndaj Austrisë të hënën, Mesi ka mundësinë të marrë i vetëm rekordin dhe të forcojë më tej pretendimin e tij si futbollisti më i madh i të gjitha kohërave.
Ronaldo pa “dhëmbë” në debutim
Pas shkëlqimit të Mesit, Mbapes dhe Halandit në start, vëmendja u zhvendos te Kristiano Ronaldo në ndeshjen Portugali-Kongo. Mbape dhe Haland realizuan nga dy gola secili, duke nisur fuqishëm garën për “Këpucën e Artë”, ndërsa Mesi i tejkaloi të gjithë me tregolëshin e tij. Por Ronaldo, që aktivizohet në Arabinë Saudite, ishte pothuajse i padukshëm në sfidën që Portugalia e mbylli 1-1.
41-vjeçari preku topin vetëm 25 herë, shifra më e ulët në një ndeshje të madhe me kombëtaren kur ka luajtur të gjithë takimin. Për më tepër, Ronaldo, i cili po afrohet drejt kuotës së 1000 golave në karrierë për klubet dhe kombëtaren, ka tashmë 10 ndeshje radhazi në turne madhorë pa gjetur rrugën e rrjetës. Trajneri Roberto Martinez përballet tani me një vendim të vështirë, a duhet të lërë në stol një nga futbollistët me karrierën më të jashtëzakonshme në historinë e sportit?
Kepi i Gjelbër justifi kon Botërorin me 48 skuadra
Një nga imazhet më emocionuese të raundit të parë ishte portieri i Kepit të Gjelbër, Vozinja, i cili shpërtheu në lot pasi skuadra barazoi 0-0 ndaj kampiones së Europës, Spanjës. Kombëtarja e vogël nga arkipelagu me pak më shumë se 500 mijë banorë sfi doi të gjitha parashikimet në debutimin e saj historik në Botëror. Spanja pritej të fi tonte lehtësisht në Atlanta, por u përball me një Vozinja të jashtëzakonshëm dhe me një ekip të vendosur për të lënë gjurmë në skenën më të madhe të futbollit.
Ky rezultat ishte gjithashtu një përgjigje ndaj kritikëve të formatit të ri me 48 skuadra, mes tyre edhe presidenti i UEFA, Ceferin, i cili kishte deklaruar se ky format do të sillte ndeshje “krejtësisht pa interes”. Heroizmat e Vozinjës e kthyen atë menjëherë në fenomen të rrjeteve sociale. Nga rreth 50 mijë ndjekës në Instagram para ndeshjes, ai ka arritur pothuajse në 13 milionë, më shumë se ylli i NFL-së, Patrik Mahomes, dhe supertalenti i NBA-së, Viktor Uembanjama.
Stadiumet mbushen pavarësisht çmimeve të larta
Pamja e “Levi’s Stadium” në Santa Klara, i mbushur pothuajse plot për ndeshjen mes Austrisë dhe Jordanisë, një sfi dë jo tërheqëse në letër, tregoi se çmimet e larta të biletave nuk po i largojnë tifozët nga ky Botëror. Sipas FIFA-s, 68.527 tifozë ishin të pranishëm në stadium, pjesë e totalit prej 281.223 spektatorësh që ndoqën ndeshjet vetëm gjatë së martës. Ky numër theu rekordin e mëparshëm të një dite të vetme në histori të Botërorëve, prej 277.070 tifozësh, vendosur më 28 qershor 1994.
Kartonët e kuq po zhduken
Në dy Botërorët e fundit, në vitet 2018 dhe 2022, u dhanë vetëm nga katër kartonë të kuq në secilin turne, një rënie e ndjeshme krahasuar me edicionet e mëparshme. Në fi llim dukej se ky Botëror do të kishte shumë përjashtime, pasi 3 lojtarë u ndëshkuan me të kuq në ndeshjen hapëse, ku Meksika, edhe pse me 10 lojtarë, mposhti 2-0 Afrikën e Jugut që e mbylli sfidën me 9 futbollistë.
Duket se paraqitja e arbitrit brazilian Uilton Sampaio ka bërë që FIFA t’u kërkojë gjyqtarëve më shumë kujdes përpara se të nxjerrin kartonin e kuq. Rezultati? Në 23 ndeshjet pasuese nuk u përjashtua asnjë lojtar. Një tregues se arbitrat po zgjedhin më shumë menaxhimin e lojës sesa ndëshkimet ekstreme.
PANORAMASPORT.AL













