Nis puna për ndërtimin e skuadrës korçare/ Ahmataj dhe Çapja në krye të Skënderbeut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2026 | 22:57

Nis puna për ndërtimin e skuadrës korçare/ Ahmataj dhe Çapja në krye të Skënderbeut

Skënderbeu do të drejtohet nga dy emra të njohur të futbollit shqiptar në sezonin e ri. Bëhet fjalë për Julian Ahmataj dhe Hetlem Çapja,të cilët do të kenë në dorë frenat e skuadrës së Skënderbeut në rikthimin e saj në Superiore.

-1200-630-ahmataj

Pas ngjitjes në elitën e futbollit shqiptar drejtuesit e klubit kanë vendosur ti besojnë projektin teknik dy ish-futbollistëve elbasanas të cilët gëzojnë eksperiencë dhe njohje të mirë të kampionatit shqiptar. Në krye të klubit vazhdon të jetë presidenti Ardian Takaj i njohur për ambicien dhe investimet e tij ndër vite te bardhekuqtë. Për teknikun Julian Ahmataj nuk bëhet fjalë për një eksperiencë të panjohur në Korçë, sepse tekniku ka qenë pjesë e Skënderbeut edhe në sezonin 2020-2021 ndërsa në karrierën e tij ka drejtuar skuadra të ndryshme dhe ka punuar gjithashtu me kombëtaret e moshave të Shqipërisë.

Përkrah tij do të jetë Hetlem Çapja i cili do të marrë rolin e ndihmësit duke formuar një dyshe që pritet të sjellë energji dhe ide të reja në kampin korçar. Ndërkohë puna për sezonin e ri ka nisur me ritme të larta, teksa Ahmataj Çapja dhe presidenti Takaj së bashku me drejtuesit e tjerë të klubit janë të angazhuar në merkaton verore ku objektivi kryesor është ndërtimi i një skuadre konkurruese për elitën. Synimi është krijimi i një grupi kompakt solid në çdo repart dhe me alternativa cilësore për të përballuar një kampionat që pritet të jetë mjaft i fortë.

Edhe pse konsiderohet një skuadër e sapongjitur në Superiore historia dhe tradita e Skënderbeut në futbollin shqiptar bëjnë që pritshmëritë të jenë të larta. Në Korçë synojnë jo thjesht mbijetesën por ndërtimin e një ekipi që mund të jetë rival i denjë për çdo kundërshtar dhe të rikthejë bardhekuqtë në pozitat që u takojnë në futbollin shqiptar.

Fatos Lamaj – PANORAMASPORT.AL