Nga mbrojtja në sulm, “Demat” kanë cilësi/ Organika e të kuqve, çfarë do të gjejë Bratu te Partizani?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2026 | 22:30

Nga mbrojtja në sulm, “Demat” kanë cilësi/ Organika e të kuqve, çfarë do të gjejë Bratu te Partizani?

Partizani duket shumë pranë zyrtarizimit të Florin Bratut në postin e trajnerit të ri dhe, nëse nuk do të ketë surpriza të minutës së fundit, rumuni pritet të marrë drejtimin e të kuqve për sezonin e ardhshëm. Pas një periudhe të gjatë kërkimesh dhe negociatash, drejtuesit kanë identifikuar profilin që besojnë se mund ta rikthejë skuadrën në nivelet që kërkojnë historia dhe tifozët.

BRAUT

Por përtej emrit të trajnerit, një pyetje e rëndësishme lind natyrshëm: çfarë do të gjejë Florin Bratu te Partizani? Në fakt, rumuni nuk do të nisë punën nga zero. Përkundrazi, ai pritet të gjejë një skuadër që ka nevojë për përmirësime, por që njëkohësisht zotëron një bazë solide mbi të cilën mund të ndërtohet sezoni i ri. Një nga avantazhet më të mëdha të Partizanit është fakti se pjesa më e madhe e organikës është ruajtur, të paktën për momentin.

Kjo i jep trajnerit të ri mundësinë të punojë me një grup futbollistësh që njihen me njëri-tjetrin dhe që kanë krijuar tashmë automatizma të rëndësishëm brenda skuadrës. Duke nisur nga porta, Bratu do të gjejë një nga pikat më të forta të ekipit. Pano Qirko ka qenë ndër futbollistët më të qëndrueshëm të viteve të fundit dhe vazhdon të konsiderohet një garanci për skuadrën. Portieri jo vetëm ka treguar siguri mes shtyllave, por ka fituar edhe statusin e një lideri në dhomat e zhveshjes.

Përpara tij, trajneri rumun do të ketë në dispozicion futbollistë me eksperiencë dhe personalitet. Marcelino Preka mbetet një nga mbrojtësit më të rëndësishëm të skuadrës, ndërsa Albion Marku ka treguar se mund të ofrojë stabilitet dhe fleksibilitet në repartin defensiv. Në krahë, Partizani ka alternativa interesante, ndërsa një emër me peshë në grup vazhdon të jetë Atanaskoski. Futbollisti nga Maqedoniae Veriut sjell eksperiencë, karakter dhe aftësi për të ndihmuar skuadrën në të dy fazat e lojës. Nëse mbrojtja konsiderohet solide, atëherë mesfusha është ndoshta reparti që ofron më shumë cilësi në organikën aktuale.

MESFUSHA- Pikërisht në këtë zonë Bratu do të gjejë disa nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës. Partizani ka arritur të krijojë një mesfushë konkurruese falë emrave që ka aktualisht në dispozicion. Redon Ismaili vazhdon të mbetet një nga futbollistët më të vlefshëm për ekuilibrat e skuadrës. Mesfushori shqiptar është një element që garanton punë të madhe, disiplinë taktike dhe eksperiencë. Përkrah tij qëndron Kamer Qaka, një tjetër lojtar që mund të marrë përgjegjësi në momentet më të rëndësishme si dhe Valentino Murataj, një lojtar që kampionatin shqiptar e njeh mirë.

Megjithatë, dy nga armët më të forta të Partizanit në mesfushë mbeten Rouan Human dhe Arafat Dumbia. Të dy futbollistët zhvilluan një sezon pozitiv dhe treguan se mund të bëjnë diferencën në kampionatin shqiptar. Human spikati për vizionin e lojës, aftësinë në pasimin final dhe inteligjencën taktike. Nga ana tjetër, Dumbia solli energji, forcë fizike dhe aftësi për të mbuluar shumë terren gjatë ndeshjes. Jo rastësisht, të dy konsiderohen si elementë kyç edhe për projektin e sezonit të ardhshëm.

SULMI- Në repartin ofensiv, Bratu do të ketë në dispozicion lojtarë që, nëse lënë pas problemet fizike, mund të jenë ndër më të mirët në Superiore. Xhuliano Skuka mbetet një nga emrat më të rëndësishëm të futbollit shqiptar dhe një futbollist që e njeh shumë mirë ambientin e Partizanit. Sulmuesi nuk arriti të shfaqte potencialin e tij maksimal sezonin e kaluar për shkak të dëmtimeve, por cilësitë e tij mbeten të padiskutueshme.

Përkrah tij është Albers Keko, një tjetër lojtar që mund të sjellë gola, asistime dhe shumë lëvizje në fazën sulmuese. Nëse të dy arrijnë të jenë në formën e tyre më të mirë, Partizani mund të fitojë shumë në aspektin ofensiv. Gjithashtu, në grup ndodhen edhe futbollistë të tjerë që mund të fitojnë rëndësi gjatë sezonit dhe të rrisin konkurrencën brenda skuadrës. Një tjetër aspekt pozitiv për trajnerin e ri është fakti se merkatoja nuk konsiderohet e mbyllur. Përkundrazi, Partizani pritet të ndërhyjë në disa pozicione gjatë javëve të ardhshme.

LËVIZJET- Drejtuesit kanë identifikuar nevojën për të shtuar alternativa në repartin ofensiv, veçanërisht pas largimit të Vusal Isgandarlit. Po ashtu, në planet e klubit është edhe afrimi i një qendërmbrojtësi tjetër për të rritur konkurrencën dhe për të shmangur problemet që u shfaqën sezonin e kaluar në rast dëmtimesh.

Kjo do të thotë se Florin Bratu nuk do të jetë thjesht një trajner që do të marrë në dorë një grup të gatshëm. Ai do të ketë mundësinë të japë idetë e tij për mënyrën se si duhet të ndërtohet skuadra. Po ashtu, rumuni pritet të ketë rol në përzgjedhjen e futbollistëve që do të afrohen gjatë merkatos. Miratimi i tij do të ketë peshë në vendimet që do të merren nga drejtori sportiv Agim Ibraimi dhe drejtuesit e klubit.

Kjo është një mundësi e rëndësishme për të ndërtuar një skuadër që i përshtatet filozofisë së tij të lojës. Në fund të fundit, Florin Bratu pritet të gjejë te Partizani një skuadër me cilësi, me disa liderë të konsoliduar dhe me një bazë të fortë mbi të cilën mund të ndërtohet.

Qirko, Atanaskoski, Preka, Marku, Ismaili, Human, Dumbia, Murataj, Skuka dhe Keko janë emra që ofrojnë garanci dhe eksperiencë. Ndërsa merkatoja mbetet ende e hapur për përforcime të tjera. Pikërisht kombinimi mes kësaj baze ekzistuese dhe afrimeve të mundshme do të përcaktojë edhe suksesin e projektit të ri që pritet të nisë shumë shpejt në Arenën e Demave nën drejtimin e Florin Bratut.

EJGI ÇABELI – PANORAMASPORT.AL