Thyen edhe rekorde, Tuhel i gëzohet Anglisë në Botëror
Tomas Tuhel dhe Herri Kejn kanë vlerësuar maksimalisht bashkëpunimin e tyre të ri në krye të Kombëtares së Anglisë, pas fitores së parë të rëndësishme në fazën e grupeve të Botërorit 2026 me rezultatin 4-2 kundër Kroacisë.

Kapitulli i ri te Anglia nën drejtimin e Tuhel e ka bërë kapitenin tejet entuziast për të synuar trofeun e madh që i mungon vendit që nga viti 1966. Pasi Anglia e mbylli pjesën e parë ndaj Kroacisë në barazim (2-2), Tuhel deklaroi se ofroi qetësi absolute, gjë që solli përmbysjen e madhe në pjesën e dytë me golat e Bellingam dhe Rashford. Pas dy golave të shënuar nga Kejn (njëri me penallti), Tuhel u shpreh me shaka në konferencë:
“E kishim ndjenjën se Kejn do të fitonte një penallti… Por rëndësi ka që arritëm të fitonim, besoj me meritë, pas një loje bindëse!”, shpjegoi tekniku. Ai vlerësoi kundërshtarin dhe intensitetin e lojës, duke theksuar se sfida ishte e fortë që në start. “Ishte një kundërshtar i fortë në ndeshjen e parë, pikërisht ajo që na duhej”. Trajneri gjerman gjithashtu u ndal te gjendja fizike e skuadrës, duke theksuar rëndësinë e përpjekjes dhe lodhjes pas ndeshjes. “Ne ishim të lodhur dhe më pëlqen një dhomë zhveshje je… e lodhur. Kjo tregon përpjekje”, shtoi ai.
SI ASNJËHERË MË PARË
Përfaqësuesja e drejtuar nga Tuhel tregoi forcë sulmuese dhe efikasitet përballë kroatëve, duke siguruar tre pikë të rëndësishme në startin e turneut. Përveç suksesit në fushë, kjo fitore ka edhe një rëndësi historike për “Tre Luanët”. Anglia ka arritur të fitojë ndeshjen hapëse të Kupës së Botës për herë të tretë radhazi, diçka që nuk e kishte bërë kurrë më parë në historinë e saj.
Seria pozitive nisi në Botërorin e vitit 2018 me fitoren 2-1 ndaj Tunizisë, vazhdoi në Katar 2022 me triumfin bindës 6-2 kundër Iranit dhe tani është zgjeruar me suksesin 4-2 ndaj Kroacisë në Botërorin 2026. Hera e fundit kur anglezët e nisën një Kupë Bote me humbje ishte në vitin 2014, kur u mposhtën 2-1 nga Italia në ndeshjen e parë të grupit. Ky rekord i ri dëshmon vazhdimësinë dhe stabilitetin e Anglisë në turnetë madhorë, ndërsa skuadra konsiderohet një nga pretendentet serioze për të shkuar larg në këtë edicion të Kupës së Botës.Në takimin e radhës, më 23 qershor, Anglia do të përballet me Ganën, në një ndeshje që mund t’i afrojë edhe më shumë anglezët me kualifikimin në fazën me eliminim direkt.
PANORAMASPORT.AL













