Egnatia me organikë të “frikshme” dhe luks zgjedhjesh, Nevil Dede përballet me dilema
Egnatia po hyn në sezonin e ri me objektiva edhe më të mëdha se vitet e kaluara. Pas tre titujve kampionë radhazi, rrogozhinasit synojnë të vazhdojnë dominimin në futbollin shqiptar, por njëkohësisht të bëjnë një hap cilësor edhe në arenën europiane.

Pikërisht për këtë arsye, merkatoja e verës ka qenë e mbushur me afrime cilësore dhe sot trajneri Nevil Dede ndodhet përballë një “problemi” që çdo trajner do ta dëshironte: ka dy alternativa pothuajse për çdo pozicion në fushë. Konkurrenca brenda skuadrës pritet të jetë një nga armët më të forta të Egnatias gjatë sezonit të ri.
MBROJTJA – Nëse ka një repart ku Dede ka luksin e zgjedhjes, ai është padyshim mbrojtja. Në qendër dhe në krahë janë Arbenit Xhemajli, Sota, Alijev, Haime, Eneo Bitri, Alessandro Kacbufi , Geralb Smajli dhe Andrej Jago, duke krijuar një organikë shumë të pasur. Në çdo ndeshje trajneri do të ketë mundësinë të zgjedhë formacionin më të përshtatshëm sipas kundërshtarit, ndërsa rotacioni pritet të jetë i domosdoshëm për shkak të kalendarit të ngjeshur. Madje, nuk përjashtohet mundësia që nga ky repart të ketë edhe ndonjë largim nëse mbërrijnë oferta të rëndësishme.
MESFUSHA – Edhe në mesin e fushës konkurrenca është rritur ndjeshëm. Fernando Medeiros, Albano Aleksi dhe Alessandro Albanese përbëjnë boshtin e skuadrës kampione, ndërsa afrimi i Ibrahim Diabates, nëse do të ndodhë, i jep Dedes një tjetër alternativë me karakteristika të ndryshme. Mesfusha konsiderohet zemra e Egnatias dhe është reparti mbi të cilin është ndërtuar suksesi i viteve të fundit. Pikërisht aty pritet të vazhdojë të mbështetet loja e kampionëve edhe gjatë sezonit të ri.
SULMI – Edhe në repartin ofensiv pritet një garë interesante për një vend titullari. Jurguens Montenegro është rikthyer në Rrogozhinë me pritshmëri të mëdha, ndërsa Bakajoko, Adjesa dhe pjesa tjetër e repartit ofensiv do të luftojnë për minuta në fushë. Dede do të ketë mundësinë të ndryshojë skemat dhe karakteristikat e sulmit nga një ndeshje në tjetrën, në varësi të kundërshtarit dhe objektivave të ekipit.
DILEMAT – Në javët e ardhshme, Nevil Dede do të duhet të marrë vendimet e para të rëndësishme për formacionin titullar, sidomos për ndeshjet e Ligën e Kampioneve ndaj Petrokubit. Zgjedhjet nuk do të jenë të lehta, pasi konkurrenca është rritur ndjeshëm dhe pothuajse çdo repart ka dy alternativa të denja për një fanellë titullari. Në fund, kjo mund të jetë arma më e madhe e Egnatias. Jo vetëm cilësia e lojtarëve, por edhe konkurrenca e brendshme mund ta ndihmojë skuadrën të ruajë nivelin gjatë gjithë sezonit dhe të përballojë me sukses dy frontet, kampionatin dhe Europën.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













