19-vjeçari nigerian largohet përfundimisht nga Tomori, shumë pranë kalimit te Besa
Sulmuesi nigerian Abdul Salam Rahman, golashënuesi më i mirë i Tomorit në sezonin e fundit, ka tërhequr vëmendjen e disa skuadrave të Kategorisë së Parë pas paraqitjeve të shkëlqyera me ekipin beratas.

19-vjeçari realizoi 9 gola në një gjysmë sezoni në Kategorinë e Dytë, duke u shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të Tomorit. Performanca e tij ka bërë që aktualisht tre klube të njohura të Kategorisë së Parë të interesohen për shërbimet e sulmuesit nigerian. Pavarësisht vështirësive që ka kaluar gjatë kësaj vere, kur mbeti larg futbollit dhe u detyrua të punonte si pastrues në një resort në Vlorë për të siguruar të ardhurat e nevojshme, Rahman është pranë rikthimit në fushë. Vetë lojtari konfirmon se është në bisedime me disa klube dhe se javën e ardhshme do të nisë përgatitjet me një skuadër me ambicie. “Jam në bisedime me tri skuadra të Kategorisë së Parë dhe shpresoj të firmos me njërën prej tyre.
Jam i gatshëm të kaloj çdo testim dhe të tregoj cilësitë e mia. Kam vendosur t’i bashkohem një klubi me traditë në futbollin shqiptar dhe besoj se do të kem mundësinë të shfaq potencialin tim”, deklaroi Rahman për “Panorama Sport”. Sulmuesi nigerian përjashtoi kategorikisht mundësinë e rikthimit te Tomori, ndërsa theksoi se ruan respekt të madh vetëm për ish-shokët e skuadrës dhe tifozët beratas. “Për ngjarjet e kësaj vere nuk dua të flas. Kam respekt për lojtarët dhe tifozët e Tomorit, por tani jam i fokusuar te e ardhmja ime. Po luftoj me shumë sakrifica dhe shpresoj që së shpejti të rikthehem aty ku ndihem më mirë, në fushën e futbollit”, përfundoi 19-vjeçari.
Edhe pse lojtari nuk ka preferuar që ta përcaktojë destinacionin e tij të ri, “Panorama Sport” ka mësuar nga burime pranë klubit kavajas, se Rahman shihet pranë Besës dhe me fillimin e përgatitjeve verore është planifikuar që ai të nisë punën nën urdhrat e trajnerit Gugash Magani. Padyshim konkurrenca pritet të jetë e lartë nëse nigeriani kalon në Kavajë, për vetë ndërhyrjet që ka bërë Besa në repartin sulmues, pa llogaritur edhe të rinjtë e perspektivës që verdhezinjtë kanë në grup.
EDI SPAHIU-PANORAMASPORT.AL













